Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Vlora Obertinca: Fuqia magjike e fjalës që del nga shpirti…

“Jeta di të na sprovojë dhe të na rrëzojë për toke. Njeriu duhet të gjejë fuqinë e brendshme, të mbledh gurët e hedhur mbi të dhe të ngrejë kalanë e vet të quajtur motivim për jetë“, Dr. Vlora Obertinca.

Ajo shprehja e vjetër amerikane “Askush nuk është perfekt ose i përsosur“, duhet rikujtuar më shpesh sepse, garat për të arritur sa më shumë në jetë s’kanë të ndalur dhe me to po harrojmë ta gëzojmë edhe jetën e përditshme. Krahasimet me të tjerët janë të pashmangshme që janë helm natyral për shëndetin tonë. Dhe kur krahasimet bëhen, gjithherë del dikush më i mirë se ne. A duhet ta urrejmë tjetrin pse qenka më i mirë apo pse paska një dhunti të lindur më shumë se ne?! Kurrsesi jo.

Askush nuk i gëzohet sukseseve të askujt dhe një ditë kur i vjen radha suksesit të vet, sikur e ka humbur lezetin edhe festimi i atij suksesi!

Pse ndodh vallë kështu, pyet njeriu.

Po harrojmë që po jetojmë në shekullin 21, ku çdo proces është shumë më i shpejtë dhe i digjitalizuar se sa dikur para 2 ose më shumë dekadave. Ky dinamizëm i jetës bënë presion në çdo qelizë të trupit tonë dhe me të sjell edhe harxhime fizike dhe emocionale.

Ne dimë ta harxhojmë qenien tone, por nuk dimë se si ta rimëkëmbim atë. Jeta është e bukur kur jemi të shëndoshë, por bëhet shumë e mërzitshme dhe e gjatë kur jemi të sëmurë.

Ilaçi më i mirë në botë dhe më i shëndetshëm është fjala e mirë e gojës, fjala e sinqertë që buron nga zemra dhe shpirti i njeriut. A ka më mirë se kur i del krah tjetrit kur të ankohet që është i mërzitur apo edhe i sëmurë dhe ti e qetëson dhe e shëron me fjalë të mira duke i thënë: “Hajde se shumë mirë je. Je shëndosh si topi. I ke faqet e kuqe si molla. Të ka ra një nur bukurie…“. Me këtë komunikim të thjeshtë  njeriu e kupton dhe e ndjen përkushtimin dhe dashurinë e sinqertë të dhuruar nga tjetri.

Të dashurit e mi, përdoreni mendimin pozitiv për të mirën tuaj dhe të tjerëve. Kjo sepse fuqia e mendimit shprehet nëpërmjet fjalëve të cilat transmetojnë fuqinë dhe energjinë e njëjtë deri te personi tjetër përmes artikulimit të fjalëve. E kur fjalët kanë përmbajtje pozitive, ato fjalë bartin edhe energji shëruese te tjetri.

Kur shërohet mendja, shërohet dhe zemra, e kur shërohet zemra shërohet dhe shpirti.

Mendja e shëndoshë, në trup të shëndoshë!

Please follow and like us: