Albspirit

Media/News/Publishing

XHAVID NIMANI, DËSHMITAR I EPOKËS NË KOSOVËN MARTIRE

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Një emër në memorien kombëtare shqiptare

Emrin dhe epokën nuk e zgjedhin njerëzit por ata shkruajnë epokë për vlerat dhe mençurinë që tregojnë në jetën njerëzore. Kështu emra të shquar të rrafshit ilirik që për hapësirën dardane kanë spikatur në shekullin e fundit janë të shumtë, sikurse janë të shumtë protagonistët e shekullit të shkuar e sidomos për hapësirën shqiptare këtej e matanë Drinat historia vazhdon, vazhdon sepse e drejta e një populli sikurse përcakton vetë maksima popullore, “e drejta zhytet por nuk mbytet”. Dhe përtej vuajtjeve dhe sakrificave shqiptarët e Dardanisë ditën të ngrihen mbi rregjimet dhe të shpalosin mençuri dhe mbiletesë përballë shekullit të dhunshëm të XX-të, shekull që për Kosovën tonë, Dardaninë tonë erdhi më 1999 si viti që mbyllte “të ligat”, mbyllte shekullin dhe mijëvjeçarin, që solli lirinë e një populli që ishte dhhimbja e madhe e shekullit. Por në mësin e shekullit të kaluar Kosova kishte një elitë njerëzore, ku spikaste një djalë i ri që e donte fort vendlindjen, popullin e tij, Xhavid Nimani, që spikaste si një ndër intelektualët eruditë dhe vizionarë, që kërkonte që rrethanat komplekse të kohës ti kthente në favorin e popullit të tij. Referencat për Xhavid Nimanin gjenden jo vetëm arkivave e enciklopedive, në shkrime të shumta të shkrimtarëve, gazetarëve, historianëve, por hodha vështrimin e parë tek Robert Elsie, “Fjalor historik i Kosovës”, që detajon pak rreshta si esencë enciklopedike: “Xhavid Nimani (1919-13.12.2000), figurë politike e periudhës komuniste, u lind në Prizren dhe në fillim punoi si mësues. U kyç në lëvizjen komuniste jugosllave në vitin 1941 dhe u bë anëtar i byrose politike të partisë për Kosovën në vitin 1948. Në vitin 1949 kaloi në ko mitetin qendror serb dhe një vit më vonë u bë anëtar i kryesisë federative. Në vitet 1961-1963 ishte sekretar organizativ i partisë në Kosovë dhe nga viti 1963 deri më 1966, anëtar i komitetit ekzekutiv të partisë në Serbi. Si zyrtar qeveritar, Nimani ishte deputet në kuvendin federativ në vitin 1953 dhe punoi në komitetin e këshillit federativ për ekonominë nga viti 1954 deri më 1961. Në vitet 1963-1967 ishte zëvendës kryetar i kuvendit të Serbisë, ndërsa në vitin 1967 u bë zëvendës kryetar i kuvendit federativ jugosllav. Nga maji 1974 deri në gusht 1981 ishte kryetar i kryesisë, ose president i Kosovës. Karrierës politike të Xhavid Nimanit i erdhi fundi në vitin 1981, kur u detyrua të jepte dorëheqjen gjatë spastrimeve që vijuan pas kryengritjes së atij viti në Kosovë”. Por rreth figurës së tij një vështrim tejet interesant është publikuar edhe nën titullin “Xhavid Nimani – ish normalisti që drejtoi për shtatë vite Kosovën si krahinë autonome” më 28.12.2022 nga  Mjeshtri i Madh Halil Rama dhe Hajri Mandri, që hedhin dritë mbi një intelektual dhe politikan, lider i klasit të lartë që drejtoi në rrethanat nga më të vështirat të kohës. Ndërkohë që motorri gjigand i “google”, gjen mjaft pak të dhëna për këtë intelektual të klasit të lartë dhe që kufizohet vetëm në vetëm pak radhë: “Xhavit Nimani (1919 – 2000), aktivist dhe luftëtar në LIIB, shqiptar nga Kosova. Xhavit Nimani në mars të vitit 1974 u emërua në në postin e sapo krijuar, në postin e Kryetarit të Kryesisë së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Në këtë post qëndrojë për 7 vite, deri më shpërthimin e demonstratave që në atë kohë ish rregjimi serb i quante “kundër-revulucionare”. Disa muaj më vonë, në gusht, në këtë postë u emërua Ali Shukriu”. Ndërkohë Prof. dr. Agim Zogaj flet për “Xhavid Nimani – dëshmi për një epokë, 1945 – 1981”, dhe në fakt është e drejtë për ta quajtuar ashtu sikurse është në të vërtetë një “Dëshmimtar epokal”, që flet për të vërtetat historike të Dardanisë së përtej lumit të Drinit. Fakt është se Xhavid Nimani nuk ishte vetëm dëshmimtar dhe protagonist të një epoke por edhe një emër i respektuar në memorien kombëtare shqiptare.

21 liderat që kanë drejtuar Kosovën (1945-2023)

Nëse i hedhim një vështrim spektrit intelektual që kanë drejtuar Kosovën na bie në sy se lidershipi është i detajuar nga historiografia shqiptare dhe jo vetëm. Drejtimi i Kosovës në vite pas luftës së Dytë Botërore ishte si më poshte: Fadil Hoxha (1916-2001) nga 11.7.1945-20.2.1953 si dhe një mandat i dytë nga 24.6.1967 deri më 7 Maj 1969; Ismet Shaqiri (1918–1986), nga 20.2.1953 deri 12.12.1953; Dordije Pajkoviç (1917–1980) nga 12.12.1953 deri më 5.5.1956; Pavle Joviçeviç (1910–1985) nga 5.5.1956 deri 4 prill 1960; Dushan Mugosha (1914–1973) nga 4.4.1960 deri më 18.6.1963; Stanoje Akshiç (1921–1970) nga 18.6.1963 deri më 24.6.1967; Ilaz Kurteshi (1927–2016) nga 7.5.1969 deri në Maj 1974. Xhavid NIMANI (1.1.1919–2000) nga Maji 1974 deri në Gusht 1981 për shtatë vite; Ali Shukriu (1919–2005) nga gushti 1981 deri më 1982; Kolë Shiroka (1922–1994) nga viti 1982 deri në maj 1983; Shefqet Nebih Gashi nga maji 1983 deri në maj 1985; Branislav Shkembareviç (1920–2003) nga maji 1985 deri në maj 1986; Bajram Selani (1919–2019) nga maj 1986 në maj 1988; Remzi Kolgeci (1947–2011) nga Maj 1988 deri më 5 prill 1989; Hysen Kajdomçaj nga 27.6.1989 deri në 11.4.1990; Ndërsa Ibrahim Rrugova (1944–2006) i njohur vetëm nga Republika e Shqipërisë nga 25.1.1992 deri më 1.2.2000. Pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, u zgjodh kryetar Fatmir Sejdiu nga 10.2 2006 deri më 27.9.2010. Më tej pasuan Behgjet Pacolli nga 22.2.2011 deri më 6.4.2011; Atifete Jahjaga nga 7.4.2011, deri më 7.4.2016, Hashim Thaçi nga 7 prill 2016 deri më 5 nëntor 2020 datë që dha dorëheqje për shkak të konfirmimit të aktakuzës nga Haga. Presidentja e fundit në detyrë aktualisht është Vjosa Osmani nga 5 nëntor 2020 e në vijim. Liderat i nxjerr epoka historike por jo të gjithë rregjistrohen në memorien kombëtare. Veprat për shqiptarizmën rregjistrohen thellë në kujtesën e kombit, kur veprat e mira vlejnë për të ardhmen kombëtare.

Detaje jetësore të intelektualit: Ish-Kryetar i Kryesisë Krahinës Kosovës (1974-1981)

Xhavid Nimani ishte lindur më 1 janar 1919, 104 vite më parë kur shoqëria shqiptare e Kosovës e sidomos ajo e Gjakovës kalonin një krizë tejet të rëndë në ekonomi, kulturë, arsim, për të mos folur më tej edhe për atë krizë madhore që rridhte nga përfshirja e Kosovës në Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene që diskriminimi politik dhe kombëtar ishte evident përgjatë gjithë shekullit të XX. Vetëdija dhe ndërgjegjia kombëtare në një realitetit historik të egër të kësaj kohe, kur intelektualët me ndjeshmëri atdhetare u drejtuan drejt qyteteve të Shqipërisë për arsim. Kështu Xhavid Nimani, u arsimua në Shkollën Normale në Elbasan, dhe në Shkollën Teknike “Hari Fullci” Tiranë. Dokumentat flasin edhe për arsimim në Shkollën Tekniko-Bujqësore, në Elbasan, që ishte për Drejtim Teknik. Xhavidi kishte shumë shokë e miq që I bëri gjatë shkollimin në shtetin amë në trungun e shqiptarisë të shpërndarë në disa shtete por që e vështrionin Shqipërinë si shpresa dhe karta e madhe e shpëtimtarit, ndërkohë që vendi amë jo gjithmonë e justifikonte shpresën e shqiptarëve që mbetën jashtë hapësirës administrative nga “Shqipëria londineze” e 29.7.1913-tës. Gjakovarët, sikurse gjithë shqiptarët në Shqipëri, u shquan si organizatorë në luftë për çlirimin e vendit, ndërkohë që emra të mëdhenj u bënë udhërrëfyes si Bajram Curri, Niman Ferizi, Qazim Bakalli që ishin shumë aktivë në Komitetin për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës. Kapitullimi i Jugosllavisë së parë, ktheu në vendlindje shumë djem të shkolluar në Shqipëri, që u punësuan në administratë, e institucione të tjera dhe organizuan qëndresën antifashiste, ku një ndër djemtë e shqiptarëve të Kosovës ishte dhe Xhavid Nimani. Angazhimi luftën çlirimtare të Kosovës e shikonte si detyrim shpirtëror dhe se shkonte përtej ndjenjës dhe prapaskenave të SHP të UNÇJ-së. Ai e dinte mirë pazarllëqet e fuqive të mëdha që Gjakovën e tij e lanë jashtë hapësirës shqiptare në pazaret 6 mujore të mbledhjes së ambasadorëve në Londër. Shkollat shqipe dhe medreseja e Gjakovës ishin dritë shprese në errësirën e pushtimeve. Kështu mësuesit e parë nga Gjakova themeluan shkollën shqipe në Bujan, në një kohë ku mbi 90% e shqiptarëve vuanin nga plaga e shekujve nga  analfabetizmi sepse pushtimi i gjatë 527 vjeçar i osmaneve nuk lejonte shkolla shqipe.

Ndërkohë që kur kur Xhavid Nimani ishte në moshën djaloshare vetëm 22 vjeç, më 1941 në Gjakovë u hapën tri shkolla shqipe, dhe një vit më vonë më 1942 u hap normalja “Gjon Nikollë Kazazi”. Mësuesit e vetëm në Gjakovë pas LIIB përgatiteshin në  normalen shqipe, që përgatiste mësues për të gjitha viset shqiptare të Kosovës dhe më gjerë në ish-Jugosllavi. Xhavid Nimani, frymëzohej nga atdhetarë të shquar gjakovarë dhe më gjerë dhe mbi të gjitha mbante parasysh se armiqtë e kombit shqiptar, hapin e parë për likuidimin e një populli që bëjnë është të fshijnë kujtesën, traditën dhe historinë, të shkatërrojnë librat, kulturën, historinë mijëvjeçare. Prandaj ai i qëndronte besimit se kombi nuk harron historinë e vet vetëm kur ka kulturë dhe mbron fort gjuhën, kulturën dhe historinë. Që në fëmijëri dhe përgjatë gjithë kohës mësoi atë që persekutimi dhe varfërimi i bashkëkombasve të tij ishte dukshëm në sytë e të gjithëve miqëvedhe armiqëve pasi shpërnguljet në Turqi, në Shqipëri e gjetkë ishin kthyer në normë të qeverive të Beogradit. Qëndresa dhe vetëm qëndresa ishte mbijetesa që duhej të farkëtohej bindshëm tek të gjithë shqiptarët e Kosovës. Prandaj shpirti i dlirë dhe i brishtë i djaloshit simpatik Xhavid Nimani ishte brumoror me idenë e qëndresës dhe mbijetësës së një populli të martirizuar që shekujve kishte luftuar pushtuesit pakompromis. Çlirimi nga pushtuesit e huaj, për Xhavid Nimanin dhe bashkëluftëtarët e e tjerë të Kosovës gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Kosovës ishte llogorja e parë që duhej marrë prandaj dhe u inkuadrua si kuadër i luftës në kuadrin e PKJ-së. Ai e shikonte me dyshim bashkëpunimin me “komunistët” serbë e malazezë, por ai ishte thjesht një antifashist, që kërkonte lirinë e Kosovës. Një baltë e madhe u derdh për interesa të serbëve mbi luftën e Kosovarësve si gjoja “bashkëpuntorë të fashizmit, që në fakt lidhej me platformën e Naçertanjies që ishte e një fytyre të urryer sikurse edhe Megaliidhea greke, të dyja platforma antishiptare që punonin kundër shqiptarëve të Kosovës për dëbim me dhumë nga trojet amtare. Kur “Jugosllavia e Vjetër” dha shpirt, Xhavid Nimani së bashku me arsimtarë të ardhur nga Shqipëria, shërbeu mësues në Kosovë por forca e logjika e tij u shqua si organizator i lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare në Prizren dhe në gjithë Kosovën, ku mbajti detyra të rëndësishme si drejtues politik dhe ushtarak i saj, anëtar i shtabit kryesor të LNÇK, si lider për krijimin e këshillave Nacionalçlirimtare që më vonë u bënë bërthama e pushtetit lokal në Kosovë. Cila zemër shqiptare nuk ju gëzua Konferencës së Bujanit, konferencë e cila legjitimoi bashkim e Kosovës me Shqipërinë. Gjithëkush e pa si një moment historik si “parlamenti i parë në historinë e re të Kosovës”, sepse u miratua Rezoluta, për vetvendosje, që kërkonte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Tre ditët e Bujanit më 30.12.1943 dhe 1 e 2 janari 1944, legjitimoi të drejtën e Kosovës për bashkim me Shqipërinë, mbështetur në parimin e vetëvendosjes si e drejtë historike, kombëtare dhe legjitime. Fakt është se Xhavid Nimani ishte një ndër hartuesit e Rezolutës, e cila u aprovua në mënyrë unanime, pa asnjë kundërshtim. Por kur erdhi Letra e Komitetit Qendrore të PKJ-së, e nënshkruar nga Milovan Gjilasi, vinte në dyshim pjesën kryesore të Rezolutës që kishte të bënte me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe me të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për vetëvendosje. Kjo fliste qartë për një vuajtje dhe dhunë të re që do të mbulonte mbarë Kosovën. Për kohën ëndërra e bashkimit me shtetin amë ngeli vetëm një aspiratë e parealizueshme. Lufta çlirimtare e Xhavit Nimanit dhe e djemve të Kosovës nuk çoi në plotësimin e aspiratës, për më tepër synimet djallëzore të Beogradit. Çlirimi i Kosovës dhe Metohisë solli epokë të re në Kosovë dhe për herë të parë shqiptari i Kosovës zgjedh pushtetin popullor, lirisht flitet shqip, ka shkolla shqipe, lexohet dhe shkruhet shqiptarçe. Nga ana tjetër shovinizmi serb vepronte në çdo qelizë të jetës së shqiptarëve të Kosovës, prandaj dhe Xhavid Nimani me intelektualë atdhetarë ishin dyshues në atë që po ndodhte në fakt. Administrimi ushtarak i 8.2.1945, dhe Kosova dhe Metohija “i bashkohet Shqipërisë”, nëse Shqipëria hyn në Federatën Jugosllave, ishte një kurth i madh i prapaskenave serbe, se gjoja “po të mos ndodhte kjo Kosova dhe Metohija si autonomi duhet t’i bashkohen Serbisë” e bëri edhe më të trazuar situatën. Fakt ishte se “Procesverbali i sesioneve të legjistraturës së parë të Këshillit Popullor Krahinar të Krahinës  Autonome të Kosovë-Metohisë, mbajtur në Prizren me 8-10.7.1945, ishte dyshues ndërkohë që shumica ishte përzgjedhur nga shërbimi jugosllav OZN-a (Odelenje za Zashtitu Naroda – Dega e Mbrojtjes Popullore). “Miqësia” e ngushtë që treguan në vitet 1945-1948 në marrëdhëniet Shqipëri-Jugosllavi nuk shikohen me sy të mirë për formatin e përpjekjeve të bijvë të Kosovës për prosperitet dhe zhvillim të drejtë e të barabartë, ndërkohë që prapaskenat e Jugosllavëve ishin djallëzore. Miladin Popoviçi, në detyrën e sekretarit politik në 1945, por dhe prezenca e Dushan Mugoshës, Spasoja Gjakoviçit, bënë që shqiptarët Fadil  Hoxha e Xhavid Nimani, të mos ishin faktorë në marrjen e vendimeve me rëndësi historike sepse vendimmarrësit ishin serbë dhe malazezë. Një sundim i ri erdhi për shqiptarët e Kosovës nën etiketimin “udhëheqje komuniste”. Xhavid Nimani ishte dhe mbeti një politikan i ekulibruar, teoricien dhe prakticien, një drejtues që vinte nga formacionet luftarake çlirimtare, me personalitet të spikatur përballë sfidave komplekse. Ai ishte një inteligjent erudit, një lider që mund të përballonte çdo kthesë të fuqishme historike dhe të ruante për më tepër ekulibrat. Ai e njihte fitoren dhe dinte ta administronte sikurse njihte edhe humbjet, kishte nuhatje dhe mençuri politike e diplomatike, ishte përzgjedhës i faktorëve dhe aktorëve që mbështesnin kauzën e prosperitetit të vendit të tij, Kosovës. Përgjegjësinë historike që mori mbi vete e mbajti mes ekulibrave tejet të vështirë edhe me përplasje fatale etnike, të imponuar nga rregjimi gjakatar serbomadh, edhe pse ishte shpesh i akuzuar si irredentist e shqiptaromadh, ndërkohë që ai ishte stoik përballë akuzave të shumta. Inteligjenca, zgjuarsia, nuhatja politike ishin armët e Xhavid Nimanit, mjetet në kushte tejet të rënda për popullin shqiptar të Kosovës. Më 1948 Kosova ngeli tërësisht e vetmuar përballë serbomëdhenjve; në verën e 1956, u mbajt procesi i Prizrenit, që kishte si qëllim eleminimin e kuadrove kosovarë si Xhavid Nimanin, Fadil Hoxhën, Veli Devën, Nijazi Malokun, Shani Hoxhën, Ismet Shaqirin, Xhevdet Hamzën, Avdi Bakallin, Mehmet Hoxhën, e shumë të tjerë. Ky ishte një proces që drejtohej nga antishqiptari Aleksandar Rankoviç. U anashkaluan udhëheqësit e Kosovës Fadil Hoxha, Xhavid Nimani. Popullsia rregjistrohej si “turke”. Intelektualët kërkuan mbledhje të Komitetit Krahinor për kombësinë shqiptare dhe realizuan një sërë takimesh në qytetet e Kosovës. Edhe artikulimin e parë me kërkesa për republikë, vetëvendosje, barazi, flamur, simbole kombëtare ishte nismë e  Xhavit Nimani, Fadil Hoxha, Daut Nimani Gazmend Zajmi, Ismail Bajra, Bardhyl Qaushi, Asllan Fazlia dhe shumë intelektualëve të tjerë të kohës. Kushtetuta e parë e Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, më 31.1.1946, “Kosova e Metohia,” si provinca autonome në kuadër të Republikës së Serbisë, ishte pjesë e Federatës së Jugosllavisë, që në falt ligjërisht ju la Serbisë si Krahina Autonome e Vojvodinës dhe Provinca Autonome e Kosovë-Metohisë. Ndërsa mëgjithë përpjekjet më 1963 kushtetututa e RSFJ ndërron emërtimin nga Republika Federative Popullore, në Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, me 6 republika, ndërsa krahinat nuk ishin më njësi përbërëse të Federatës, por pjesë e Republikës së Serbisë.  Tre vjet më vonë më 1966 në Brione bëhet Plenumi i Brioneve, që pati rëndësi për Kosovën dhe viset shqiptare. Në këtë kuadër Kuvendi i Kosovës më 24.2.1969 miratoi Ligjin kushtetues-juridik, përtej statutit që kishte deri në atë periudhë; ndërsa më 21.2.1974 miratohet Kushtetuta e RFSJ-së, ku krahinës Autonome, Kosovës i sigurohej status i barabartë, me përfaqësues në forumet kryesore të federatës.Kosova e miratoi Kushtetutën e vet, për herë të parë më 27.2.1974 dhe një muaj më vonë në në mars të vitit 1974 Xhavid Nimani u emërua Kryetar i Kryesisë së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, ky drejtoi për shtët vjet (1974-1981) ku gjatë drejtimit të tij Kosova krijoi institucionet akedemike, universitare e arsimore-kulturore sikurse ishte Universiteti i Prishtinës, Akademia e Shkencave, Radiotelevizioni i Prishtinës, Gazeta “Rilindja”, një rrjet shkollash shqipe në gjithë Kosovën; u realizuan reforma konstitucionale, me bazë Kushtetutën e vitit 1974, u rrit niveli ekonomik, cilësia e shërbimeve në Kosovë. Kontrubuti i Xhavid Nimanit ishte jetësor intelektual elitar dhe drejtues i mençur, dëshmitar epoke. Është kjo arsyeja që nderohet e respektohet për vlerat dhe devocionin ndaj atdheut të vet, ndërkohë që edhe gjatë pensionimin pas dorëheqjes nga postet drejtuese Xhavid Nimani ngeli mbështetës kryesor i rezistencës, por edhe i rebelimit të një populli të tërë të popullit dhe intelektualëve të Kosovës për liri e pavarësi, liri që u fitua vetëm në UÇK-ja në tokë dhe NATO në ajër në vitin fatlum të 1999-tës. Ai nuk e harroi kurrë jetën e pas vitit 1981, pas dorëheqjes së imponuar, që më fakt u ndëshkua, u braktis nga ish pushteti sepse ai i përkiste popullit. Ngarkesat, përgjegjësitë, sakrificat, vuajtjet, brengat për Xhavidin ishin ngarkesat emocionale të një politikani me imagjinatë të thellë, me mendim e veprim, sypatrembur edhe gjatë luftës së UÇK-së ku në fakt Xhavid Nimani ishte në Prishtinë, dhe përjetoi bindshëm madhështinë e historisë kombëtare, dhe të idealeve të tij, idealeve të lirisë, të çlirimit dhe të fitores.

Please follow and like us: