Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: Digje shpirtin, o njeri!

 

Digje shpirtin, o njeri

Si një zjarr në erë!

Dhe shpërnda veç ngrohtësi,

Për njerëz të tjerë!…

 

Mos kërko në këtë jetë,

Vetëm pasurinë!

Digje shpirtin, o njeri,

Digje për njerinë!

 

Rend njeri drejt mirësisë,

Dhe kurrë mos u ndal,

Nëse s’bëhesh dot shenjtor,

Të mos bëhesh djall!

 

Digje shpirtin tënd të bukur,

Kurrë i qetë mos rri!

Digje siç digjet qiriri,

Në kishë a xhami!

 

Digje shpirtin tënd të bardhë,

O njeri i mirë,

Siç digjet një meteor,

Nëpër errësirë!

 

Digju shpirtin, o njeri,

Si bari në gusht,

Sepse bota jonë e akullt,

Ka nevojë për prush!

 

Përballë dhimbjes së dikujt,

Mos qëndro në heshtje!

Dhe atje ku të urrejnë,

Shpërnda buzëqeshje!

 

Kur ka njerëz të lënduar

Derdhe një pikë lot!

Se kjo botë më ligësira,

Është e mbushur plot!

 

Digje shpirtin, o njeri,

Shpirtin tënd të lirë!

Që kjo botë mos të ngjajë

Si një egërsirë!

 

Digje shpirtin, o njeri,

Shpirtin e zhuritur!

Jep pak ujë kur ka të etur,

Bukë për të uritur!

 

Bëje botën më të bukur,

(Bukuria rroftë!)

Nëse vë një gur për mirë,

Zoti të bekoftë!

 

Digje shpirtin, o njeri,

Digje natë e ditë,

Sepse bota është e errët,

Ka nevojë për dritë!

 

Digje shpirtin, o njeri,

Veç për më të mirën!

Dhe kur s’mund të bësh dot dritë,

Mos mbill errësirën!

 

Digje  shpirtin, o njeri,

Se kështu ke vlerë!

Digju, o njeri i zotit!

Digju për të tjerë!…

Please follow and like us: