Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: In memoriam, Sandër Prosi, Mihal Popi dhe Nikolin Xhoja!

ARTISTË QË NUK VDESIN ME KOHËN E TYRE!

Pas mënxyrave të mëdha që shfaqen në natyrë dhe në jetën e njerërëzve, me dallgë e cuname, me tërmete, pandemira shfarosëse dhe të problemeve të vetë jetës, që nuk ndalin asnjëherë, thonë se vjen edhe qetësia, dita me diell, për të marrë frrymë më lirisht, për të punuar, medituar, krijuar, shkruar, dëfryer sado pak e të tjera si këto “shtigje” për të gjallët!

Dhe kështu rastisi që, duke nxituar të sistemoj qetësisht, nëpër albumë fotografi të arshivës personale, të grumbulluara gjatë periudhës së errët të diktaturës, atëhere kur shtrëngesa ndaj artistëve ishte më e madhe, duke i quajtur “Leva të  Partisë”, lindën, u rritën e krijuan edhe disa artistë të mëdhenj që, jo vetëm ndritën po e tejkaluan kohën e tyre, shtrëngesën dhe gjithë epokën më të errët të historisë sonë. Dhe do të ndalesha i pikëlluar në këta tre artistë që nuk janë më, që i njihni e i shihni së bashku. Me Mihal Popin, Sandër Prosin e Nikolin Xhojën. Artistë të Popullit që të tre. Fotografia është e  vitit 1976, tre vite para se Artisti i Popullit Mihal Popi, do të vdiste në mjerimin më të madh, në një apartament të vjetër të Pazarit të Ri, i rrethuar nga fëmijët e tij të shumtë, në një krevat të vjetër druri. Sandër Prosi do të hidhej nga kati i dytë a i tretë i Hotel “Vollgës” në Durrës, gjatë kohës së xhirimeve të njerit prej 14 filmave që kërkoheshin me ngulm e pa asnjë shpërblim për “edukimin komunist të masave”, ndërkohë që e kishin bërë me fiksacione, organet e partisë, si kishin gjetur edhe tek ai një “kleçkë në biografi”. Ndërsa Nikolin Xhoja, aktori brilant me origjinë italiane, ish partizani i luftës NÇL, artisti që mbeti së fundi në vetmin e tij, nga helmi i syrgjynosjes politike të të birit, jo vetëm së gjalli po edhe të vdekur, duke mos e qasur partiakët as në fuajen e teatrit arkivolin e tij, për t’i dhënë nderimet e fundit!… Paradokse të kohës, për të tre këta artistë të mëdhenjë, që meritojnë të jenë me domosdo “NDERI I KOMBIT”, nga të parët, të kenë emrat e shënuara nëpër teatro, bulevarde, rrugë e lulishte.

Ata e të tjerë si këta, duhen respektuar e nderuar nga vetë teatri e pastaj nga shoqëria e shteti. Nuk më tha askush që të shkruaj një libër për njerin nga themeluesit e Teatrit Popullor, për MIHAL POPIN. As më paguan, po edhe as më falenderuan për këtë nismë vetiake. Isha ende student dhe e adhuroja këtë artist të bëshëm e me humor skenik.  Dhe kur bëra dy mijë km. rrugë, nga Athina në Tiranë, për t’i dhuruar një kopje njerit prej ish drejtorëve që ndrroheshin shpesh të këtij teatri (sa herë që bëhej rotacioni partiak!) dhe i popozova që të bëhej promovimi pikërisht në këtë teatër, ku Mihal Popi ngrysi gjithë jetën e tij, ai as që reagoi fare, duke parë murin që kishte përpara e tha pa më shikuar fare: “Bëje… Gjeje një sponsor dhe bëje… Nuk kam kundërshtim”! Mua sikur më rra tavani mbi krye! E as mi hodhi sytë fare, ky tip antiartist, që hiqej si artist i famshëm ngaqë lozte veten në disa filma rresht(?!) dhe më bëri të ulë kokën e të iki i fyer, duke zbritur ato shkallë druri të grryera nga motet… Më pas do të shkruaja librin per kolegun e Mihalit, Naim Frashërin, të cilin e kisha jo vetem profesor, po edhe mik e komshi. E prisja gjithmone pas shfaqjeve dhe e bënim së bashku rrugën, duke shpalosur tek unë, studenti i tij, gjithë dertet që kishte. Dhe lumturohesha tek shkruaja për të. Nuk i kërkova askujt të më ndihmonte. Sepse e doja shumë, si artist e si njeri… Eh! Qe kaq shumë i thjesht komshiu im, që iku edhe kaq papritur. Nuk do ta interpretonte më Hamletin e Shekspirit, Ferdinandin e Shilerit, Xhaxha Vanjën e Çehovit, Gjeneralin e Kadaresë dhe Jonuz Brugën e Pitarkës, ku ai shkëlqente si aktor pasionant!… Fill pas tij shkruajta librin për Margarita Xhepën, së cilës iu luta të trokiste te një  ministër e te kryetari i atëhershëm i Bashkisë, që të ndjeja edhe unë kënaqësinë e punës krijuese, kur nuk kishim asnjë të ardhur. Mandej nuk qe aspak e lehtë zhytja në krijimtarin e artistit, në vlerat e aktrimit, nga njeri rol në tjetrin, nga njera shfaqje në tjetrën, si edhe nga njera periudhe shoqërore në tjetrën. Sidomos kjo për Margaritën. Kërkova nga institucionet shtetërore për të më mbështetur, si për botimin e këtij libri, ashtu edhe për promovimin e tij. Titullarët e pritën me nderime Margaritën, që ishte rropatur së recituari në të gjitha sheshet e podiumet e Republikës për këto dite që kemi sot, por e përcollën fare pa gjë, vetëm me fjalë “të bukura”, ndërsa mua që e shkrova librin as që më përfillën fare! As Bumçi si Ministër Kulture e as Basha si Kryebashkiaku atëhershëm. Të njëjtin “fat të hidhur” pata dhe me librin e Nikolin Xhojës. Bashkia e Durrësit nuk e përfilli as promovimin e Xhojës. Dako më priti e më përcolli me fjalë të mira e me “gurët në trastë”! Teatri na lejoi ta bënim promovimin e artistit në Odeonin e tji, por bëri atë që nuk duhej bërë(!?) : nuk pranoi që të asistonte aty trupa e aktorëve… Medet! U shkëput prej tyre vetëm Margarita  Xhepa që kishte një rol me ta, për ta nderuar së fundit herë, ish kolegun Xhoja. Aty erdhën dhe gjithë kolegët pensionistë, me lot në sy, për partnerin e tyre të shkëlqyer. Pas këtij promovimi të drejtuar me dinjitet e kulturë nga Teuta Dhima, desha ta çoja tufën time të luleve në varroshin e te ndjerit artist, bashkë me regjisorin Haxhi Rama e disa miq të tjerë, të tijët e të mitë. Po qe e kotë! Varroshi i të madhit Nikolin Xhoja, qe i mbuluar nga ferra të shumta, që donin një ditë të pastroheshin…

Ca me keq akoma, kur monografinë për Mihal Popin, i cili sapo kishte dalur nga shtypi u dha urdhëri të asgjësohej e të kthehej në brumatriçe, fill si u mbyll Fetivali Kombëtar i Teatrit e u dha për shfaqjen “NJOLLAT E MURME” pretenca e burgimit tim pas zemërimit të Udhëheqësit, së toku me regjisorin Mihal Luarasi e autorin Minush Jero… Kjo ngjarje do mbahet mënd nëpër breza se si mund të ndëshkohej fjala e lirë dhe mund të dënoheshin krijuesit vetëm për një shfaqje teatrore! Ndërsa për SANDËR PROSIN, portretin e tij e shkrova dhe e kam si reliken më të shenjtë, ngaqë, sa ishte gjallë, më jepte këshilla të urta mua studentit të aktrimit, që mora guximin ta kritikoja atë për rolin Otellos në gazetën “Drita”, me qetësinë e tij olimpike, me madhështinë  e tij si njeri e si artist. Se unë i bëja edhe një vrejtje të padrejtë për Arapin e Venetikut. Që të tre ishin pa shkollë të lartë, po ata qenë ngritur në majat më të larta të Artit Shqiptar, me vlerat e tyre universale, me talentin organik e të mëvetshëm, sa të natyrshëm aq edhe të madhërishëm. Dhe unë munda të mësoja shumë të fshehta të artit të aktrimit prej tyre!

Unë i shoh tani këto tri portrete dhe ngazëllehem kur mendoj se si i “ka puqur ZOTI” këto tre IKONA të arta të artit tonë skenik,-shembëlltyra të përkyera e modele studimi për studentët tanë të arteve të cilët, kur i promovova në Universitetin e Arteve të pesë librat monografike për ta, erdhën fare pak  prej tyre të dëgjonin të paktën, apo edhe t’i kishin të tyre librat që i dhurova (duke e ditur se në Bibliotekën e Institutit nuk kishte asnjerën prej tyre), po pinin kafe e ngroheshin në diell në oborin përballë afishes  me portretet e tyre. Për të mësuar ca më tepër për Mihal Popin, ish komikun e madh të Kinema “Glorias” në vitet tridhjetë dhe Ser Xhon Fallstafin e pakrahasueshm të Shekspirit dhe Borgjezin fisnik të Molierit në vitet gjashtëdhjet. Si edhe për mishërimin  e shkëlqyer që u bëri në skenë të dy prefektëve, të Gogolit e te Levonjës, për të bërë edhe krahasimin  me konceptet e sotme të ndrimit të realitete. Për peronazhinn fisnik të Horatit të Shekspirit, të Dr. Astrovit të Çehovit te “Xhaxha Vanja” dhe figurën e bukur të Ismail Qemalit,- interpretuar me nje dimension artistik të përkryer nga Sandër Prosi. Apo për figurat e përsosura komike që krijoi e i lartësoi perjetësisht nga Çehovi, Gogoli e Levonja, i madhi Nikolin Xhoja…

Ju shihni në njerën prej këtyre fotografive se si ai, Mihali, ka interpretuar para kolegëve,-rast i veçantë e i marrëdhëniesh midis artistëve kolegë, që gëzohen për krijimtarinë e njëri- tjetrit. E është Sandri që i jep tufën me lule kolegut të Teatrit Popullor, ndërsa Nikolini e ndjek me vështrimin përdëllyes idhullin e tij Mihal Popi, të cilin e kanë vendosur në mesin e tyre shoqia ime e klasës Aishe Stari me aktoren tjetër Lumturi Dashi qe  i përgëzohen Mihal Popit, për të marrë,- ndofta, diçka edhe nga hija e tij, që mbetet e përjetshme!

Shkruar në Athinë, 19 janar 2022.

Please follow and like us: