Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Kadare në panairin e librit “Prishtina 2023”: Letërsia shqipe do rikthehet më e fortë

Panari i librit “Prishtina 2023” u çel sot me praninë e një figure të shquar të letërsisë shqipe, shkrimtarin Ismail Kadare. Në panairin e Prishtinës, Kadare është i ftuari i nderit, duke u cilësuar në hapjen e eventit si forcë gjigante e ngritjes së gjuhës e kulturës shqiptare, por edhe zë për liri.

Para të pranishmëve, shkrimtari Ismail Kadare teksa shprehu gëzimin për praninë e tij në këtë panair, tha se, ai shpreson se letërsia shqiptare do të rikthehet më mirë e më fortë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i pranishëm në ceremoni, e quajti Kadarenë shkrimtarin më të madh të gjallë në botë. “Populli i Kosovës i ka borxh Ismail Kadaresë sa nuk thuhet pasi vetëdija për trungun shqiptar është formuar nga botimet e Kadaresë”, u shpreh kreu i qeverisë së Kosovës.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca teksa ka falënderuar Ismail Kadarenë që letërsinë shqipe e bëri të përbotshme, tha se, shkrimtari është ngritur në simbolin më të lartë e kuptimplotë për popullin tonë.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama u shpreh me këtë rast se kryeqyteti është shndërruar në vatër që shpalos magjinë e fjalës në letër. Rama tha se është e qartë se inkurajimi i të rinjve për të lexuar libra duhet të përshtatet me epokën digjitale, por gjithmonë duke e ruajtur thelbin e të shkruarit.

Në edicionin e 23-të të panairit të librit “Prishtina 2023”, marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora. Shoqata e Botuesve të Kosovës ka bërë të ditur se janë rreth dy mijë tituj të rinj.

Në kuadër të panairit do të shënohen edhe disa përvjetorë si: 120-vjetori i lindjes së Ernest Koliqit, 110-vjetori i lindjes së Petro Markos, dhe 100-vjetori i lindjes së Jakov Xoxës.

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë, studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale.

Panairi do të qëndrojë i hapur deri pasditen e 11 qershorit./ata.gov.al

Please follow and like us: