Albspirit

Media/News/Publishing

Kudret Isaj dhe libri “Udhëtimi i mbramë i Helenë dhe Eugen Pittard në Shqipëri”

 

Çerçiz Loloçi

Sot po promovojmë një libër të veçantë, mjaft voluminoz, kushtuar dy figurave të mëdha humaniste, Helenë dhe Eugen Pittard, që iu përkushtuan çështjes shqiptare në një moment të vështirë historik, përgatitur nga studiuesi dhe publicisti Kudret Isaj.

Libri, me një parathënie të shkrimtarit Luan Rams dhe me një hyrje nga vetë autori, është konceptuar në 33 kapituj që zbulojnë hap pas hapi gjithë veprimtarinë e këtij çifti zviceran që u rreshtua në anën shqiptare.

Autori ka shfrytëzuar një dokumentacion të gjerë sa në shtypin e kohës, aq në ato të bibliotekave të familjarëve të tyre dhe një sërë botimesh që janë shkruar për çiftin e bashkëshortëve nga Zvicra.

Helene dhe Eugen Pittard, në faqet e këtij libri, kanë pasur kontakte me një varg personalitetesh të shquara shqiptare, përfshi Mithat Frashërin, Ahmet Zogun, Gjergj Fishtën e të tjerë.

Libri nis me një prolog ku flitet për udhëtimin e parë të çiftit bashkëshortor në Shkodër në 1910 dhe mbresat e tyre nga vizita dhe pritja në kryeqendrën shqiptare. Në kreun e parë autori rrëfen bashkëpunimin e ngushtë të prof. Pittard, konsull i përgjithshëm nderi i Shqipërisë me Mithat Frashërin, ku sillen fakte dhe dokumente që publikohen për herë të parë. E një rëndësie të veçantë është korrespodenca mes këtij humanisti që Shqipëria e tërhiqte mbi gjithçka dhe Lumo Skëndos, një erudit i përmasave europiane po ehe një shqiptar i madh.

Në kreun e dytë dhe të tretë tregohet për udhëtimin e z. Pittard në vendin tonë në 1921 dhe mënyrën se si është pasqyruar kjo vizitë nga gazetat e asaj kohe. Katër kapituj vijues rrëfejnë përpjekjet e autoriteteve shqiptare me Helene dhe Eguen Pittard për ngritjen e Kryqit të Kuq, ku spikat gjithashtu edhe përkushtimi i dy zonjave, mbretëresha Sofi Von Vidi dhe mbretëresha Gerladinë Apony-Zogu.

Roli i Prof. Pittard ishte i veçantë dhe përcaktues në krijimin e Kryqit të Kuq Shqiptar si dhe në kohën e Konferencës së Gjenevës, kur Shqipëria do të pranohej si anëtare e Lidhjes së Kombeve dhe kur çështja shqiptare mbrohej nga Fan Noli dhe politikanët e tjerë shqiptarë.

Momente të rëndësishme në monografi zë veprimtaria intensive e Pittard në ngritjen e Kryqit të Kuq të Shqipërisë, përfaqësimi i këtij institucioni në Zvicër, përballimi i krizës së urisë në 1924, sensibilizimi i opinonit ndërkombëtar dhe Lidhjes së Kombeve për grumbullimin dhe shpërndarjen e ndihmave në Shkodër.

Jashtë vëmendjes së autorit nuk ka mbetur edhe veprimtaria e bashkëshortes së humanistit dhe antropologut të shquar zviceran, Helenës; dy kapituj të veçantë i kushtohen udhëtimit të saj në Shqipëri në mars-prill 1924 si dhe ditarit të saj për njohjen e Shqipërisë.

Gjithashtu në libër tregohet për marrëdhëniet simbolike të Eugen Pittard dhe Edith Durham me Shqipërinë dhe lërkëmbimi midis tyre.

Pittard ka lënë gjurmë të pashlyeshme në zhvillimin e arsimit shqip, në përballimin e malarjes në vitet 1925-1926, në ngritjen e dhomës së tregtisë Zvicër-Shqipëri, në leksione dhe ligjërata për shqiptarët nga vetë ai dhe me bashkëautorësi, çka ka ndikur edhe në vlerësimin e lartë që i ka bërë mbeti Zog duke i dhënë ‘Urdhrin e Skënderbeut’.

 

 

Please follow and like us: