Albspirit

Media/News/Publishing

Milan Shuflai: Ilirët dhe Helenët. – Tri zona bërthamash të fiseve ilire

Ilirët dhe Helenët. – Tri zona bërthamash të fiseve ilire. – Me okupimin romak u shkrinë formimet parësore të fiseve

Në kohën e vjetër kjo anë ishte e mbuluar me një shtresë fare të vogël lëvizëse ilire e cila shtrihej përgjatë bregdetit adriatik nga Epiri deri në Panoni në veri kurse në lindje kufizohej me sagën oriase-thrakase. Në shek. IX p. K. një degë (Mesapët dhe Japigët) e këtij trupi u zgjat në Italin jugore.
Ilirët, sikundër edhe thrakasit, ishin të ndarë në shumë njësi të vogla. Këto ishin më të shumtën fise luftarake barinjsh të cilat lëviznin ndërmjet kullotave dimërore dhe verore duke qenë në luftëra të vazhdueshme të cilat linin mbrapa shkretime (deserta Dardanie), ndërsa selitë e tyre të banimit të ngritura në vende të larta për armikun ishin “pothuajse të papushtueshme”. (Pirustët).
Megjithatë ndërmjet këtyre formacioneve të fiseve homogjene mund të vërehen qysh herët ndryshime të thella të cilat i shkaktoi në radhë të parë ndikimi kulturor i helenëve. Intensiteti i këtij ndikimi ishte në përpjesëtim me gjërësinë gjeografike. Ndërsa në veri vala kulturore greke prekte vetëm bregdetin adritatik në Shqipërinë Jugore ajo depërtonte thellë në tokën ilire. Si vatër e kompleksit të madh të vendbanime helene këtu paraqitet qyteti i Apollonisë që ishtë në kontakt të ngushtë me Korkirën, Durrësin, Biliden dhe Amantën e greqizuar si dhe me të gjithë vargun e qyteteve të tjera (relique finitimae civitates).
Siç duket Ilirët e jugut i ngritën qysh herët vendbanimet e tyre në terrene shkëmbijsh. Të tillë mund të shihen edhe më në veri në Bosnje afër Glasincit, midis Stollcit dhe Lubinjes, në kodrën Kiçeno përgjatë Neretvës. Deri më sot në Shqipëri nuk ka kurrëfarë gjurme të tyre. Si tip i qytetit të vjetër fisnor ilir, në jug mund të merret Medoni në rrethinën e kuçëve të sotëm në Malin e Zi lindor i cili përndryshe edhe në kohën më të re është kështjellë e rëndësishme me mure ciklopike, një ndër kështjellat e rralla të rruzullit tokësor, historia e së cilës e ka zanafillën para 20 shekujsh. Ky është Medeoni, Meteoni i Polibit dhe Livit, në trevën e fisit të Labeatëve, ku legati romak Piperni në vitin 168 e p. K. zuri rob gruan e mbretit ilir Gencit së bashku me të bijtë. Qyteti tjetër ose kështjella e po këtij fisi ishte Shkodra, më vonë seli e mbretërve ilirë që ishte e fortifikuar nga natyra (minitum situ naturali oppidum), me mure e pirgje dyersh.
Tek fisi fqinj i dokleatëve në kodrinat e Malit të Zi janë konstatuar para pak kohe mbishkrime të këtyre qytetesh fisesh: aty ku bashkohet Moraça dhe Zeta që më vonë u bë një qytet i madh romak dhe kështjella Salthua tek fshati i sotëm Vilusi në afërsi të Grahovës. Atëbotë, në kohën paraflaviane në këto kështjella të cilat ishin nën protektoratin romak qëndronin dy krerë (princeps) të cilët ishin vëllezër, sëbashku me të bijtë. Emrat e tyre tingëllojnë në ilirishte të pastër. Qytet i këtij fisi ishte në fillim siç duket edhe Perasti, vend ne gjirin e Rizanit i cili përmendet vetëm nga viti 1330, mirëpo emri i tij mund të lidhet me Pirustët ilirë, pastaj Sarda (cives Sardeni) në brrylin e Drinit në lindje të Shkodrës, ndërsa në mesjetë (1291) qyteti i përtërirë peshkopor Sappa, në krahinën e Zadrimës. Edhe emrat e këtushëm të kujtojnë Sardeatët ilirë më ne veri, përkatësisht Sapejët thrakas.
Në kohën e okupimit romak të këtyre krahinave në mbarë popullsinë ilire mund të dallohen tre zona: zona jugore me kolonitë helene dhe qytetet ilire të greqizuara (Amantia, Byllis), zona e mesme në veri të Durrësit dhe Lezhës me kështjellat fisnore dhe dinastike të gurit si dhe më në fund zona boshnjako-dalmatase e fiseve bërthamë të qyteteve të krahinave me hendeqe.
Në zonën e mesme u krijua mbretëria ilire e Agronit, Teutës dhe pasardhësve të tyre në shek. III dhe II p. K. me qendër në Shkodër e cila përfshinte edhe gjirin e Rizanit. Luftërat e gjata të përgjakshme me romakët ndikuan shumë në seleksionimin e elementëve të zbutur të formacioneve të fiseve ilire. Kështu u dobësua kjo racë jashtëzakonisht luftarake; në Dalmaci, në kohën e Augustit ajo pothuajse u zhduk krejtësisht. Sikundër tregon shpërngulja e pirustëve nga malësitë e Drinit në Daki në kohën e perandorit Trajan administrata romake i nënshtrojë shtresat etnike me forcën e saj. Në shek. VI mbarë njisitë ushtarake ilire (numerus felicium Illyricianorum) ishin të stacionuara në vende të huaja.
Mbi zvogëlimin e vazhdueshëm të popullsisë në thellësi të vendit dëshmon barabarsia e turmave të mëdha të njerëzve të cilat fiset ilire i ngritën në kryengritje kundër Romës në kohën e Augustit me gjithë paaftësinë e këtyre vendeve në kohën e dyndjes së popujve. Mund të merret, se formimet primare të fiseve ilire u shkrinë në retortën e administrimit civil dhe ushtarak romak. Tepricat e elementëve të pavarur u tërhoqën në male. Në luginat dhe në qytetet romake të cilat në bregdet lidheshin me kolonitë helene (Lissos, Ulkinion), ndërsa në mbrendësi të vendit me bërthamat ilire (Shkodra. Doklea, Epikaria, Sarda) si dhe ndër popullsinë ilire të zbutur dhe të shtruar filloi të përparojë romanizimi. Gjuha e sotme shqipe ndonëse marrë ngushtë nuk është gjysmëromane dhe e përzier prapseprap është e gërshetuar me elementë latinë.

Please follow and like us: