Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Koeficienti politik i Kurtit

Ekziston një e vërtetë – se Albin Kurti në asnjë temë të interesit publik nuk është i vërtetë.
Është tinëzar dhe i pabesë.
I tillë ishte me kryetemën e madhe të shqiptarëve – bashkimin kombëtar – me të cilën abuzoi me arrogancë, duke e banalizuar.
I tillë është tani kur shtiret se po e ruan republikën e demokracinë.
I tillë ishte kur shtirej se nuk e donte republikën e flamurit lara-lara.
I tillë është sot kur i blatohet të njëjtës republikë e të njëjtit flamur.
Tanimë duket qartë se me qeverinë Albin Kurtit asgjë nuk bëhet mbarë dhe nuk shkon mbarë.
Sepse, qeverisia e tij është pjellë e një ideologjie të mbrapshtë. Është qeveri e mllefit, arrogancës dhe zemërimit.
Rrjedhimisht, koeficienti i përcaktuar sot nga qeveria, tregon një të vërtetë tjetër të ankthshëm politike: sa i varfër e i mjerë është koeficienti i moralit politik të Kurtit. Për më tepër, krejt mënyra se si është mbajtë fshehtë deri me sot, mënyra si është predikuar me epsh si tregim suksesi – është pasqyrim i krejt asaj që po ndodh në Kosovë.
Ky koeficient është koeficient i varfërisë së përgjithshme, para se gjithash, varfërisë shpirtërore, që manifestohet ashpër në të gjitha fushat e jetës e sidomos ndjehet ankthshëm në raportet e acaruara ndërmjet Kosovës e perëndimit në përgjithësi dhe Kosovës e Amerikës në veçanti.
Kosova kurrë nuk ka qenë më e izoluar, sepse Kurti me koeficientin e tij të mjerë politik i ka acaruar raportet me perëndimin.
Kosova kurrë nuk ka pasë më pak shpresë, sepse Kurti me koeficientin e tij të mjerë politik, prej se qeverisë tregon se di të jetë arrogant e injorant i përzhitur nga ideologjia komuniste.
Një rënie kaq të frikshme politike, as kundërshtarët e armiqtë e Kosovës nuk do të mund ta imagjinonin.
Dhe më tragjikja e krejt kësaj është se koeficienti politik i Kurtit ka ndikuar që në Kosovë të flitet hapur kundër Amerikës.
Thjesht, për antiamerikanizmi në Kosovë kush më shumë nuk është meritor se Kurti dhe lëvizja e tij e intrigave ideologjike.
Me një fjalë, Kosova është në duar të njerëzve me koeficient të mjerë politikë, në duar të një tufë injorantësh që pos zemërimit e urrejtjes deri me sot nuk kanë treguar vlerë tjetër.
Please follow and like us: