Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: DIMENSIONI SHPIRTËROR

Me shpirtin apo pa shpirtin?

Sa herë na e kanë thënë me ton gati urdhërues, por edhe përgjërues “Bëje, por ama bëje me shpirt”. Apo kur dikush sheh një pikturë magjepsëse dhe si i trullosur shprehet se piktori tek kjo vepër ka lënë shpirtin e tij. Apo kur i themi të dashurës lozonjare “Afrohu pranë meje, shpirti im”!

Fjala “shpirt” ka një kuptim mjaft të gjerë, dhe nis atje kur diçka bëhet e dashur, e pazëvendësueshme, sublimohet.  E kush e pa shpirtin në ato udhëtimet e tij të fshehta rreth nesh e universit? Ka njerëz që ndjehen të përgjuar apo rrethuar nga shpirtrat, njerëz të tjerë duan të na bindin që i shohin e flasin me ta nëpër ëndrra, apo ndokush që një flutur që i ulet në krah, e cilëson me shpirtin e dikujt të dashur që sapo është ndarë nga jeta.

Dante në Komedinë e tij hyjnore, duke ndjekur këshillimet e Virgjilit dhe duke e marrë atë si udhërrëfyes, i përjetësoi shpirtrat dhe i ndau në tre sfera gjigande dhe influencuese, si ferri, purgatori e parajsa. Ndërsa në mësimet e mjeshtrave të mëdhenj budistë shpirti hyn nga një qenie në tjetrën duke u rimishëruar.

Për mua, si njeri e krijues, a ka rëndësi vërtetësia e shpirtit, zbulimi i ekzistences së tij, apo qenësia e tij si dimension, si forcë magjie e inkurajues, si diçka që na lidh në të dy botët dhe na mban të gjallë përjetësisht?

Por pa dashur të zbërthejmë vërtetësinë e shpirtit, ai ekziston në veprat tona. Por jo vetëm nëpër vepra. Kemi dëgjuar për njerëz që pohojnë se flasin me shpirtrat dhe kanë forcë ndërveprimi me ta. Dikush shprehet se në jetën e mëparshme ka qenë mbretëreshë apo murg. Fjala “shpirt” është e gjithpërfshirë në fjalorin e përditshëm të njerëzve. Ajo bashkëjeton në këngët dhe lutjet e tyre, në çdo ëndërr dhe shpresë njerëzore.

Kur mbjellim një pemë, kryhet një ndërlidhje e vetvetishme midis atij që mbolli pemën, atij që u shlodh nën hijen e saj, zogjve që cicëritën e ngritën folenë, rrezeve të diellit që prehen mes të çarave që krijohen mes gjetheve. Një poet pas ikjes në amëshim, lë trashëgim vargjet e tij, dhe dikush pas 30 apo 50 vjetësh e lexon dhe risjell shpirtin e poetit duke e ringjallur.

Kështu dhe për të gjithë ata që lënë pas vepra të mira e të këqija, duke u rikthyer në mendjen dhe kujtesën njerëzore është sikur ringjallen, të paktën shpirti i tyre rikthehet mes nesh. Dimensioni shpirtëror zë një pozicion nderi në jetët tona, bile më shumë se ç’e mendonim. Fjala “shpirt” eshtë prolog dhe epilog i romanit të jetës sonë.

18- 01- 2023.

Please follow and like us: