Albspirit

Media/News/Publishing

Eneida Jaçaj: Vrasje dhe mjerim në Pashallëkun e Prizrenit në shek. XIX

 

Vrasje dhe mjerim në Pashallëkun e Prizrenit në shek. XIX nga turqit, kleri katolik kërkon ndihmë te ambasadorët e huaj

 

 

Shqiptarët e krishterë në Pashallëkun e Prizrenit, dhe jo vetëm, kanë përjetuar vrasje, tortura, vjedhje, grabitje, mjerim, nga turqit muslimanë. Sipas Relacionit Sinoptik rreth ngjarjeve të ndodhura në Pashallëkun e Prizrenit, nga data 26 gusht 1866 deri me datën 6 mars 1868, të shkruar nga dëshmitari okular, Arqipeshkvi i Arqipeshkvisë Shkup – Prizren, Dario Buçareli (Buçiarelli), dokument i cili është gjendur në Vatikan dhe i përkthyer nga studiuesi Mark Palnikaj, masakrat ndaj popullsisë së krishterë, nuk vinin me urdhër të Sulltanit, Portës së Lartë, (kjo nuk do të thotë se Sulltani ishte mik i shqiptarëve, por është mirë që çdo dokument të zbardhet ashtu siç është shkruar nga dëshmitarët okularë), por nxiteshin nga përfaqësuesit e qeverisë turke dhe forca të tjera të errëta, si Kisha Ortodokse Serbe. Nëpunësit e pushtetit vendor, në emër të Sulltanit, mashtronin të krishterët se duhej të linin banesat e tyre. Midis banditëve turq, kishte edhe shqiptarë që ishin konvertuar në fenë muslimane, të cilët luftonin vëllezërit e tyre për disa rryshfete dhe ofiqe. Fytyra e shëmtuar në tregimin që paraqet Buçareli, është Nazif Pasha, i cili kishte arrestuar shumë të krishterë dhe si këmbim për lirimin e tyre nga burgu, merrte rryshfete. Ndërsa gjeneralin Mahmund Hamdi Pashain, arqipeshkvi e veçonte si njeri të mirë, i mençur, i cili bënte gjithçka që të vendosej rendi dhe qetësia, që popujt me besime e kultura të ndryshme të Vilajetit të jetonin në harmoni të plotë.

Kleri katolik i huaj luajti rol parësor në afrimin e vëllezërve shqiptarë, muslimanë apo të krishterë, duke vendosur paqen në vend. Pikërisht, kleriku Buçareli si Arqipeshkv i Shkupit, me qendër në Prizren, kërkoi ndihmë te ambasadorët e huaj në vend, në mënyrë që të ndërhynin duke marrë masa specifike për të vendosur rregullin dhe qetësinë në vend. Ndër të tjera, i dërgoi letra pa fund Portës së Lartë, faktorit të huaj ndërkombëtar, duke i informuar mbi gjendjen dhe u kërkoi që të merrnin masa për ndalimin e masakrave dhe vrasjeve ndaj të krishterëve. Për rolin e tij shumë të veçantë në vendosjen e paqes, përçimit të kulturës, përkushtimin e tij si një i krishterë i devotshëm, Buçareli mori vlerësime nga ambasadori austriak në Stamboll, i cili thoshte se Arqipeshkvi ishte një dëshmi e shkëlqyer e mbështetjes së fuqishme që të krishterët e atyre anëve gjejnë te madhëria e tij. “Kthimi i madhërisë suaj në Dioqezë është pritur prej katolikëve me brohorima, me atë ndjenjë kënaqësie shpirtërore që ngjall tek njerëzit e pafuqishëm prania e kryetarit të shumëdashur dhe mbrojtësit të tyre të natyrshëm”, ka thënë ai.

Letër ambasadave të huaja

Gjendja në vend kishte marrë tatëpjetën, kryengritësit po ushtronin dhunë dhe terror te të krishterët. Në këto kushte, i gjendur i pafuqishëm përballë një kasaphane të tillë, Buçarelli mendoi që t’i shkruante konsullatave të Austrisë e të Francës në Shkodër: “Të krishterët janë plot me vuajte dhe kryengritësit janë në kulmin e furisë së tërbimit e nga nevoja për mbijetesë të krishterët duhet të hyjnë në konfl ikt, të cilin po me kërkon me çdo kusht pala myslimane, që të kenë një motiv për t’i masakruar njerëzit, kështu, ju lutemi me këmbëngulje që sa më parë të keni mirësinë që të parandaloni një situatë të tillë të mundshme e të njoftonin ambasadën e ndritur që të ndërhyjë pranë Portës së Lartë, në mënyrë që me një ndërhyrje të tillë të shpëtohen jetët, e që të mund të emigrojnë këta të krishterët e Mirditës, që me shekuj kanë derdhë djersë e gjak për t’i shërbyer me besnikëri Sulltanit”.

Përfaqësuesit e pushtetit vendor mashtronin Portën e Lartë, ku masakrat mbi popullsinë e krishterë i cilësonin si skenare të sajuara nga vetë këta të fundit. Një rast tjetër, i cili dëshmon korrespondencën e arqipeshkvit me faktorin e huaj në vend, është ai kur një karabinier në kalë, i ardhur nga Gjakova, i kishte komunikuar një mikut të tij se dy fshatra të krishterë janë grabitur dhe djegur. Sapo mori vesh lajmin arqipeshkvi, shkoi tek I. R. konsull i Austrisë, që t’i bënte një pyetje shkëlqesisë së tij pashait, nëse u sulmuan nga turqit dy fshatrat e Doblibares, domethënë edhe Bradasani. Përgjigja që mori ishte kjo: “Nuk ka ardhur asnjë lajm në lidhje me ndonjë fakt të rëndësishëm. Kjo është vetëm një fjalë e përhapur, një thashetheme”. Pasi kërkoi, pastaj, arqipeshkvi informacione rreth asaj që kishte ndodhur, të cilit, meqë nuk iu tregua ky fakt me rëndësi, iu desh të shkruante dy raporte zyrtarisht, njërin konsullit austriak dhe tjetrin atij rus, që të mund të kishin baza që të mund të vepronin.

Ndihma për të varfrit

Arqipeshkvi Imzot Dario Buçareli u është drejtuar ambasadorëve të huaj, jo vetëm për t’i informuar mbi gjendjen vrastare ndaj klerit katolik, por u ka kërkuar ndihmë edhe për fëmijët në nevojë, që nuk kanë patur ushqim mjaftueshëm dhe veshje. Ai iu drejtua Austrisë katolike, mbrojtësja e parë e katolicizmit në këto zona, dhe me një letër të datës 15 dhjetor të vitit 1866, me N° 176, i lutej I. R. konsullit të këtij kombi, në Shkodër, që ta dërgonte përmbajtjen e saj në qeverinë austriake, duke kërkuar që të kishte një ndihmë për këta të varfër të shkretë, sikurse tregohet më poshtë: “Me datën 15 dhjetor të vitit të kaluar, me anë të një letre me numër N°176, unë i kam kërkuar me anë të një kërkese madhërisë së tij perandorake apostolike tejet të nderuar një ndihmë në para në favor të të dëmtuarve të këtyre kohëve të fundit nga kryengritja e rebelëve dhe madhëria e tij e lavdëruar është denjuar që të marrë në konsideratë atë që i kam kërkuar, e kështu ka dhuruar një shumë prej 500 fi orintash në vlerë austriake, për një kambial prej lirash sterlina 37.9 P. e cila u shit për 4.100 pjastra turke, nga të cilat 1.600 ju, bashkë me personat që besoni se janë të përshtatshëm, do t’ua shpërndani me këtë qëllim të devotshëm të bamirësit të përshpirtshëm atyre që janë më shumë nevojtarë të dëmtuar nga rebelët dhe 2.500 me një njeri të sigurt, do t’ia dërgoni në një dërgesë (87) famullitarit të Pejës”. Gjithashtu, u ngrit një komision nga Porta e Lartë, për të vlerësuar dëmet që u ishin bërë të krishterëve. Arqipeshkvi u mundua të vendoste rend dhe qetësi, të merrnin fund vrasjet ndaj të krishterëve, por, përsëri, situata degjeneronte nga të pabesët.

 

Please follow and like us: