Albspirit

Media/News/Publishing

“HOMERUN” për Rrënjët Shqiptare – Komuniteti Shqiptar nderohet nga NY Yankees

Rafaela Prifti

Në stadiumin legjendar të Bronksit u manifestua pikëpjekja e sportit, përkatësisë dhe integrimit të komunitetit shqiptar në Nju Jork. Për herë të parë Nata e Trashëgimisë Shqiptare (Albanian Heritage Night) u festua nga qindra shqiptaro-amerikanë në arenën monumentale, ku kombinoheshin bluzat me vijat e holla klasike të skuadrës me flamuj kuqezi e kapele me logon e Yankees dhe shqiponjën anash. Kjo është hera e parë që skuadra vendase ia kushton një ndeshje të tërë komunitetit shqiptar-amerikan. Një bashkësi shumë dinamike në metropolin e madh, shqiptarët e kanë përqafuar bejsbollin si sport, por edhe si simbol të identitetit të tyre të ri amerikan. Stadiumi në Bronx, lagje me prani historike shqiptare, dhe “shtëpia” e skuadrës vendase nderuan trashëgiminë shqiptare në Nju Jork “Kryeqyteti i shqiptarëve në Amerikë”, në sajë të një partneriteti me NY Yankees të mundësuar nga Rrënjët Shqiptare – Albanian Roots.

Shoqata jofitimprurëse e regjistruar në 2011 është veçanërisht e njohur si promotore e organizimit të Paradës Shqiptare në Nju Jork, që do mbahet në 20 qershor, 2026 në Manhattan. Për Natën shqiptare tek Yankees mbrëmë në 19 maj, Rrënjët Shqiptare – Albanian Roots i patën ftuar tifozët dhe mbështetësit në faqen e internetit për bileta me përfitime si qasje “VIP”-i në fushë dhe kapele ekskluzive me numër të kufizuar të New York Yankees me logo dhe shqiponjë. Mbrëmë familjet shqiptare ishin pjesë e një faqe të re historie në fushën e stadiumit, ku New York Yankees fituan 5-4 kundër Toronto Blue Jays. Përpara lojës nxënës, prindër e mësues parakaluan në një “Paradë shqiptare” brenda stadiumit. Ndër pjesëmarrësit kishte vatranë dhe Ambasadorë të Kulturës Shqiptare në diasporë si Gëzim Nika, Drejtues i Degës së Vatrës Hudson Valley dhe Angjelina Xhara, Mjeshtre e Madhe, bashkë me familjarë, të cilët ndiheshin krenarë për këtë nderim të trashëgimisë shqiptare.

Për mua, që nuk jam tifoze bejsbolli, ishte pikërisht kapelja që e personalizoi momentin. Mikesha ime, Lauren nga Boston, e bleu biletën në shenjë nderimi për familjarin e saj të ndjerë z. Ted Gregory, shqiptar-amerikan njujorkez dhe sportdashës. Nga ndeshja e fundit në stadiumin e ri Yankees, atë e bir, z. Ted dhe Michael, morën pak nga dheu i fushës për të ruajtur kujtimin e lidhjes me sportin e bejsbollit. Plotësimi i porosisë së kapeles për familjen Gregory ishte përjetim emocional i trashëgimisë për mua, ndërsa manifestimi i krenarisë shqiptare dhe mbështetja për skuadrën vendase meritojnë brohoritje që thyejnë çdo rekord.