Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Koncerti madhështor i Vjenës

 

  

E shikoj Koncertin madhështor të Vjenës dhe magjepsem.
Vjena, gjeografikisht është afër nesh.
Vetëm gjeografikisht. Sepse, në aspektin kulturor dhe artistik është shumë larg. O sa larg, sa të
dhemb zemra.
Dhe e krahasoj me standardet tona “artistike” që ofrohen në çdo fundvit, ku gëlon injoranca kulturore, standardet e përçudnuara artistike dhe një gjuhë që më së paku ka të bëjë me artin.
Dhe përpara më kthjellohen përgjigjet për shumë dilema, pyetje e pikëpyetje.
Mjerisht, as të imitojmë nuk dimë.
Para pesë vjetëve pata shkruar kundër degjenerimit kulturor që pasqyrohet në programe televizive të Vitit të Ri, të cilat, në masë të madhe, artistikisht janë sterile, ku shkëlqen injoranca dhe kiçi kulturor.
Të dhimbset gjuha shqipe, e cila dvaret dhe sakatohet.
Gjuha e artit është fisnike: është gjuhë e kultivuar, e epërme, hyjnore dhe jo standardi i rrugëve dhe i kafeneve.
Tekstet e shumta të emisioneve tona janë nën çdo nivel, me një semantikë të çoroditur dhe shpeshherë u mungon logjika. E për vlera artistike, as që mund të bëhet fjalë.
Përsa kohë nuk divorcohemi prej këtyre performancave të shëmtuara “kulturore” e “artistike” nuk mund të ngritemi në asnjë aspekt.
Sepse, kultura dhe arti janë shpirti i një shoqërie.
Shoqëria është organizëm që ushqehet, ha dhe pi, si çdo organizëm tjetër. Derisa ta ushqejmë me marrina, marrina do të korrim.
Njerëz, shikojeni koncertin e Filarmonisë së Vjenës.
Shikojeni çfarë është arti i përkryer.
Ne vërtet nuk mund të krahasohemi me ta, por nuk duhet assesi të lejojmë të instalohet kiçi si standard kulturor dhe vlerë e lartë.
I gëzuar dhe i bekuar qoftë 2023!
Please follow and like us: