Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Dr. Andrea GUDHA: 5 arsye për të zgjedhur profesionin në Shkencat Mjekësore   

 

5 arsye për të zgjedhur profesionin në Shkencat Mjekësore                                

Për maturantët, që aspirojnë për të vazhduar studimet në Shkencat Mjekësore

“Ku është dashuria për Njeriun është dhe dashuria për Mjekësinë”, Hipokrati

1. Ndër të gjitha profesionet e disponueshme, profesioni në Mjekësi është shumë i kërkuar dhe shumë i dëshiruar nga maturantët dhe nga prindërit e tyre.

Përse? Eshtë profesion dhe mision. 

Mirëqenia e plotë shëndetësore  e njeriut: Bio-fizike, psiko-sociale dhe emocionale, pa dallim shtrese dhe race.

Profesioni në Mjekësi është një profesion fisnik dhe i respektuar!

  • Historia: “Po s’u bëre mbret, bëhu mjek”!
  • Në Amerikë: “Zoti dhe mjeku”.
  • Në Greqi: “Ta kesh mirë me Perëndinë, me mjekun dhe me komshinë”

Heronjtë e “heshtur”.   

Mjekët dhe profesionistët e Kujdesit Shëndetësor janë ata, që u përballën  në vijën e parë të luftës me Covid-19.

Cilat janë motivet tuaja për t’u bërë profesionistë të Kujdesit Shëndetësor?

Të praktikosh një punë për t’u ndjerë i dobishëm dhe i respektuar në shoqëri.

Të kujdesesh dhe të ndihmosh njerëzit.

Të mos kesh probleme me tregun e punës  dhe me anën financiare.

2. Studimet në Shkencat Mjekësore të mbajnë  me një mendje të hapur! 

Të  zgjedhësh, të studiosh në Shkencat Mjekësore, do të thotë të angazhohesh për një projekt të pasur profesional afatgjatë.

Do të njiheni me lëndët shkencore  dhe do të thelloheni në to, por jo vetëm.

Do të keni mësime në shkencat psiko-sociale, bio-etikë, në praktikat profesionale në institucionet shëndetësore etj.

Do të merrni pjesë në kërkime mjekësore. 

Profesioni në Shkencat Mjekësore do t’ju forcojë gjykimin dhe arsyetimin, do t’ju shtojë pasionin, kreativitetin, imagjinatën, frymëzimin dhe dashurinë për punë studimore.

Do të merrni pjesë në kërkime mjekësore dhe do të shkruani artikuj shkencorë.

Kjo është një mundësi, për të dhënë një kontribut konkret në avancimin e Mjekësisë.

3. Njerëzimi, gjithmonë, do të ketë nevojë për profesionistë të Kujdesit Shëndetësor.

Shëndeti është “kapitali” më i çmuar për njeriun dhe shoqërinë.

Janë profesionistët e Kujdesit Shëndetësor, që kujdesen dhe administrojnë Shëndetin.

Njeriu i sëmurë apo i shëndoshë, që nga konceptimi i jetës dhe deri në vdekje, do të ketë gjithmonë nevojë për ju!

Në Shkencat Mjekësore ka një gamë të gjerë profesionesh, që merren me trajtimin dhe diagnostikimin e sëmundjeve të njeriut. Por, ende, ka shumë për të bërë, për të zbuluar dhe trajtuar në fushën e shëndetit të Njeriut.  Ndoshta, do të jeni ju, që, do të revolucionarizoni mënyrën se si  t’i qasemi disa sëmundjeve të Njeriut.

4. Profesionet mjekësore paguhen mirë Profesionet në Mjekësi janë ndër ato profesione, që të motivojnë dhe të mundësojnë një jetë të mirë.

“Mjeku e jeton jetën mirë, por, kurrë,  nuk mund të bëhet i pasur”.

Tregu i punës për profesionistët në Mjekësi, pas Covid-19.

Midis 6 profesioneve më të kërkuar dhe më të paguar në tregun e punës do të jenë profesionet në Mjekësi. P.sh, në SHBA, Infermieret në hapat e parë të karrierës fitojnë rreth 48.690 dollarë. Në Angli, infermieret, sapo diplomohen, mund të fitojnë një pagë të arsyeshme fillestare prej £ 22,000 deri £ 28,500.

5. Zhvillimet teknologjike dhe dixhitale e lehtësojnë punën në dobi të mjekësisë. 

Profesionet në Mjekësi po modernizohen, falë zhvillimeve teknologjike: Telemjekësia, Bio-teknologjia,Inxhinjeria gjenetike, Robotika, Inteligjenca Artificiale…

P.S.: Profesionistët e Mjekësisë nuk mund  të zëvendësohen me teknologj por, ato, gjithmonë do të bashkëpunojnë në ndihmë  të progresit të Mjekësisë.

Kujdes! Në Mjekësi ka shumë profesione. Ju duhet të zgjedhni profesionin, që ju lejon:

  • Të bëni një punë për të cilën jeni të pasionuar dhe, që ta ndjeni vehten mirë.
  • Të bëni një punë, që keni mundësi të kontribuoni në përparimin e Mjekësisë.
  • Të zgjedhni fushën në Mjekësi, që përshtatet me karakterin tuaj.
  • Të keni një punë, që paguhet mirë dhe që është e dobishme për të gjithë.

Kërkesat për sukses në vitin e parë të studimeve.                                                        

Përballë programit titanik, që duhet ta përvetësoni “përmendsh” në vitin e parë, shkencat mjekësore kërkojnë studentë  të organizuar, të cilët do të jenë në gjendje të imponojnë një disiplinë të hekurt.

Duhet të kesh energji, vullnet prej çeliku  dhe të zotërosh një qetësi psikologjike.

Gjatë viteve të studimit në auditor dhe në praktikat profesionale do të keni kohë për të konfirmuar dëshirën tuaj fillestare për zgjedhjen e profesionit, që ju keni bërë në Mjekësi.

Do të keni mundësi për të zbuluar pasionin tuaj në një fushë të caktuar në Mjekësi, duke i thelluar studimet pas diplomimit (Master, specializim, apo kualifikim).

Në vëmendje: Udhëtimi në Mjekësi do të jetë  i gjatë, maratonë me plot gracka dhe të pa njohura, veçanërisht gjatë vitit të parë të studimeve.

Prandaj, do të duhet shumë punë dhe do të jepni nga vetja për të arritur qëllimin tuaj.

Impresione nga puna e përditshme në Mjekësi:                                                                              

Momente gëzimi e falenderimi kur pacienti del i shëruar nga spitali, çaste hidhërimi e ankesa në rast vdekje…

Rëndim i gjëndjes shëndetësore të pacientit, vdekje të pa pritura, britma familjarësh, “autopsi e bardhë”, raste mediko-ligjore, diagnoza të vështira, urgjenca, netë pa gjumë.

Emocione, stres e ankth…

Këshillë jetësore!                                                                                                                    

Që të jesh një profesionist  i mirë në Mjekësi, ju duhet:

1. Kultura e përgjithshme: Fantazi, Imagjinatë, Kreativitet…

2. Kultura profesionale: Pasion, humanizëm, përkushtrim…

3. Student gjatë gjithë jetës!

Please follow and like us: