Albspirit

Media/News/Publishing

“Shtegtimi i fundit”, libri i ri me tregime e novela i Avdulla Kënaçit

Një tjetër ngjarje e mirëpritur letrare për të pasionuarit pas letërsisë dhe artit në radhët e komunitetit shqiptaro-kanadez, i cili tashmë ka edhe një plejadë krijuesish të shquar apo në afirmim e sipër dhe që përfaqësojnë të paktën dy breza. Sapo ka dalë në qarkullim vëllimi i ri me 14 tregime dhe 3 novela, i titulluar “Shtegtimi i fundit”, me autor gazetarin, publicistin dhe prozatorin e njohur, Avdulla Kënaçi, cili prej vitesh jeton dhe krijon në Mississauga të Ontarios. Libri po shpërndahet në libraritë e Tiranës dhe së shpejti do të mbërrijë edhe në Kanada.

Libri i sapobotuar (me 262 faqe) është vëllimi i katërt me prozë të shkurtër i autorit, pas atyre të titulluar “Enigma e një natë”, “Autokritika” dhe “Liridona”, të vlerësuar pozitivisht nga kritika dhe nga lexuesit. Profesioni i gazetarit, doemos, që ka lënë gjurmë edhe në lëvrimin e teksteve letrare të autorit dhe kjo duket veçanërisht në ndjesitë, përshkrimet dhe në imazhet reale që përcjell proza e tij, çka i sjell dukshëm lexuesit lëngun e gjallë të jetës së viteve të dikurshme apo të kohës që jetojmë.

Siç është shprehur kritiku dhe studiuesi i letërsisë Prof. Dr. Ymer Çiraku, “Avdulla Kënaçi është një zë i njohur në gazetarinë e shkruar dhe atë televizive. Prej penës së tij, kanë parë dritën e botimit një mori reportazhesh, shkrimesh për probleme sociale, emisione televizive kushtuar aktiviteteve e ngjarjeve të ndryshme kulturore e patriotike, të organizuara brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në këto shkrime dhe emisione audiovizive, është dalluar përherë si veçori e tij një pasqyrim dhe analizë e ngrohtë, si dhe me frymë të spikatur humanizmi e atdhedashurie”.

Me një lidhje speciale dhe kopertinë nga piktori i mirënjohur Buron Kaceli, “Shtegtimi i fundit” është botuar nga Shtëpia Botuese “Enja” dhe ka për redaktore Gentiana Çelën. Në pjesën e pasme të librit bie në sy portreti i Avdulla Kënaçit, skicuar nga Skulptori i Popullit Muntaz Dhrami, si dhe janë vendosur edhe disa komente mbi librin nga autorët Thanas Medi, Athinë, Mirela Kanini, Çikago dhe Fatmir Terziu, Londer.

Duke e uruar përzemërsisht autorin, Flasshqip më poshtë po publikon parathënien e librit “Shtegtimi i fundit”, shkruar nga Gëzim Basha, pedagog i Letërsisë Moderne në Universitetin Wisconsin, SHBA.

Shtegtim përmes empatisë narrative

Në praktikën shqiptare të gjykimit mbi prozën letrare përdoret shpesh togfjalëshi klishe, “rrëfimtar i lindur,” a thua se prozatori nuk është gjë tjetër veçse instrument mekanik i talentit të vet! Në fakt, siç provon përmbledhja e Avdulla Kënaçit, “Shtegëtimi i Fundit”, e kundërta duket më e vërtetë; talenti eshtē së pari kultivim, kurse aftësia narrative, emancipim estetik që përftohet sa përmes praktikimit të shkrimit kreativ, po aq edhe prej ekspozimit ndaj Kanonit Letrar.

Stili i Avdulla Kënaçit në këtë përmbledhje, ashtu si në librat e tij të mëparshëm, ka një zhdërvjellësi të fituar prej karrierrës së tij të gjatë në gazetari, reflekton kultivimin me përkushtim të përditshëm prej disa dekadash, ndërkohë që liria e tij imagjinative është sa spontane, po aq estetikisht e informuar. Me prirjen për evidentim mbresash të drejtpërdrejta, kufiri mes tregimit dhe reportazhit bëhet aq eluziv (i pakapshëm) sa të sjell ndërmend teknikat e New Journalism.

Proza e përmbledhjes që merr lexuesi në dorë, pa maniera artificiale dhe pa impozime kinse, vjen nga këndi i një rrëfimtari me vigjilencë për detajin dhe mprehtësi për konfliktin. Me gjithçka të vetën, ai të kujton G. G. Marquez-in kur shprehet, “Në thelb, shkrimtari nuk është veçse një reporter që i lejon vetes liri imagjinative”.  Shtjella fluide e korrentit verbal, intuita për përshpejtim të rrëfimit a pauzë, gjetja e kohës për skena konkrete apo meditim mbi çka ndodh, lakimet e befta midis ekspozesë ideore dhe përshkrimit konkret, përbëjnë vetëm disa nga elementët më kryesorë në atë koncert mjetesh shprehëse që shquajnë aftësinë rrëfimtare të Avdulla Kënaçit.

Prozat e përmbledhjes “Shtegëtimi i Fundit”, janë ushtrim i empatisë rrëfimtare – narrative empathy – ngaqë prekja emocionale prej fatit shpesh tragjik të karaktereve e kapërcen simpatinë dhe shpie tek identifikimi me ta.  Ato ia dalin të provokojnë tek lexuesi formën e empatisë me bindje – cognitive empathy. Eshtë e pamundur të mos identifikohesh me një vajzë që bie pré e egërsirave (kojotave) në parkun e një metropoli, të mos ndjekësh me dhimbje goditjen absurde tē fatit ndaj një emigranti të akuzuar, shih groteskun, nga një fermer impotent, zviceran për zoofili… apo me një mërgimtare të vetmuar kroate të cilën spastrimi etnik e la pa familje dhe tashmë jeton për të parë nga distanca familjen e fqinjëve të saj shqiptarë, në një qytet të Kanadasë.

Proza e Avdulla Kënaçit reflekton jo vetëm daljen e njeriut shqiptar prej izolimit, por edhe mundimet e adaptimit në shoqëritë urbane, ku kozmopolitizmi, shpesh dhe paradoksalisht, sjell jo vetëm mundësinë e integrimit, por edhe anën tjetër të medaljes, vetminë sociale me të gjitha neurozat e saj.

Permbledhja e Avdulla Kenaçit ka diversitet tematik – cilësi që i jep kompozimit të saj natyrën e mozaikut; këtu secili karakter sjell historitë e tij unike, madje shpesh më shumë se sa një të tillë. Ky lloj konstruktimi të sjell ndërmend shprehjen e Charles de Lint (shkrimtar bashkëkohor kanadez), “we are made of stories,” (ne jemi endur prej historish) dhe ato më pikantet, siç janë prozat e ketij libri, meritojnë audiencë.

Lexim të mbarë!

© Flasshqip.ca

https://flasshqip.ca/komunitet/8706-shtegtimi-i-fundit-vellimi-i-ri-me-tregime-i-autorit-shqiptaro-kanadez-avdulla-kenaci?fbclid=IwAR3G_0gUg4YYErmOTQp-8-u8sQuTa5jQBYP_z5m_6Vxs6tcQbRBU2fakjmo

Please follow and like us: