Albspirit

Media/News/Publishing

15-vjetorit i pavarësisë së Kosovës me patriotin shqiptaro-amerikan, Jim Xhema

Kremtimi i 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës së bashku me patriotin shqiptaro- amerikan Jim Xhema

Dr. Vlora Obertinca

Më 16 Shkurt 2023, në Prishtinë u kremtua 15-vjetori i pavarësisë së Kosovës. Askush nuk do ta mendonte në mars të vitit 1999 se, Kosova do të bëhej shtet i pavarur dhe sovran. Por, ja që nganjëherë armiku ia del huq ndaj prognozave dhe planeve të veta, si në rastin e Serbisë. Ndoshta, edhe këto plane famëkeqe të Akademisë së Shkencave serbe në krye me Vasa Çubrilloviçin do të ishin realizuar që moti, po mos të ishin djemtë tanë të cilët nga represionet politike serbe, migruan në SHBA për të shpëtuar jetën e tyre. Ata migruan atje për të shpëtuar jetën dhe për të fituar kafshatën e gojës, por nuk e harruan atdheun e tyre asnjëherë. Nuk i përshkruan lapsi as mendja më e ndritur vuajtjet e djemve të rinj shqiptare të cilët emigruan nën rrethana ilegale për të hyrë në tokën që premtonte  – Amerikën. Disa të fshehur në furgona, disa në anije, disa në bagazhe të makinave, e disa duke notuar nëpër ujëra të rrezikshme, mbijetuan disi  dhe arritën të shkelnin në tokën amerikane, ndonëse pa para, pa familje, pa kulm mbi kokë, pa ditur gjuhë, arritën disi të gjindeshin duke bërë punët më të rënda për të siguruar kafshatën e gojës. Andaj nuk thuhet kot se, paraja e kurbetqarëve tanë është e shenjtë sepse është fituar me djersën e ballit.

Djepat e nënave shqiptare nuk heshtën së përkunduri djem e vajza ndër shekuj, të cilët u rritën dhe gjithmonë u edukuan nën frymën e atdhe dashurise, duke mos sakrifikuar asgjë nga vetja, qoftë edhe jetën e tyre për të luftuar dhe sjellur lirinë në Kosovë dhe në të gjitha trojet etnike shqiptare. Dhe jo më kot, në një moment dëshpërues nga humbja e luftës në Kosovë, kryetari i Akademisë së Shkencave serbe Vasa Cubriloviq kishte deklaruar se “na mundën nënat shqiptare me djepat e tyre”.

Një nga ato duar të shenjta të nënave shqiptare që përkundte djepin, ishte edhe nënë Kada e Jim Xhemës, patriotit  shqiptaro–amerikan që hyri në historinë shqiptare për kontributin e tij të dhënë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ai shkriu pothuajse gjithë pasurinë e tij që e kishte krijuar me dekada, për të lobuar në Senat, Kongres dhe Departamentin amerikan të Shtetit, në mënyrë që të senzibilizohej opinioni dhe politikanët amerikanë, në lidhje me padrejtesitë dhe gjenocidin mbi popullin shqiptare të Kosovës nga ana e shtetit serb.

Jim Xhema nuk rreshti së punuari natë e ditë për çështjen kombëtare të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve në trojet e tyre etnike. Të gjithë e dinin se ku gjindej shtëpia e bardhë në Washington, por vetëm Jim Xhema kishte qasje në atë shtëpi ku krijohej dhe mbrohej rendi dhe ligji demokratik botëror. Ndonëse, kishte dhënë shumë për Kosovën, hera e parë që shkeli tokën e saj, ishte me rastin e varrimit të presidentit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në janar të vitit 2006. U desh të kalonin 17 vite për të ardhur sërish në Kosovë dhe këtë herë me rastin e kremtimit të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, si njeriu më meritor për këtë ngjarje historike.

Ardhja e Jim Xhemës në Kosovë dhe e gjithë lobit shqiptaro-amerikan, ishte shumë emocionuese për të gjithë pjesëmarrësit në të gjitha evenimentet që u organizuan për nder të pavarësisë dhe për nder të pranisë së heroit tonë kombëtare Jim Xhema.

Momenti i emërimit zyrtar të një rruge të rëndësishme të Prishtinës me emrin e tij, në prezencën e tij ishte madhështore. Fjalimi i tij drejtuar studentëve, akademikëve, profesorëve, politikanëve, në Universitetin UBT, në praninë e Kryeministrit Kurti, ministrave të kabinetit të tij, rrjetit të bizneseve shqiptare të diasporës, Federatës Panshqiptare ‘Vatra’ dhe intelektualëve  të shquar nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora, e bëri fjalimin e tij një fjalim impozant të shkruar me shkronja të arta, një trashëgimi kulturore dhe historike, që do të mbahet mend gjeneratë pas gjenerate, sa herë të kremtohet pavarësia e Kosovës.

Shtrëngimi i duarve dhe përqafimet vëllazërore të Jim Xhemes me të gjithë patriotët shqiptarë, me shumë dashuri dhe përkushtim, posaçërisht me Kryeministrin Kurti i cili i qëndronte afër dhe e shikonte në sy me admirim dhe respekt të veçantë, ishin më tepër se krenari e përcjellur me emocione të pa përshkruara për ta dhe të gjithë të pranishmit.

Shoqërimi i Jim Xhemës nga patriotët shqiptaro-amerikanë nuk mungonte në çdo hap, e posaçërisht nga kryetari i federatës panshqiptare ‘Vatra’, Dr. Elmi Berisha, i cili për nder të tij, për nder të Kosovës dhe për nder të Amerikës, bëri çdo gjë rreth organizimit të evenimenteve akademike, organizimit të takimeve të rangut me përfaqësuesit më të lartë shtetërorë kosovarë e deri te pjesëmarrjet në kremtimin e ditës së pavarësisë në ambasadën amerikane në Prishtinë. Ngjarje kjo që ndodhi për herë të parë, të kremtohej kjo ditë e shënuar me një program muzikor nga ushtarët amerikanë që shërbejnë në Kosovë e deri te këndimi i disa këngëve nga vetë ambasdori amerikan.

Kosova brenda vitit shënon dy kremta të mëdha, ditën e pavarësisë së Kosovës dhe ditën e pavarësisë së shtetit amerikan sepse Amerikën dhe amerikanët i konsiderojmë si popull vëlla që na ndihmuan për t’u rikthyer në Kosovën e lirë.

Gëzuar Kosovë 15-vjetorin e pavarësisë!

Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin shqiptar, Zoti e bekoftë Amerikën dhe popullin amerikan bashkë me aleatët e saj.

Please follow and like us: