Dy fjalë për një roman, universalitetin e tij dhe dehumanizimin
Ardi Stefa
Më pyeti sot një maturante se përse ka kaq vite që “Pallati i ëndrrave” studiohet në maturë dhe nuk ka rënë asnjëherë në provim.
Pyetja më ngacmoi dhe i shpjegova asaj dhe klasës se “Pallati i ëndrrave” nuk është thjesht një roman për Perandorinë Osmane. Është romani kushtuar çdo pushteti që ka frikë nga njeriu i lirë. Kadareja goditi çdo regjim që ushqehet me frikë. Dje ishte diktatura komuniste. Sot janë neodiktaturat me kostum europian e demokratik.
Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e tij: sa herë ndryshojnë regjimet, libri mbetet po ai, sepse mekanizmi i shtypjes mbetet po i njëjti. Ndryshojnë vetëm uniformat, fjalët dhe logot e propagandës.
Dikur diktaturat kontrollonin fjalën. Pastaj kontrolluan librat. Më pas kontrolluan mendimin. Në “Pallatin e ëndrrave”, pushteti shkon edhe më larg: kërkon të kontrollojë atë që është e pakontrollueshme, nënndërgjegjen. Ëndrrën. Frikën. Ankthin. Heshtjen. Instinktin njerëzor. Sepse çdo diktaturë e di se njeriu mund të heshtë me gojë, por rebelimi fillon gjithmonë në mendje.
Dikur kishte nëpunës të “Tabir Sarajit” që interpretonin ëndrrat. Sot ka patronazhistë që interpretojnë bindjet politike të qytetarëve. Atëherë përgjonin nënndërgjegjen. Sot përgjojnë jetën.
Këtë e paralajmëroi Orwell me “1984” me Big Brother-in që të sheh edhe kur fle. Këtë e tha edhe te “Ferma e Kafshëve” me derrat që bëhen identikë me ata që pretendonin se luftonin. Këtë e përshkroi Franz Kafka me burokracinë absurde që të shtyp pa të dhënë as shpjegim. Këtë e ndjeu Albert Camus me absurdin e njeriut të zhveshur nga kuptimi dhe liria. Dhe këtë e solli Ismail Kadare në mënyrën më therëse për shqiptarët: përmes një pallati ku mblidhen ëndrrat, siç mblidhen sot të dhënat, votat, patronazhistët, survejimet dhe dosjet elektorale.
Sepse “Pallati i ëndrrave” nuk ka vdekur. Vetëm ka ndërruar teknologji.
Sot askush nuk të pyet çfarë ëndërrove natën. Të pyesin për kë voton. Kujt i jep like. Me kë pi kafe. Kujt i shan statuset. Kush të telefonoi. Kush je. Çfarë mendon. Në vend të nëpunësve që interpretonin ëndrrat, kemi ushtri patronazhistësh që interpretojnë bindjet politike. Njësoj si në roman: individi nuk shihet më si njeri, por si material për kontroll.
Në diktaturat moderne nuk ka më nevojë të të fusin në burg apo të të presin kokën. Mjafton të të fusin në listë.
Në listën e “tanëve” apo të “atyre”.
Në listën e militantëve e të të dyshimtëve.
Në listën e vendeve të punës apo të atyre “që duhen parë”.
Ndaj çdo pushtet autoritar ka të njëjtin obsesion: ta zhveshë njeriun nga individualiteti dhe ta kthejë në statistikë. Në numër. Në votë. Në përkatësi. Ta tjetërsojë, dehumanizojë, depersonalizojë.
Dhe këtu i jap përgjigje pyetjes së sikletshme: Përse “Pallati i ëndrrave”, edhe pse është në programin e maturës prej vitesh, vazhdon të mos bjerë provim? Vallë sepse është tepër universal? Apo sepse është tepër aktual?
Nxënësi që e lexon me mendje të lirë, nuk sheh vetëm sulltanin apo diktaturën komuniste. Ai sheh edhe pushtetin modern që flet për demokraci, ndërsa ndërton mekanizma kontrolli mbi qytetarin. Sheh administratën që kërkon bindje dhe jo profesionalizëm. Sheh militantin që zëvendëson qytetarin. Sheh frikën që maskohet si stabilitet. Prandaj “Pallati i ëndrrave” vazhdon të mos bjerë në maturë, edhe pse është në program prej vitesh. Jo sepse është i vështirë. Por sepse është shumë i qartë.
Sepse maturanti që e lexon si duhet, kupton një të vërtetë të rrezikshme: çdo regjim që kërkon të dijë gjithçka për qytetarin, ka frikë prej tij.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse romani mbetet “i rrezikshëm”. Jo për atë që thotë për të shkuarën, por për atë që zbulon për të tashmen.
Ngaqë diktaturat nuk tremben nga librat e vdekur. Tremben nga librat që vazhdojnë të lexohen si pasqyrë dhe janë virus politik. Dhe mbi të gjitha kupton diçka që pushteti nuk e do kurrë në një provim mature: se qytetari i kontrolluar nuk është qytetar. Është subjekt administrimi.
Një brez që kupton vërtet “Pallatin e ëndrrave”, nesër mund të mos pranojë të jetojë brenda tij.