Albspirit

Media/News/Publishing

Sonila Meço: Realiteti tjetër në qendrën multikulturore “Xhoi & Xhulia”

Në dy ditë inbox-et në rrjetet e mia sociale janë dendur me kërkesa, madje dhe “urdhëra” nga të panjohur për të reaguar në lidhje me sjelljen e disa të rinjve në një shfaqje publike. Me përcaktime të rënda, përgjithësuese për moshën, linçuese dhe gjuhë të dhunshme e agresive ndaj tyre, më kërkohet llogari se përse nuk reagoj si njeri publik, me platformë ndikuese dhe gazetare televizive me përgjegjësi sociale.

Unë do t’ju gjegjem me mënyrën time.  Siç kam bërë gjithëherët. Duhet hapur ai kënd syri për të kuptuar se energjia nuk mund të shterojë me mallkimet, por zgjidhjet. Dhe le ta nisim këtë “terapi grupi”me mësimin e parë: Realiteti nuk është vetëm ai që ndodh në ekrane televizive. Ka një botë të tërë aty jashtë, ku gjejmë të ngjashmin e ku shkëmbejmë sipas vlerave, parimeve, shijeve dhe zgjedhjeve tona. Nuk ka pushtete me përgjegjësi të lartë morale e ligjore në këtë vend për t’ua lëshuar kaq shpengueshëm e pa rezistencë zgjedhjet tona dhe këtu kam parasysh të gjithë numërorët e tyre, pushteti i parë, i dytë, i tretë, i katërt (ky është i medias).

Në një shoqëri ku sfidohet Kushtetuta, ligji, morali, drejtësia publikisht nga shërbëtorët e tyre zgjedhur nesh (që në fakt duhet të mbledhim mendjen se as nuk zgjedhim më, na e kanë vjedhur me neglizhencën tonë edhe këtë të drejtë sublime) si mund të shpëtohen vetja, familja, marrëdhëniet njerëzore, virtyti e vlerat?

Dhe unë them me bindje se Shqipëria është edhe ajo që shihni në ekran, por assesi jo vetëm ajo. Nuk përmblidhet dot vreri për ca vanitozë e gërrmues me thonj të famës, duke vënë në gijotinë gjithë brezin, gjithë median a gjithë shoqërinë.

Ka jetë përtej ekranit dhe pohojani vetes shpesh. Keni rrjetet sociale ku mund të promovoni edhe ngjarje, njerëz që ju motivojnë, janë moralisht në kulmin e kompasit tuaj dhe vlen të bëhen shembuj. Sepse çfarë ju jepet e gatshme a e gatuar në media është edhe ajo çfarë kërkoni e shihni.

Kur masim moralisht një program televiziv a e vëmë kompasin edhe tek motivet tona, morali ynë si shikues? Po në rrjetet sociale kujt i bëjmë “follow” e “likes”? Pra do paksa shtysë përkundër rrjedhës sharëse, mallkuese e stigmatizuese të protagonistëve për të kuptuar dy gjëra:

  1. Ka jetë kulturore e artistike përtej televizioneve, apo “perimetrit” sponsorizues të bashkive e qeverisë. Megjithëse mbahet me sakrificë të madhe.
  2. Dhe sepse mbështesim me shikueshmëri çfarë shajmë masivisht, duhet të ushqejmë çfarë predikojmë.

Nga jo më larg se dje më vjen në ndihmë një shembull i thjeshtë, i freskët, i dobishëm i asaj çfarë kemi mundësi të shpëtojmë pa nëmur programe, prezantues, producentë e tv.

Në vijim gjeni postime, pamje e foto nga festa “Soirdio dhe miqtë”, si mbrëmja finale e kurorëzimit të semestrit studimor në Qendrën multikulturore “Xhoi&Xhulia”.

Soirdio është një nga nxënësit e Qendrës “Xhoi&Xhulia”, por me nevoja të veçanta. Me mirësinë dhe bujarinë e Drejtoreshës Xhoi Jakaj edhe fëmijë e të rinj të tjerë të veçantë si ai kanë dyert e hapura falas nga puna vullnetare e mësuesve të Qendrës për të zhvilluar pasione, talente e aftësi artistike.

Dhe pa zhurmën mediatike, pa krekosjet pushtetare, pa shtrydhjet financiare të ca sponsorve që i gjen kryesisht në aktivitete ku duhen përmirësuar imazhe politikanësh, dhjetra fëmijë e të rinj patën kohën e mjaftueshme skenike për të dëshmuar punën e tyre dhe të profesorëve në instrumenta muzikorë, piano, violinë, kitarë, kanto, balet, prezantim, intervistim, pikturë dhe të folur publike.

Ja ca copëza fëmijërie, rinie e Shqipërie përtej standardeve virale: aty është Klea 13 vjeçare, e madhja e katër fëmijëve, që e ka javën të ngjeshur me kurse valleje popullore, prezantimi, gazetarie, volejbolli dhe që shkëlqeu në moderim.

Aty është Dioni 8 vjeçar, një talent shumpërmasor, që përballoi me sukses skenën si prezantues, duke improvizuar edhe një intervistë me mua teksa më ngjiti pa paralajmërim në skenë për të më konkuruar me pyetje të forta në një intervistë, ku mbeta pa mend nga mençuria dhe dijet e tij.

Aty gjeni Zoin e vockël që në pjesën në piano nuk bëri asnjë gabim, megjithëse ushtron prej pak kohësh, Anën dhe Lean, që këndonin këngë të Norah Jones, Kaye Ballard, Ruth B. (melodi të kulluara), Soirdion me probleme të spektrit autik në kitarë me prof. Aleksin, Amarisin, të voglën time që në dy muaj ka zëvendësuar ipad e tv me violinë, piano dhe organizime artistike në Qendër, të voglat nga 3 vjeç e deri tek të rriturat në adoleshencë të zyshës së baletit, Fatmës, që kërcejnë valsin e tradicionalen, Kurumin nga Kuvajti, Nikon me aftësi të kufizuara, por pasione që kapin qiellin, nga piktura me zysh Gertën tek kënga me prof. Mario e Laertin, Mikaelan, që surprizoi të atin me melodinë e tij të preferuar në violinë, miniorkestra me violina e piano me melodi shqiptare e kryevepra botërore, realizuar me mjeshtëri nga zysh Ola, Ambla 8 vjeçare, e katërta e pesë fëmijëve në familje, që kurorëzoi kursin e prezantimit me realizimin e një interviste me Drejtoreshën Jakaj, realizuar kryekëput prej saj…dhe gjithçka nën hijen e rëndë të artit në sallën “Tonin Harapi” të Liceut Artistik. Ç’nuk kish në atë mbrëmje, ku fëmijë e të rritur mbushnin “flegrat” me “ajër të pastër” kulture, arti, disipline e njerzillëku.

Çohuni dhe jetoni përtej kolltukut të trashjes fizike e mendore dhe “fast-food”-eve virale.

“Muzika” e mirë është një hiçmosgjë nëse publiku nuk dëgjon. Dhe i takon edhe audiencës të zgjedhë se kur do të mbyllë veshët. Mos lini “ulërimat”, “skandalet” t’ju tërheqin vëmendjen, jeta, ashtu si media e mirë duan “audiencë” të mirë për të imituar njëra-tjetrën. Dhe një këshillë që ia jap edhe vetes, si njeri mediatik: nuk ka rëndësi madhësia e audiencës së programit, por që audienca të dëgjojë e kuptojë. Audienca nuk mund të blihet, ajo ndërtohet. Dhe mbrëmë u mbush plot shpirti, u krodhën vëmendje e dëgjim në ca orë të paqme rinie të mirë Shqipërie të mbarë.

Please follow and like us: