Albspirit

Media/News/Publishing

Brunilda Spiro: Bukuroshet natyrale që trondisin jetët njerëzore

“Janë hapur klinika për t’u shëmtuar bukuroshet”.

Për mua që jam rritur në një vend burrëror, dobësia dhe dashuria ndaj meshkujve duket si gjëja më e natyrshme. Kjo dashuri merr përmasa mitike, sidomos kur mpleksen e djeshmja dhe e sotmja.

E djeshmja me thënien me tragjike të popullit: “Kur lind vajza, qajnë e trarët e shtëpisë”.

Ndërsa e sotmja me tragjedinë që po ndodh si diçka krejt e natyrshme, abortet në masë të embrioneve femërore para se të lindin.

‘Merita’ e teknologjisë që sheh embrionin para afatit të lejuar të një aborti bën që statistikat e lindshmërisë të shkojne në favor të meshkujve.

Gjithashtu shumica e grave që njihja e kam pasur pranë, kanë qenë gra që punonin njësoj si burrat në ‘punën e qeverisë’ siç e quante shpesh gjyshja ime dhe pjesën tjetër të ditës punonin me orar të plotë si shtëpiake, edukatore ose mësuese të fëmijëve të tyre.

Prandaj kur më pyesnin çfarë do bëhesh kur të rritesh unë përgjigjesha me vrap, oficere. Të them të drejtën nuk e kujtoj se përse doja oficere, por mendoj se meqënëse të gjitha gratë duhej të punonin si burrat, të paktën do bëhesha si babai im dhe ëe vishja kostum të bukur dhe jo kominoshe si të tezes së madhe, e cila punonte në shtrimin e hekurave.

Mbaj mend sa keq me ka ardhur dikur, kur shkova ta takoj rastësisht në punë së bashku me nënën e saj, tezen time. Tezja ishte gjithë pluhur hekuri e ndryshku mbi kominoshet që nuk kishin më një ngjyrë të dallueshme të cohës, por më shumë më ka mbetur në kujtesë vështrimi i syve të saj jeshilë të errët, si ulli i pjekur mirë, që unë ia pëlqeja aq shumë. Syte e saj ate ditë ishin pa ngjyrë dhe qerpikët të ngarkuar me pluhurin e hekurave dukeshin si perde të palara.

Mbylla sytë dhe përfytyrova tezen time si një nga skulpturat e antikitetit greko-romak pa sy dhe me qepalla të gurta, qe iu theksonin verbërinë, po tezes çfarë i theksonin?

– Burrërinë apo mjerimin e shpirtit të ëmbël të një femre?

Pas shume viteve, në Tiranë, me ndodh herë pas here të shkëmbehem në hyrje apo dalje të pallatit, apo në ashensor me një grua e cila vishej si komuniste. Tamam kështu u thashë vajzave kur e pamë një ditë bashkë, kjo grua do ketë qenë komuniste e thekur apo sigurimse. Vajzat qeshën me mua, sidomos me emërtimin, sigurimse. Më tremb kjo grua, jo nga veshja, por nga shikimi. Të sheh vëngër dhe me inat. Një radhë më tregoi njëra nga vajzat që kjo grua i kish bërtitur se përse po lyente buzët duke u parë në pasqyrën e ashensorit. Vajza kish ikur me vrap. Kjo grua besnike ndaj parimeve deri në detaje të së kaluarës tragjike të shoqërisë sonë është maja e ajsbergut e të gjitha të këqijave që na trashëgoi ajo kohë e çmendur.

Paragjykimet jetojnë në thellësi të shpirtit tonë. Ato dalin në momente të caktuara, siç dalin shprehjet që dëgjojmë shpesh nga prindërit apo gjyshërit tanë dhe mendojmë se janë shumë arkaike prandaj nuk do i përdorim kurrë në fjalorin tonë. Sa jemi të rinj flasim me kujdes e duket sikur vërtet i kemi shmangur, por çuditërisht kur nuk e presim as vetë, në një moment që nuk e kontrollojmë më rreptësisht me vetëdijen tonë, na ‘shkasin’ pa kontroll, ato shprehje, te cilat dikur i mohonim. E njëjta ndodh edhe me paragjykimet.

E keqja përshkallëzohet në klimaks sidomos kur paragjykimet zgjohen në mënyre kolektive.

Ky rreth vicioz ku gjenden të mbërthyera bukuroshet, sikur do duhet të lajnë mëkatet e dashurisë ndaj se bukurës, po kthehet në një thikë me dy presa. Në njërën anë i shajnë dhe në anën tjetër i imitojnë ose shpenzojnë para pa fund për t’u bërë më të bukura.

Të gjendur përballë këtyre çudirave të kohës së teknologjisë më të përparuar, njerëzit po çoroditen gjithnjë e më shumë dhe nuk po ndajnë dot kush është e drejtë, të jenë apo jo të bukur?

Vajzat e bukura, me bukurinë qe u ka falur nëna natyre, më shpesh po e gjejnë vetën të paragjykuara si ‘budallaqe’ e pa vlerë dhe kam frikë se disa syresh nga sedra do shkojnë të shëmtohen, që njerëzit t’i pranojnë më me dashamirësi dhe mos i paragjykojne nga pamja.

E keni imagjinuar të ketë kirurgji plastike për t’u shëmtuar?

Më kujtohet nje thënie në një roman të shkruar nga një femër: “Ne i hamë mitet, sepse i urrejmë, i konkurrojmë se na kujtojnë se sa të vegjël jemi, sa pa trajtë, sa të përkohshëm, sa të harrueshëm”.

Kështu po hamë mitin më të vjetër në historinë botërore, mitin e bukurisë. Grekët e lashtë, filozofët dhe poetët e kanë nderuar dhe ngritur lart të bukurën. Grekët e cilësonin bekim nga Perëndia bukurinë dhe ia falnin bukurisë mëkatet, përderisa ajo ishte dhuratë e saj. Trojanët e pranuan gruan e bukur dhe e deshën si bijën e tyre, megjithëse ajo u solli shkatërrimin, pasi bukuria e saj ishte mitike. Filozofët e cilësojnë si kategoria më e vështirë, sepse pas saj fshihet misteri.

Naimi e cilëson bukurinë si vetë Perëndia dhe dashurinë si fryt i bukurisë fizike.

Po ashtu e sheh edhe Lasgushi “Dashuria lind nga bukuria fizike”.

Nëna ime e thoshte më thjeshtë: “Njeriu si ka pamjen, ka shpirtin”.

Po kush janë këta që kanë marrë përsipër të bëjnë koeficientin e zgjuarsisë së gjithësecilit?

Problemet themelore dhe njerëzit sipërfaqësorë nuk i bëri bukuria natyrale, as bisturia, me të cilën nuk jam dakord, sepse tregon sa keq po degradon e bukura e vërtete, por i bëri lakmia për para dhe pushtet e njeriut të këtij shekulli fantazmë.

Unë si mësuese letërsie e di mirë që të jesh i aftë të flasësh në publik apo para një mikrofoni nuk do të thotë që je i zgjuar, mund të kesh aftësi artikulimi, por nga ana tjetër mund të thuash një tufë me budallallëqe. Nga ana tjeter ndodh që ndonjë syresh megjithë që ka shkruar shkëlqyer tekstin, sidomos tekstin argumentues që kërkon leksik të mirëorientuar dhe aftësi logjike të larta, nuk deshiron ta lexojë para klasës, publikut në këtë rast, por kjo nuk e bën më pak inteligjent.

Po e mbyll me thënien lapidare të semiotikut të shquar italian, Umberto Eko: “Mediat sociale u kanë dhënë të drejtën e fjalës edhe budallenjve”.

https://newsin.al/ne-i-hame-mitet-sepse-i-urrejme-i-konkurrojme-se-na-kujtojne-se-sa-te-vegjel-jemi-sa-pa-trajte-sa-te-perkohshem-sa-te-harrueshem-nga-brunilda-spiro/?fbclid=IwAR2I8QTy-kc-P4gCOmDhPmwF2pMrQjywTrTL7ynwuMcC90Q-ylLrO6lK4aM

Please follow and like us: