Albspirit

Media/News/Publishing

Vlora Obertinca: Universi hap dyert për manifestimin e dëshirave njerëzore

“Duke qenë vazhdimisht mirënjohës për atë që kemi, Universi hap dyert për manifestimin e dëshirave tona”, Vlora Obertinca
Sot, derisa po shkoja të pi kafen e mëngjesit në vendin tim të preferuar, po mendoja se çka do të ju shkruaj dhe çka do t’iu motivoj sot në fund të këtij viti.
Këdo që e takoj rrugës më pyesin vazhdimisht: “Ku po e merrni tërë këtë energji për të motivuar? Çka po sheh të mirë ti në këtë shoqëri e në këtë vend”?
Ju përgjigjem gjithmonë duke ju thënë që, nëse fillojmë ditën duke i numëruar gjërat e shëmtuara, do të na ikë dita dhe do të na zëjë nata në hidhërim dhe mërzi. Pastaj në mbrëmje, si rezultat i kësaj gjendjeje, do të ndjehemi keq me shëndetin fizik dhe psiqik. Ato gjëra që kanë ndodhur, nuk mund t’i ndryshojmë dhe bëjmë mirë sikur t’u vëmë kapak dhe mos t’i hapim më asnjëherë. Le të na shërbejnë si mësim për të ardhmen, që mos t’i përsërisim më gabimet e njëjta.
Këshilla ime është kjo që, posa të zgjoheni në mëngjes, të filloni me falënderime drejtuar Zotit që jeni zgjuar shëndoshë e mirë, sepse në gjumë mund të kishit ikur në amshim.
Falënderohuni për njerëzit e dashur të zemrës që i keni gjallë dhe afër vetes.
Falënderohuni që keni një shtrat të ngrohtë dhe të rehatshëm ku çlodheni, fleni dhe pushoni.
Falënderohuni që keni shtëpi të ngrohtë në pikë të dimrit.
Falënderohuni që keni veshmbathje dhe ushqim të mjaftueshëm.
Falënderohuni që mund t’i ofroni vetes qoftë edhe një kafe me miq të zemrës.
Falënderohuni që keni miq e dashamirës dhe nuk jetoni të vetmuar.
Falënderohuni që mund t’i ofroni vetes edhe më shumë nga sa keni menduar se mund t’i realizoni.
Të dashurit e mi ky është kuptimi i jetës!
Kur filloni ditën me falënderime, ashtu edhe do ta përfundoni e me këtë moto do t’i hapni dyert vetes për të realizuar çdo gjë që dëshironi.
Kjo sepse, ju jeni Universi dhe Universi është brenda jush. Atë që e mendoni, atë e keni. Andaj zgjedhni falënderimet në këtë ndërrim motmotesh dhe mos i ndaloni asnjëherë. Kështu, duke e ndërruar mendimin tuaj, e ndërroni edhe rrethin në të cilin jetoni!
Funddhjetor 2022.

 

Please follow and like us: