Albspirit

Media/News/Publishing

Dokrrat patriotike të Vetëvendosjes dhe të udhëheqësit të saj i përgënjeshtron e kaluara e saj

Ndue Ukaj
Dokrrat patriotike të Vetëvendosjes dhe të udhëheqësit të saj i përgënjeshtron e kaluara e saj.
Ata që kanë abuzuar në emër të kauzës shekullore shqiptare për bashkim, nuk ka se si të mos e abuzojnë me asociacionin për hir të pushtetit.
Ndryshe, nëse vërtet Kosova duhet të mbrohet nga Amerika e perëndimi, vaj halli për të.
E vërteta e madhe është se Kosovës nuk i vjen asnjë rrezik nga Amerika e perëndimi dhe këtë duhet ta thotë secili që e do vendin e vet dhe jo një aksh lider.
Të tentosh të arsyetosh të kundërtën, domethënë t’ia vësh kazmat shtetit të Kosovës.
Sot në Parlamentin e Kosovës, u krijua një melodramë primitive politike.
Udhëheqësi nuk dha asnjë argumet politik e logjik, asnjë shpjegime racionale, por me epsh e me zë të lartë, la të kuptohet sikur kundër Kosovës po bëhet një komplot politik.
E para, kjo nuk ka sesi të jetë e vërtetë, e dyta frikshme dhe e treta është intrigë e gërditshme dhe bëhet për efekte elektorale.
Goditjet kundër përfaqësuesit amerikan janë skandaloze dhe të neveritshme.
Udhëheqësi sot ishte i çarmatosur nga argumentet politike, prandaj e mundonte gurmazin tek përpiqej të krijonte melodrama tallava për të “justifikuar” platformën false politike me të cilën ka ardhur në pushtet.
Dhe krejt ajo furi e debatit nuk bëhej për t’i kthjelluar punët e vendit, e as për ta mbrojtë Kosovën, por për t’i mbajtë të bashkuara e të eksituara tufat e militantëve – që të mos e braktisin profetin shpëtimtar.
Sepse, për udhëheqësit nuk ka trishtim më të madh se kur shohin se turmat po i braktisen.
Problemi më madhor i Kosovës është asociacioni i mediokërve që për çdo dështim kanë një justifikim, që urrejtjen kundër të tjerëve e kanë më të madhe se dashurinë për vendin.
Një kryeministër që flet me mllef kundër gjithkujt, që nuk tregon asnjë alternativë politike, por vetëm justifikohet dhe godet, është një kryeministër shterp dhe i padobishëm për vendin. Për më tepër, është i rrezikshëm.
Please follow and like us: