Albspirit

Media/News/Publishing

Vlora Obertinca: Furtunat fshijnë fundërrinat e mëhershme

 

“Çdo furtunë e madhe në jetë, largon prej nesh fundërrinat e mëhershme”, Vlora Obertinca.

“Jeta ka batica dhe zbatica e me to edhe ngjarje të bukura dhe të hidhura. Sikur të ishte jeta gjithmonë e ëmbël, mbase edhe do të kalonte në monotoni. Por, nganjëherë kur na tundin valët e jetës e na përplasin për tokë, mbledhim forcat që të bëhemi gati për ta mposhtur dallgën e radhës.

Pa e shijuar të hidhurën, nuk ia dimë lezetin së ëmblës!

Kështu, kur na vijnë ngjarje në jetë që na nxjerrin nga binarët normalë, sigurisht që na duhet kohë për të dalë nga amullia, për të kuptuar se çka ndodhi dhe si të veprojmë më tutje. Thonë që ‘betejat më të vështira janë ruajtur për ushtarët më të shkathët’. Andaj, edhe kur vijnë sulmet nga fushbeteja, duhen mbledhur forcat për të bërë planin strategjik të mbrojtjes, por edhe të ngadhënjimit.

E dimë se, nuk është e lehtë të përballemi me dhimbje dhe dështime, të çfarëdo natyre qofshin ato.

Çdo ngjarje e rëndë që vjen na përgatit për diçka më të madhe, diçka që ne na është dashur ta bëjmë vetë më herët, por ja që nuk e kemi dëgjuar intuitën e brendshme që shpesh na flet. Intuita është një sensor që e përdor shpirti ynë për të na treguar se çka duhet bërë dhe kur shkojmë në kahje të gabuar; ngjarjet e rënda godasin, pikërisht për të na vetëdijësuar që nuk jemi duke jetuar në harmoni me kërkesat e shpirtit, por me kërkesat e egos. Kërkesat e egos s’kanë të ndalur, sikur t’i jetojmë edhe 10 jetë, andaj duhet t’i ndalojmë kur bëhen tepër sepse kënaqësia e realizimit të këtyre kërkesave është momentale. Përderisa kënaqësia shpirtërore na mban gjallë deri në qelizat e organizmit tonë duke i mbushur frymëzim dhe lumturi në vazhdimësi.

Të dashurit e mi, kur vijnë ngjarjet e pakëndshme në jetë, mos u dëshproni, sepse kurrë nuk e dimë se cilën të mirë do na e sjellë nesër Zoti!

Universi na mat pulsin gjithmonë se sa jemi të gatshëm për të kaluar në mësimin e leksionit të ardhshëm. Pas çdo pësimi, ka një shpërblim të madh që na bën ta harrojmë vuajtjen e kaluar. Gëzojuni çdo dite të jetës qoftë edhe e mërzitshme, duke ditur se dita e nesërme sjell bekimin e radhës”.

Fragment i shkëputur nga libri “Vera e shpirtit” i autores Vlora Obertinca.

Please follow and like us: