Albspirit

Media/News/Publishing

Vlora Obertinca: Suksesi arrihet me dashuri dhe jo me urrejtje

 

“Kur dikush fshehurazi mundohet ta zvogëlojë shndërritjen e aurës tënde, ajo vetëm sa shkon e rritet”, Vlora Obertinca.

“Shkolla e parë e fëmisë ku merret baza e jetës është familja, e më pastaj vjen shkolla arsimore. Secila familje brenda vetës ka rregulla dhe edukatë tradicionale që i ka trashëguar dhe përcjell më tutje ndër breza.

Duke qenë që, tradicionalisht populli ynë ka qenë popull i varfër dhe aspiratat për të arritur më shumë, gjithmonë kanë qenë prezente, s’do mend që edhe të vegjëlit janë rritur me këto aspirata. Por, kur aspiratat e tejkalojnë mundësinë, kjo dukuri kalon në kompleks të vlerës së ulët, e me të edhe në xhelozi të sëmurë.

Historikisht, kokat më të mençura të popullit tonë, janë eliminuar në mënyrë tinzare, nga vetë pjesëtarë të po kësaj popullsie.

E në kohërat e sotme, kushdo që arrin pak më shumë se tjetri, tendencat për ta shkatërruar ngadalë dhe heshturazi nuk rreshtin asnjëherë. Thjesht thënë, lakmia kalon me automatizëm në xhelozi.

Pyet njeriu me veten: Vallë çka fitojnë njerëzit e ligj nga kjo punë dinake? Përgjegjia është asgjë, por së paku njeriut të targetuar i është bërë dëm.

Pasojat e mësimeve të gabuara në shkollën familjare, i bartim gjeneratë pas gjenerate. Dhe kjo edukatë është e gabuar, pasojë e së cilës jemi populli më i lashtë në Europē që kemi krijuar perandori, por kemi ngelur gati të fundit në zhvillim.

Shkencëtarët amerikanë të neurologjisë kanë vërtetuar që, edhe kur lutemi për dikë që të shërohet, truri ynë pasurohet me aq neurone sa i sëmuri që lutemi për të. Kjo i bie që, çka i bëjmë tjetrit, ia kemi bërë vetvetes.

Nuk kemi nevojë për ta xhelozuar askënd, sepse kur vijmë në këtë jetë secili nga ne vjen me një bekim të veçantë nga Krijuesi ynë. Një aftësi që e ka njëri, nuk e ka tjetri dhe kështu me aftësitë që kemi si kolektiv e ndihmojmë njëri-tjetrin.

Andaj, të dashurit e mi në shtëpitë e juaja predikoni dashuri dhe jo xhelozi për të tjerët, sepse suksesi arrihet me dashuri dhe jo me urrejtje.

 

Please follow and like us: