Albspirit

Media/News/Publishing

Natasha Lako: Magjistarët e filmit “Fletë të bardha”

30 maj, 33 vjet nga “Fletë të bardha”.
Sot jam nisur të shkruaj ca rreshta për filmin ‘Fletë të Bardha’ të shfaqur në 30 maj të vitit 1990. Dhe ky është një falënderim sa një gotë konjak prej një fuçie të ruajtur mirë. 33 vjet më parë duhej të ishte bërë ky falënderim.
Nuk do të flas për freskinë që ky film më jep, nga ai informacion jete, që vërtitet rreth protogonistit të tij që nuk është një hero, por një shkrimtar në krizat e krijimit. Në film rolin e tij e luan Rikard Ljarja.
Të parin që dëshiroj të falënderoj është Ndrek Shkjezi, i një roli episodik, i zemëruar se shkrimtari nuk e ka lajmëruar për vdekjne e të atit të tij. Nuk është në film aktor, por një njeri i marrë nga jeta. Detajet nga loja e tij dhe mizanskena dekantohen në zemrën time. Ishte notar i dalluar dhe pothuaj jam njohur me të rastësisht, kur shkonim të dy thellë në det, si e kemi të gjithë zakon, por jo gjithë të huajt, më “racionale”.
Asnjëherë nuk folëm për filmin, si për çdo film televiziv, që premierën e ka te etërit.
Dhe kjo e ka bërë këtë film me fat, pasi RTSH e ka shfaqur rrallë, madje disa kohë e kishte harruar fare, megjithëse ishte prodhimi i tij.
Falënderimi tjetër i shkon Natasha Selës, në një lojë të shkëlqyer si e motra e shkrimtarit, në gojën e të cilës kumboi aq bukur për herë të parë në filmin shqiptar fjala ‘para’. Një vërtetësi gati sublime.
Filika Dimo elegante, këngëtare që bën kurse muzike në shtëpi dhe Petrika Riza, në rolin e një zyrtari të lartë dhe shok rinie me shkrimtarin, me të cilin nuk mund të kuptohet kurrë. Kur niset të marrë pjesë në varrim, ka frikë se mos mbaje erë hudhër.
Një familje tiranase dhe një vajzë që çuditet atje nga kryeqyteti, që nuk beson se njerëzit e fshatit mund të vdesin nga një e kafshuar qensh dhe i duket si shaka. Dhe një lojë aq botë e pastër, madje e gëzueshme dhe pa faj e një vajze, që kushedi sa herë më ka thënë të bëhej një vazhdim i sotëm i jetës së këtyre njerëzve të dikurshëm, në një film të ri. Aktorja është Ina Gjoni, që në film thotë se në temën e saj të diplomës do të flasë për skleroartin.
Një roje kooperative, që dënohet se nuk i dallon dot qentë e tërbuar që janë vërtitur nëpër fshat lirisht, i vetmi që thërret sa buçasin pyjet: ‘Unë jam fajtori’. Në këtë rol shkëlqyeshëm të Birçe Haskos.
Nuk ka komedi ky film, nuk ka madje as sarkazmë, as buzëqeshje të hidhur. Ka vetëm realitet. Asgjë nuk thuhet drejtperdrejt, përveç një çifti në krizë.
Dhe prapë për çështje lekësh dhe çështje pronash, kur flitet për një areodrom që dikur ka qenë një arë.
Dhe pastaj loja e natyrshme e Stavri Shkurit në rol, i vetmi që di se Emir Gjika ka dashur të bëhet aviator, por nuk e kishte përfunduar shkollimin. Mjafton vetëm kaq, për të mos treguar fabulën dhe gjithë personazhet që vërtiten si afresk rreth jetës së një shkrimtari, që më tepër jeton larg shtëpisë.
Për ta bërë më të qartë shqetësimin e madh që ngjalli pas shfaqjes ky film, mund të flas pak për një nga skenat e fundit, ku dy të rinj afrohen me njeri-tjetrin, në një lidhje të hidhur, të lidhur më tepër nga situata e krijuar, ku afrimi ngushëllon. Aktorja në rolin e vajzës është Ema Ndoja, aktori që luan djalin, Ilir Sulejmani. Është fat që në këtë film është fiksuar loja e Agim Shukes. Por dhe më me fat është regjisori Mevlan Shanaj që ka punuar me Kujtim Laron. Jam tepër e pafuqishme për të foluar për lojën e Rikard Ljares që atëhere nuk e dinim se do të ishte dhe në jetë një shkrimtar. Ka gjithnjë në çdo figurë filmike një plan të dytë më tepër në qëndrim se sa në fjalë. Dhe nëntekstin e fjalës, çdo aktor t’ia ketë lënë në perfeksion Kadri Roshit, që në këtë film ka një rol të rrallë në marrëdhëniet atë dhe bir, që në këtë realizim kinematografik përsëriten në këmbim të dy brezave. Një plan të dytë, shqetësimi dhe reagimi i thellë Rikard Ljara që e ka pasur gjithnjë, por edhe për shumë arsye në vitin 1990, ai e ka në perfeksion. Sidomos në një realitet kur ishte e vështirë edhe fjala, por ka tre monologe shpërthyes ku befas hapet.
Shumë njerëz nuk e kanë parë këtë film që u shfaq vetëm si premierë televizive dhe autorët u shpëtuan, nga ngjarjet e 2 korrikut. E mbaj mend Betim Muçon dhe përshtypjen që i bëri filmi kur e pa shumë vonë në Rockville në shtëpinë e tij kur e trasmetoi njëherë RTSH. Nuk u shkruajt asnjë shkrim kritik, përveç njerit më dërmues. Por Mihallaq Luarasi dërgoi fshehur një letër nëpërmjet djalit tonë që ishte nxënës në shkollën ‘Fan Noli’. Janë ngjarje të shkuara, telefonimet që vinin prej disash që e kishin kuptuar filmin si një qëndrim ndaj stanjacionit dhe bëheshin entusiastë. Por ata që e kishin kuptuar edhe më mirë ishin ata që kërkonin dënimin e dy autorëve. Sot kjo mund të thuhet sa për një skup të lodhshëm. Dhe filmi vazhdon jetën e tij. Dhe mua më duhet të falënderoj pas 33 vjetësh Gjergj Lekën që ka bërë orkestrimin muzikor, kur ishte kaq i ri, madje ka luajtur në piano gjatë inçizimit muzikor sa tingujt kanë edhe prej rinisë së tij në shpirt. Më duhet të falënderoj Myzafer Shkirën si piktor që i dha freski, Agron Domin administrator në film me të cilin nisi pasionin që po e kurorëzon sot. Më duhet të falënderoj dy asistentët regjisorë drejtorin e filmit Ylli Kokona, që nuk jeton më. Mevlanin që ndoshta për më shumë se dy muaj nuk u kthye në shtëpi dhe shkuam një ditë ta shihnim me të dy fëmijtë, por nuk e pamë se ishte duke xhiruar. Dhe më duhet të them dhe të uroj që grupet e sotme të filmit të dinë se çdo të thotë dashuri për filmin si vepër kolektive. E di që nuk po flas për operatorin Thanas Ngjela, që bëri një punë profesionisti në zbulimin e atij afresku me të cilin ishin mbyllur vitet 80-të kur kishte filluar koha e 80% ose falimentimit ekonomik dhe po fillonin vitet 90-të të ndryshimeve të thella të mentaliteteve të ngurosura që ky film i kishte sjellë me vërtetësi të madhe. Vështroni po të keni mundësi qoftë një çast portretin e Pavlina Manit, për të ndjerë dramën e një gruaje në përkushtimin pa kushte për familjen, kur kërkon më shumë nga vetja, por jo nga të tjerët. Ndoshta nuk mjafton për të vetëm falënderimi im. E çfarë të them pë të tjerët, për operatorin e zërit, qoftë të ndriçimit, miq të mirë të gjithë familjes, Kiço dhe Xhani! Ka edhe një Lako në këtë film, që ka vendin e tij në këtë afresk brenda afreskut. 33 vjet nga sot! Sa për 33 vjet falenderime! Dhe një përshëndetje e veçantë nga larg për Pavlina Manin. Ndoshta nga ky film kam mësuar edhe më shumë pas 33 vjetësh, për një film që mund të xhirohej edhe sot, se skenaristi i do shumë fort realizuesit e filmit, këta magjistarë të imazhit.
Please follow and like us: