Albspirit

Media/News/Publishing

Xhoi Jakaj: Burra të “fortë” që vrasin gra

 

Burrat vrasin vajzat, nënën e fëmijëve, gratë e tyre.

Ndodh për 1001 arsye…

Gruaja, mbetet viktimë dhe numri po rritet në kohë rekord… një urdhër mbrojtje nuk i mbron më gratë!

Nga burrëria e instaluar keq në kokën e një djali që në rritje, ndodh gjithçka, deri tek vrasjet e vajzave të grave pa ju ‘dridhur qërpiku’. madje duke lënë edhe fëmijën e tyre në mëshirë të fatit mes katër rrugëve.

Pikërisht, kjo burrëri e ‘injektuar’ që në vegjëli nga “burrat” e shtëpisë dhe gra që rrisin djem të fortë për pushkë, por jo për pendë e dije, sjell këtë amulli në shoqërinë shqiptare ku vrasjet janë shpeshtuar pafund….

Në shumë vende të Shqipërisë mentaliteti i thekur, burrëria, pushka, mohimi, sundimi, mosrespektimi e shumë fjalë të tjera mbizotërojnë në çdo ditë të jetës, e këto bien mbi femrën dhe fëmijët e pafajshëm.

“Burra”, që vrasin, ndërkohë duhet të ishin shtylla e fortë në familje, njeriu i dashur i frytit të tij dhe nënës së tyre që e lind atë.

Dje në Prishtinë një djalë i ri vetëm 32 vjeç i dha fund jetës së një gruaje bashkë me fëmijën e saj, një rast i vrasjes së ish gruas tij në gjakftohtësi dhe e planifikuar.

Mendohuni mirë para se të sillni fëmijët në jetë o burra të fortë dhe ju gra të brishta ose të forta, mos pranoni dhunën e gjeni zgjidhje të çfardo lloj forme e mënyre, por kurrsesi t’i lejoni t’ju vrasin…

Dikur nëse lind një djalë ishte gëzim i madh, shtylla e familjes, trashëgimtari i pasurisë, e padyshim që ndodh e kundërta nëse nusja e shtëpisë sjell në jetë një vajzë. E shohin gruan me një sy urrejtjeje, fajtore, a thua se ajo e ka në dorë gjininë e fëmijës.

Nusja në zona të ndryshme shqip-folëse trajtohet ende në vitet 2022 si një ‘plaçkë’.

Mentalitetin e mykur të “burrërisë” vështirë se fashitet në kokën e brezave e kjo mendësi për fat të keq ende është aktuale.

Po jap disa fakte që klima ende nuk është pro vajzës…

Që në vegjëli, shoqëria na mëson të ndajmë lodrat fëmijëve tanë. Pistoleta, makina, motorra, i përkasin djemve.

Jemi ne, shoqëria që ju blejmë lodra të atilla, ne i ‘djallëzojmë’ djemtë ndonëse me të tilla lodra pa vlerë. Ju mësojmë djemve se ato duhet të luajnë me ato lodra, jo motrat e tyre.

Djemtë tanë nuk i marrin motrat në grupet e tyre shoqërore, se janë vajza e ato flasin gjuhë tjetër, e hera-herës me zhargon rruge.

Motra duhet të qëndroj në shtëpi, e në shumë raste të mos kaloj as pragun e derës.

Vajzat që të vogla duhet të luajnë me kukullat ‘barbie’, me shoqet e saj. Që 6-vjeç përpiqemi t’ju mësojmë punët e shtëpisë, që t’i bëhet kulturë.

T’i shtroj babit bukën kur vjen i lodhur nga puna, vëllait t’i përgatis detyrat për nesër e shumë e shumë urdhëresa pune, edhe pse nuk u lumturua askush kur erdhi në këtë botë.

Fenomeni i “nënvlerësimit” pasohet nga nëna tek vajza, nga burrat e shoqërisë sonë.

Vëllait, me urdhëresë nga babai e nëna i jepet detyre ndaj motrës për të vëzhguar çdo lëvizje të saj, ku shkon, kur del, me kë shoqërohet.

Studimet dhe monitorimet e fundit, kanë rezultuar me shifra të larta të vrasjeve të vajzave në sekuenca të afërta kohore nga sedra e sëmurë e “burrërisë”. Për arsye idjoteske si dashuri pasionate, xhelozira, humbje e moralit, nderit të familjes etj.

Në vetëm gjashtë mujorin e fundit, raportohen në polici raste të dhunimit, kërcënime, kanosje, përdhunime, vrasjet pasionante e deri tek ato me pagesë.

Raportohen raste të vrasjeve vetëm për një fjalë goje, ku gruaja ka kundërshtuar burrin.

Vetëm pse vajzat nuk kanë pranuar me “Jo” dashuritë mizore të tyre.

Shoqëria dhe institucionet shtetërore nuk ngrenë zë, alarmi ka rënë e me dhimbje e them që po bie: Familja…

Please follow and like us: