Albspirit

Media/News/Publishing

Kristaq Balli: GJON MILI DHE “TRUMCAKU I VOGËL”, ÈDITH PIAF

 

Kontributi i gjatë dhe i suksesshëm profesional e artistik i fotografit të shquar shqiptaro-amerikan (nga Korça), Gjon Mili në revistën amerikane “LIFE”, shumë popullore sidomos gjatë gjysmës së parë të shek. XX, kushtëzohej edhe nga fakti që si një prej fotoreporterëve më protagonistë të këtij mediumi me influencë social-kulturore botërore, ai duhej të udhëtonte shpesh jo vetëm në të gjithë Amerikën, por edhe në shumicën e vendeve europiane për gjurmimin dhe fiksimin në fotografi të personaliteteve të shquar në fushën e historisë, politikës, artit, shkencës, sportit, apo ngjarjeve të rëndësishme që përbënin jehonë globale edhe në sajë të pasqyrimit të tyre në revistën LIFE. Ky angazhim për dhjetra vite krijimtarie ka formuar një galeri të panumurt personazhesh që historikisht dhe artistikisht i kanë mbetur botës si një dëshmi e trashëgimi e vyer pamore, e cila nuk mund të zëvendësohet me asnjë zhanër tjetër arti dhe  do të vijojë të ngelet edhe sot  e në të ardhmen si një pararendës  i fiksimit  dokumentues e artistik  të filmografisë elektronike.

Në kurorën rrezëlluese të këtyre personazheve ndrit edhe një perlë e vyer e muzikës franceze e ndërkombëtare, Èdith Piaf, të cilën opinioni botëror kulturor e kujton këtë vit me rastin e  përvjetorit të shuarjes së parakohshme  fizike, por jo të zërit dhe himneve që ajo la pas, e që s’kish si të mos ishte edhe një prej subjekteve fotografike të Gjon Milit.

Me emrin e saj nativ Édith Giovanna Gassion  (1915-1963), konsiderohet si një këngëtare kabareje (argëtimi), kompozitore dhe aktore franceze, por që u bë gjerësisht e dashur si një këngëtare kombëtare franceze, si dhe një prej yjeve më të mëdhenj ndërkombëtarë francezë. Muzika e saj ishte shpesh autobiografike,  këngët më specifike ishin  “chanson” dhe baladat, sidomos  mbi dashurinë, disfatën, brengën, pikëllimin. Midis këngëve më të njohura të saj janë “La Vie en rose”, 1946, “Non, je regrette rein”,1960, “Hymne á l’amour” (1949), “Milord” (1959), “La Foule” (1957), “L’Accoedéoniste”” (1955), “Padam…Padam…” (1951), etj. Piaf ka siguruar dhe merituar legjitimitetin si një nga këngëtaret më të famshme të shek. XX dhe zëri e muzika e saj vazhdojnë të interpretohen në mënyrë festive kudo.

Ashtu si edhe ajo e shumë artistëve të tjerë, edhe jeta adoleshente e rinore e  saj ka qenë një kalvar dramatik pune rrugësh, klubesh, vështirësish, braktisjeje, vetmie, frustimesh  e abuzimi human. Kariera e vërtetë artistike shënon vitin 1935 si këngëtare në një klub nate, pronë e Louis Leplé, ku ajo u afirmua me pseudonimin “Trumcaku i Vogël” (La Môme Piaf ose The Waif  Sparrow) ngase ishte shumë e shkurtër (142 cm) dhe se do të interpretonte gjithmonë e veshur me të zeza. Pas rreth 1 viti ajo filloi bashkëpunimin me të tjerë producentë, duke u quajtur përfundimisht Edith Piaf,  ndërkohë që interpretoi me sukses  si aktore kryesore bashkë me aktorin e njohur  Jean Cocteau në dramën me një akt  “Le Bel Indifférent”. Ajo shkruan tekstet e shumë prej këngëve të saj, ndërkohë që më 1944 pati një bashkëpunim, por edhe një lidhje dashurie me Yves Montand (Iv Montan) në Moulin Rouge. Interesant mbetet aktiviteti i saj muzikor gjatë Luftës II Botërore, sidomos kur Franca ishte e pushtuar nga nazistët. Ajo nuk e ndërpreu aktivitetin e saj koncertor. Madje gjatë  saj ajo fitoi edhe famën më të madhe. Disa klube të njohur nate u vunë në dispozicion të zyrtarëve  gjermanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre francezë. Në një  prej tyre, pranë shtabit të Gestapos jetonte Piaf, krijonte e jepte koncerte në të gjithë Berlinin për ushtrinë gjermane. Me mbarimin e Luftës, madje u akuzua si tradhtare e kolaboracioniste, por nuk u faktua, madje u supozua që fotot e bëra  gjatë koncerteve të saj kanë ndihmuar kundërshtarët si dëshmi identifikimi e dekonspirimi në dobi të forcave të rezistencës. Kështu në Dhjetor 1944 ajo u ngjit në skenë dhe interpretoi për trupat aleate bashkë  me Iv Montan në Marsejë.

Pas Luftës II Botërore Piaf u bë e njohur ndërkombëtarisht me turnetë e saj në Europë, SHBA dhe Amerikën e Jugut. Ajo mdihmoi në lançimin e karierës së  Charles Aznavour (Sharl Aznavur) në fillim të viteve  ’50 duke e marrë atë me vete në turet e saj në Francë dhe SHBA dhe duke regjistruar  disa prej këngëve të tij. Në koncertet e shumta gjithandej botës ajo siguroi një sukses dhe famë të padiskutueshme, veçanërisht në Nju Jork e Paris.

Në Prill 1963 Piaf regjistroi këngën e saj të fundit “L’Home de Berlin”. Gjatë 8 viteve të fundit ajo dha koncerte të njëpasnjëshëm të cilët u regjistruan në kaseta apo CD dhe nuk kanë dalë kurrë nga printimi. Kënga e vetë Piaf-it “La Vie en rose” e realizuar më 1945 u votua me çmimin Grammy Hall of Fame Award më 1998.

Pas një jete të shkutër por të stuhishme, dramatike me sëmundje, aksidente të njëpasnjëshme automobilistike, e dëmtuar nga alkooli e drogat ajo mbylli sytë në moshën 48 vjeçare më 1963 dhe u varros në Paris, në varrezën familiare në një ceremoni funebre të paparashikuar, ku morën pjesë më  shumë se njëqind mijë adhurues e ku i gjithë trafiku i Parisit u pezullua tërësisht, si rrallë ndonjëherë.

Gjatë karierës së saj artistike Èdith Piaf, ka interpretuar më shumë se 300 këngë të kompozuara, ose popullore të përpunuara, kryesisht franceze dhe në po atë gjuhë. Ka luajtur gjithashtu në 10 filma. Këngët e saj janë të regjistruara ne dhjetra e dhjetra disqe, CD e DVD. Për jetën dhe krijimtarinë e saj janë realizuar disa filma e drama dhe janë shkruar shumë libra artistikë, kritikë, monografikë, studimorë. Ajo mbetet një nga këngëtaret më të famshme në botë në të gjitha kohrat. Zëri dhe krijimtaria e saj vokale njihen si ”Himni i Dashurisë”

Fati që Gjon Mili  e “takoi” dhe e botoi Piafin i përket sigurisht jo rastësisë, por këmbënguljes dhe mjeshtërisë artistike. Gjatë kohës së qëndrimit të tij në Francë, kur ai çeli ekspozitën e tij me foto, ai u ftua të ndjekë një koncert të saj dhe pati rastin të realizojë një cikël fotosh të konceptuara nga dy këndvështrime estetike që shprehnin edhe esencën e pamjes dhe personalitetit të Piaf-it: nga paraqitja tepër grafike bardh e zi dhe nga gjestikulacioni e mimika emocionale shumë e shprehur e këngëtares, të cilat pasqyronin edhe karakterin e gjendjen shpirtërore përgjatë gjithë jetës. Këto foto u ribotuan ne Revistën ”LIFE” me rastin e 100 Vjetorit të lindjes së Èdith Piaf. Gjon Mili mendonte se ajo ishte e njohur për zërin, por edhe fytyra e saj ishte e paharrueshme. Ajo nuk i përmbante dot emocionet  gjatë interpretimit në shprehjet e fytyrës së saj. Të kurorëzuara nga flokë kaçurela, rrudha të thella  vertikale dhe vetulla te theksuara si shigjeta, tiparet e saj ndryshonin në formën e brengës,  pasionit, ose ngazëllimit sipas melodisë dhe fjalëve që ajo këndonte. “Dua t’i bëj njerëzit të qajnë edhe nëse ata nuk i kuptojnë fjalët e mia”– thosh diva Èdith Piaf.  Pikërisht këtë  situatë psiko-artistike Gjon Mili e ka fiksuar si një nga tiparet e saj më shprehëse të interpretimit muzikor dhe karakterit të saj melodramatik.

Singer Edith Piaf performing.

Please follow and like us: