Albspirit

Media/News/Publishing

Asie Duka: Piktori që risjell portretin e poetit martir, Havzi Nela

Me madhështinë e shpirtit dhe të penelit tuaj ju keni pikturuar një njeri si: Havzi Nela, i cili mbart mbi vete, jetën dhe fatin e mijëra jetëve

 

I nderuar Zoti Freitag, i nderuar artist, më lejoni të shpreh mendimin tim, për pikturën tuaj në përgjithësi dhe veçanërisht për pikturën e fundit që ju keni realizuar për dëshmorin e demokracisë shqiptare, për të flijuarin për të përhapur dije dhe kulturë, i cili u dënua me varje nga përbindëshat e diktaturës shqiptare!

Askush si ju zoti Gazmend Freitag, nuk i ka pasqyruar në tablo, tmerret e kobshme, tē asaj kohe të përbindshme dhe mostrash që vrasin intelektualë të pafajshëm, që këpusin fijet e inteligjencës që lartësojnë një komb.

Ju z. Freitag i jepni jetë dhe frymë, i jepni përjetesi duke e nxjerrë nga errësirat e harresës, duke e mëkuar me përfytyrim, duke e njerrë në dritë drithëronjëse, përmes penelit, dorës dhe mendjes suaj, sidomos shpirtit tuaj selektiv dhe përzgjedhēs.

Ju sot jeni piktor që nuk njiheni mjaftueshëm në krahasim me atë vizualitet që shpalosni, ndoshta i nënshtruar nga harrimi dhe mospërfillja… Zēri i atyre tablove, i atyre jetëve që ju i mëkoni me shpirt përjetësie, thërret unshëm të dëgjohet jehona e tyre, të ndryshohet korsia e kohës që pret tē vdesin talentët, për tu shpallur të tillë…

Pikturat tuaja janë të gjithëkohshme, me personazhe të spikatur që ju vetëshpallin “Artist”. Arti juaj prodhon me dashuri larminë e figurave vetmohuese e sakrifikuese për njerëzimin, këtu qëndron së pari madhështia e penelit tuaj.

Ju dini t’i jepni simbolikë dhe përfaqësim rrënjëve prej nga vini, planetit në të cilin jemi mysafirë, dhe personazhëve më përfaqësonjëse, e më të vyer që ne përulemi me nderim dhe përkushtim shpirtëror, para madhështisë së tyre përfaqësonjëse të Kombit shqiptar dhe mbarë botës. Ju z. Freitag ia keni kushtuar jetën, këtyre jetëve njerëzore, që kalojnë në altarin më të lartë të epokave, këtyre titanëve të veprimit e mendimit botëror. Sot ndoshta ju jeni tē pakonsideruar nga bashkëkohesit… por koha dhe jeta kanë treguar të kundërtën për të gjithë ato piktorë, artistë, elitarë që  janë shpallur “Të mëdhenj”.

Me madhështinë e shpirtit dhe të penelit tuaj ju keni pikturuar një njeri si: Havzi Nela, i cili mbart mbi vete, jetën dhe fatin e mijëra jetëve. Një artist i përkushtuar si ju z. Freitag, që harron vetveten…

Askush deri më sot nuk ka realizuar diçka të vyer, pa u mbyllur në studio, pa u përkushtuar, pa u vetmohuar.

Jam e bindur që piktura dhe puna juaj do zërë vendin që meriton në altarin e gjithkohjes.

Uroj që sytë dhe mendja e elitave dhe kritikëve, të vëzhgojnë, të analizojnë dhe të gjykojnë mbi këtë frymë dhe djersë që derdhet mbi pëlhurë, për hir të njerëzimit, pa pritur asgjë në këmbim veç mirënjohjes.

Please follow and like us: