Albspirit

Media/News/Publishing

Behar Metohu: Loti i smeraldtë

Tregim

 

 

 

Dëshira para gjumit

…Ndërsa hidhte vështrimin mbi sipërfaqen e pishinës, ajo kujtoi udhëtimin e fundit me të, disa muaj më parë në Amerikë. Sipërfaqe të mëdha ndërtesash shumëkatëshe nën qiellin blu ngriheshin madhështore dhe ndërkohë makina ecte me shpejtësi drejt tyre. Dukej, sikur ata të dy do të kapnin njerën prej tyre dhe do të treteshin në humbëtirën e madhe të sendeve dhe orendive luksoze. Ata ishin të përhumbur në magjinë e qytetit të madh amerikan të New Yorkut, ku vizita ishte krejtësisht private dhe e programuar…

Ajo kishte mbështetur kokën mbi xhamin e vetratës së ballkonit, ku ndjeu se nata kishte rënë dhe në dhomën e errët silueta e saj me robdishanin pas banjos ishte e rënduar dhe e gatshme për  gjumin. Hoqi sytë nga pishina dhe kujtimet duke tërhequr filxhanin e kamomilit, të cilin e kishte vendosur pranë një pjatance të qelqtë.

Shkoi pranë krevatit dhe piu pak nga çaji kamomil. Ishin disa netë që gjumi e zinte mjaft vonë. Ishte e vendosur, që këtë mbrëmje gjumi ta kapte fort dhe shpejt. Ajo donte të binte në zbrazësinë e kotësisë dhe në qetësinë për të harruar gjithçka, por… por, nuk kishte qenë e mundur të bëhej shpejt. Ishte nata e tretë që Sokoli nuk ishte në shtratin e saj. Dhe ndërkohë një mesazh i vetëm kishte ardhur prej tij, i cili e njoftonte se kishte mbrritur shumë mirë në Dubai dhe se kishte mjaft punë përpara. Dhe, që nga ajo ditë ajo nuk kishte parë më asnjë mesazh apo foto të dërguar nga ai, nga Dubai i largët. Sytë i kishte përqëndruar nga tavani, aty ku ndriçimi i zbehtë i ambazhurit përplasej me ikonën e një koke luani, skulpturë druri e vendosur pak më tutje perdes së vetratës. Ajo piu edhe pak kamomil dhe shtriu shpinën mbi jastek. Sapo mbylli sytë në përpjekjen, për të arritur humbëtirën e zbratësisë, një tingull i lehtë nga celulari i saj thehu heshtjen e dhomës së errët.  Ajo ktheu kokën nga komodina dhe pa fytyrën e mikeshës së saj, shoqes së feminisë, Domenikës. Kishte kohë pa folur e takuar me të.

– Ela… Ela, – dëgjoi zërin e saj të bukur e të ëmbël. Ajo buzëqeshi dhe mendjendrruar rrëmbeu celularin.

– Domenika ?! Po unë jam. Si je motër? A je mirë zemër?- dhe heshti.

Domenika, një vajzë e gjatë bjonde dhe syqeshur ishte rritur me të dhe shumë sekrete të rinisë ja kishin treguar njera-tjetrës. Por, që kur u martua me Sokolin, ajo takohej dhe fliste më rrallë dhe gjërat e fshehta nuk ekzistonin më midis tyre. Domenika, prej disa vitesh punonte në një ambulancë të  Tiranës, ndërsa kohët e fundit kishte kaluar në maternitet, në spitalin “Koco Glozheni”.

– Jam mirë, por kam qenë shumë e zënë. Puna e re, kolegë të rinj, probleme, por edhe ti nuk ke qenë vazhdimisht në Shqipëri, Na ka marre malli dua të takohemi… – ra një heshtje midis tyre, por Domenika vazhdoi,- Ç’kemi ndonjë gjë të re nga ty?!

Ajo nuk u pergjigj menjëherë, pasi dy mesazhe i erdhën papritur në telefon dhe u shpërqendrua. Sokoli sapo kishte dërguar dy foto nga Dubai. Dhe fytyra e Domenikës u mbulua nga dy kullat e larta plot ndriçim të Dubait.

Mos të pengoj dhe je e zënë? – qeshi ajo e çliruar duke lëshuar frymën pranë mikrofonit të telefonit.

– Jo, jo – Domenika, por jam pak e lodhur…

– E lodhur?… Nuk të besoj… Unë të njoh mirë, ti ke diçka më tepër, zemër! Po ndoshta takohemi ndonjë ditë kur të mundesh.

– Nesër, – tha papritur me nxitim, pa e zgjatur Ela.

– Pasdite, ora gjashtë? Tek Mulliri?

– Po, aty ku jemi takuar herën e fundit.

Ato  u ndanë nga telefoni. Kishin tre muaj pa u takuar, por lidhjet i mbanin nëpërmjet telefonit. Ajo ndjeu më shumë se kurrë nevojën për të biseduar me të. Hapi fotot e Dubait, por ai nuk kishte dalë gjëkundi. Sendet e argjendarisë të ikonave dhe shandaneve në sallonet e një holli hoteli me emblemën e aktivitetit shndrisnin plot shkëlqim. Më pas lexoi fjalët e tij: “Gabim që nuk erdhe… pavarësisht çdo gjëje”.

E la telefonin të mbyllej vet automatikisht duke shkrirë në erësirë fjalët e shkruara nga ai. Ajo kërkonte qetësinë në ato momente. Donte të devijonte çdo mendim dhe ide për të analizura çfarë po ndodhte. Qetësia e mbrëmjes ishte kënaqësia, që shpirti i lodhur kërkonte më shumë në ato momente. Madje dhe tik-taku i lehtë  i orës së murit i sillte bezdi. Ora në mur e lidhte çuditërisht në çdo moment, kur ndodhej larg nga ai, sa herë që ndodhej jashtë Shqipërisë. Çfarë bënte ai në ato momente kaq kilometra larg saj? Por, sonte në këtë mbrëmje të lodhshme nuk donte t’i dëgjonte aspak edhe kërcitjet e lehta të akrepave të saj. Ajo ktheu me fund lëngun e kamomilit dhe u shtri duke futur kokën nën jastëk.

 

Sekreti

 

Sa herë që takohej me Domenikën, kur ishin gjimnazistë, sikur çlirohej nga një ankth apo një padurim për t’i thënë diçka të re, diçka që mendonte se ishte e para, që e dinte dhe duhej patjetër t’ia tregonte. Kështu ato dilnin bashkë plot gëzim nëpër rrugët e Tiranës. Bënin shëtitjen, diku nga zonat e parqeve ku kishin mbetur stola për tu ulur. Dhe më vonë ato uleshin edhe në kafenet e reja, të cilat pas viteve dymijë ishin shtuar mjaft. Zona e ish- Bllokut ishte më e preferuara për to edhe pasi kishin mbarura studimet. Ajo, sapo mbrriti tek lokali dhe ndjeu zërin e saj. Ajo kishte mbrritur më parë dhe e ftoi pranë tavolinës.

– Ela , sa më kishte marrë malli, – ajo ngrihet dhe e përqafon fort.

U panë sy më sy dhe i qeshën njëra-tjetrës. Domenika, bjonde e veshur me një fustan blu dhe ajo me flokë të e zezë kishte veshur fustan të kaltërt, pak të hapur pasi vapa në atë pasdite ishte e pranishme.

U ulën pranë një peme, e cila me mjaft kujdes qëndronte në këndin e lokalit të pjesës së jashtme, duke krijuar intimitetin e nevojshëm për një bisedë të rehatshme. Shikonin njera-tjetrën me buzë e sy të qeshur. Aty u shfaq kamarieri, një djalë i ri, i cili bëri një rregullim të tavolinës me karriget e tjera, që ndodheshin pranë. Ai mori porosinë dhe u largua me hap të nxituar.

– Si po të ecin gjërat në spitalin e ri?- pyeti ajo.

– Shumë punë dhe në përgjithësi mirë. Më thuaj, ku ke qenë sepse të kam telefonuar dhe telefoni ka qenë i mbyllur.

– Po, sapo mbaruan provimet në fakultet, kërkova lejen e zakonshme. Vajtëm në Amerikë, Nju York.

– U kënaqe besoj?

– Ja kaluam shumë mirë, por duhej të shoqëroja Kolin. Ndejtëm gjatë, pasi takova mjaft miq e shokë si nga ana ime dhe e Kolit.

– Po, ndonjë gjë të re kemi nga çifti?… E mbushe vitin e martesës, – tha Domenika duke buzëqeshur.

Ela uli kokën dhe nuk foli. Ajo tërhoqi kafenë dhe i hodhi pak sheqer. Buzëqeshja ishte larguar. Sytë ishin të dashur për Domenikën, por pak misteriozë dhe ajo vuri re se vështrimi i saj, e folura e qetë dhe me pauza ishin gjëra, që nuk kishte parë kurrë më parë tek ajo. Domenika, ndërkohë kujtoi telefonatën e mbrëmjes së kaluar dhe kur i krahasonte me bisedat e gjata para martesës me Kolin ajo dalloi një kontrast të theksuar.

– Cili ështe sekreti që më mban fshehur? – tha dhe qeshi, si dikur kur ishin gjimnaziste.

Ajo e preku Elën tek dora, që po treste me lugë sheqerin në kafe, duke ja ndalur atë.

– Çfarë ka ndodhur?- dhe e pa në sy me vëmëndjen e përqëndruar. Ajo pa diçka tek retinat, një shkëlqim të lehtë, i cili  filloi të ravijëzohej…

– Motër, s’të kam parë kurrë kështu? – Je zënë me Kolin? Prandaj nuk e shoqërove në Dubai?

Edhe asaj i ishte tretur buzëqeshja. Ngurimi për t’u shprehur dhe komunikimi i vështirë me pauza kishte ndryshuar mjaft Elën e çlirtë dhe ajo kuptoi se gjërat kishin ndryshuar mjaft me martesën e saj me Kolin.

– Ke probleme në punë?

– Jo, jam shumë mirë, studentët më duan mjaft dhe gjërat shkojnë mirë në fakultet, megjithëse kaluam edhe pandeminë.

– Po atëherë ke probleme me Kolin? – tha Domenika.Unë po të shoh mjaft të ndryshuar. Ti më je hapur përherë, kur ke patur probleme. Është sekret?

– Jo motër, – por… ai s’po mendon ashtu siç duhet për familjen. Ai e ka mendjen vetëm tek biznesi dhe planet e familjes po kalojnë në plan të dytë. Kur do të plotësohet familja jonë?…

Ra një heshtje  e pazakontë. Shakira u ndje në muzikën e saj të albumit të fundit. Të rinj, çifte e grupe vajzash e djemsh, po dukeshin më shumë në lokal. Ata, qeshnin, bisedonin dhe më pas uleshin në tavolinat e liruara.

– Ti kërkon bebin dhe ai jo?- pyeti Domenika ftohtë dhe mjaft serioze.

– Po, – u përgjegj Ela dhe heshti!

– Dhe?

– Është zhytur në botën e parasë dhe marrëdhënieve me sipërmarrës dhe biznesmenë. Nuk mendon fare për familjen. Sjellja e tij është edhe e çuditshme ndonjëherë. E kam justifikuar deri në një farë mënyre. Por vë re që…

– Çfarë? – foli me zë të qetë Domenika.

Ajo, vuri re se një pikë loti rrëshqiti nga sytë e zezë dhe faqja e bardhë e majtë i shkëlqeu si vetëtimë. Asaj ju duk sikur një gur smeralti që ishte shkrirë në formën e lotit, rrëshqiti nxitimthi e ra mbi pjatancë. Asaj ju kujtua se kur ishte fejuar me Kolin, Ela i kishte dhuruar një gur smerald në formën e lotit, të cilin ja kishte blerë me kursimet  e saja në Gjermani, kur ishte për specializimin. Ajo ja kishte varur vetë në qafë atë ditë të sapokthyer duke e puthur fort. Ishte shenja e parë, dhuratë e shtrenjtë, e shprehur e dashurisë.

– Dua të më bësh një nder, – tha me zë pak të mekur Ela.

– Çfarë? Më thuaj!

– Dua të bëj disa analiza, se ndoshta jam unë fajtore. Dua ta heq këtë merak. Vajtja jote në spital mua do të më ndihmoj. Vetëm të lutem… – dhe i buzëqeshi duke vënë gishtin tregues tek buzët e duke e parë, si dikur gjimnaziste, kur donin të fshihnin diçka, që vetëm ato e dinin dhe duhet ta dinin.

– Ne se kemi tradhëtuar kurrë njera-tjetrën, – dhe i shtrëngoi dorën e shtrirë mbi suprinën e qelqtë.

Ato qëndruan gjatë, shumë gjatë, atë pasdite duke u çmallur dhe kujtuar vitet e rinisë. Bisedat u gjallëruan dhe nga sytë e tyre pati më shumë shkëlqim gëzimi. U puthën fort duke kujtuar edhe njëherë planin e tyre sekret.

Duke u kthyer për në shtëpi, ndaloi pak pranë kompleksit të ndërtesave, ku ndodheshin zyrat e biznesit të Sokolit. Ajo frenoi makinën dhe gati u bë kurioze të shihte nëpërmjet xhamave të zyrave, por u kujtua se orari zyrtar kishte mbaruar. Sa herë kishte ndodhur në kohën, kur ata ishin lidhur, që të takoheshin tek kafja përballë zyrave. Ai  e priste diku pranë pemëve përballë dhe shpesh ai e prezantonte me shokët plotë krenari dhe mburrje, në atë kohë se ishte kolege dhe bashkëpuntore. Ajo ishte pedagoge në universitetin Ekonomik të Tiranës në lëndët e biznesit, ndërsa ai konsulent punuan për botimin e një libri mbi menaxhimi i biznesit në ekonomitë e vogla. Atëhere, ai vetëm buzëqeshte, ishte mjaft i  vëmendshëm dhe ajo ndjente padurimin e tij për t’u takuar dhe biseduar ndoshta edhe me orë pranë atij lokali. Ata kishin rënë në sy për këtë gjë, por asnjeri nuk vriste mendjen pse po qëndronin bashke  kaq gjatë. Për ata të dy koha ishte aq e shpejtë, sa orët dukeshin minuta dhe prania bashkë ishte kohë pa limit. Shpesh në takimet e pasdites, ata qëndronin deri vonë bashkë, sa qe kamarieret e lokalit detyroheshin t’i kujtonin se po afrohej ora e mbylljes së lokalit. Dhe ai e shoqëronte me makinë nga lokali në shtëpinë e saj, që në fakt nuk ishte aq larg, diku në qendër të Tiranës, në hyrjen e rrugës së Durrësit.

Ajo dëgjoi borinë e një makine, e cila e shkëputi nga ato kujtimet e bukura. Ajo i dha gaz dhe makina gati sa nuk fluturoi nga blloku i biznesit të Sokolit. Ata kishin marrë një shtëpi të re, në periferi të Tiranës, pasi u martuan, pranë vilave gjermane, siç thërriteshin në vitet ’90. Aty, po ndërtoheshin edhe mjaft shtëpi të tjera. Ajo mori drejtimin për nga vila e saj. U gjend në hyrje rreth orës 10:00. Ndezi dritat e korridorit dhe pa e kuptuar edhe vet vështrimin e hodhi tek dhoma e vogël ku kishte një shkrim tek dera e saj: “MY BABY”.

Ajo kishte bërë gjithcka gati… e tërë dhoma ishte kompletuar me krevatin e vogel dhe këndin e dollapit ku do të mbaheshin rrobat e saj ose të tij. Një dritë e zbehte nga jashtë ndriçonte diku krevatin e vogël me jastekët dhe disa lodra. Ajo u ul në një stol të vogël dhe shikonte në drejtim të lodrës kukëll që ishte mbështetur në jastëkun e vogël. Kukulla bebe “e shikonte” në sy. Ajo e ngriti me dy duart dhe duke mbyllur sytë bebja kukull i thërriti “mama”. Ajo e pafuqishme uli kokën dhe sytë iu mbushën me lot. Pse vallë ajo kishte nxituar kaq shume? Mos ishte më keq që kishte vepruar kështu? Mos vallë këto gjëra nuk mund të bëheshin edhe më vonë? Ajo ngriti kokën, sa pak dhe nxorri celularin nga çanta. Jo nuk kishte asnje mesazh apo thirrje të humbur. Gjithçka ishte e heshtur, e zbrazët, një boshllëk enigmatik, një hapësire pa zhurma, pa ngjyra, pa fjalë; si kur çdo gjë kishte ngrirë dhe ishte kthyer në një vërshim jehonash të largëta si pakuptim. Ajo hyri në galerinë e fotove dhe pa fytyrën e tij. Ai kishte një buzëqeshje vërtetë të magjishme që i kishte rrëmbyer zemrën dhe delikatesa kishin krijuar tek ajo hijen e një personi që dëgjonte dhe i qeshte shpirti. Ishte fotoja më e bukur, ajo e viteve të para, kur jashtë kishte vetëm borën në sfond dhe ajo pranë tij. Ata kishin hypur në teleferik në atë ditë kur mali i Dajtit, si rrallë herë zbardhej. Ata kishin bashkuar frymat e njëri-tjetrit në atë lakurqësi bardhësie dhe ishin shkrirë në dehjen e puthjes së parë. Ashtu, si rojtari i pyllit e thithte fort faqoren në mes të dëborës. Por tashme, ajo sikur e kishte harruar këtë buzëqeshje, atë delikatesë, ato duart e ngrohtë dhe vëmendjen që kishte treguar dikur ai.

Si kishte ndodhur, që ato u zhdukën gradualisht me kalimin e disa viteve dhe vendin e kishte zënë serioziteti. Vështrimi herë pas here, i pavëmendshëm i tij dhe bisedat përqëndroheshin, jo te njeri-tjetri dhe për njeri-tjetrin, por për të tjerët dhe punët që mund të kishin me ta. Madje edhe simbolin me gurë smeraldi të varëses, në qafë, të blerë në Gjermani, nuk ia kishte parë kohët e fundit, ta mbante me vete. “Pse kështu”- mendoi.

Fiku celularin dhe doli nga dhoma e vogël mes heshtjes dhe gjysëmerrësirës. Ajo vuri kamomilin në stufë.

“Jo, jo nuk kam për t’i shkruar. Ai duhet të kuptoj ndryshimin dhe duhet të reflektoj”, – mendoi e vendosur. Akrepat e sahatit trokisnin lehtë përballë saj. Gjumi e zuri përsëri duke vënë jastekun mbi kokën e saj.

 

Sekretarja

 

Befas i doli gjumi. Ishte e tëra në djersë. Ndezi dritën dhe pa se ora ishte tre e mëngjesit. Mendja i vajti tek ai. Ah, – tha me vete. Dhe siç buzëqeshi në moment, hija e trishtimit e mbuloi me errësirën pas fikjes së dritës në komodinë. Nuk e zuri më gjumi. Për herë të parë ndjeu se një xhelozi e keqe e errët si vetë nata i vinte rrotull. Sebep ishte berë ëndrra që i nxorri gjumin. Ajo kishte lidhje me këtë ndjenjë. Ajo kurrë nuk ishte mbuluar nga një ndjenjë e tillë. Formimi i saj, shpirti paqësor dhe dashamirësia me njerëzit e kishin të vështirë që mendimet e errta dhe xhelozitë të pushtonin qënien e saj. Dobësia e saj më e madhë për të  ishte shqetësimi, për të mos i ndodhur ngjarje të papritura që do ta gjenin të papëgatitur, por, që në ëndërr t’i dilte sekretarja e tij, këtë gjë nuk e kishte menduar kurrë. Ajo e dinte se para disa muajsh ishte larguar sekretarja dhe për një periudhe, po punonte një vajze e re, e cila bënte punën e sekretares së përkohshme. Ajo ishte studentja e saj. Ajo e kishte përzgjedhur vet. Sonila, e cila vinte nga Elbasani, një vajzë e urtë dhe mjaft e sjellshme kishte nevojë financiare dhe atij, ajo ia kishte këshilluar. Dhe pa e menduar gjatë Sokoli e kishte pranuar. “ Po ç’ne ajo të më dal kështu në ëndërr” – mendoi. Xhelozia pushtoi qënien e saj.

*  *  *

Ora nëntë e mëngjesit. Po bëhej gati për të shkuar në fakultet. Ishin ditët e fundit të gushtit dhe duhej të përgatiste gjithçka për provimet e vjeshtës. Duke hypur makinës mendoi: “ajo duhet të jetë në zyrë tani”. I bëri një thirrje me telefon. Por, nuk pati asnjë përgjigje. Madje asaj i erdhi mesazhi se telefoni është i padisponueshëm. Po ç’ne kështu? Ajo kishte qenë gjithmonë korrekte sa herë e kishte telefonuar. Një ankth e pushtoi dhe frymëmarrja iu vështirësua. Sytë sikur iu errësuan dhe sa nuk iu morën mend. Ndezi makinën dhe doli nga rezidenca e saj plot zhurmë nga shtypja e fortë e pedalit të gazit të makinës. Rruga, të conte deri tek stadiumi AIR ALBANIA. Ajo mendoi: “ të kthehej majtas për të mbrritur në fakultet ku e prisnin mjaft punë? Apo të kthehej djathtas, rruga e cila  të shpinte tek zyrat e biznesit te Sokolit, ku Sonila duhej të ishte në zyrë”. Uli shpejtësinë e makinës mes dilemës majtas apo djathtas. Djathtas apo majtas. Timoni u kthye majtas.

Ora njëmbedhjet dhe celulari i saj vuri në dukje emrin e Sonilës.

– Zysh mirëdita ! Më falni zysh Ela, më kishte rënë bateria dhe karrikuesin nuk e kisha me vete. Më kishit telefonuar?

Ajo, e çliruar nga ankthi, kaloi gishtat mbi flokë dhe me zë të vendosur iu përgjigj e shpërqëndruar.

– Të mora për të pyetur, a kishe nevojë për ndonjë gjë ? A je mirë Sonila?

– Mirë zysh, faleminderit. Nuk kam asnjë problem. Celulari vetëm, zysh Ela.

Ajo u pendua, pse e kishte telefonuar dhe në moment për të korrigjuar situatën e pazakontë, pasi ajo kurrë nuk e kishte marrë në këtë orë, I tha:

– Nga ora dy do të kaloj andej, Sonila. Ok?

– Mirë zysh Ela, kur të doni.

Gjatë gjithë kohës ajo kujtonte ëndrrën e asaj nate dhe nuk do t’ia besonte vetes se kishte ndodhur një gjë e tille. Megjithatë nuk e mbante vendi. Ajo, kujtoi mes të tjerave edhe varësen e florinjtë, në formën e një loti me një gurë të kuq smeraldi në mes. “Pse vallë e kishte hequr kohët e fundit? Ku e kishte lënë? Në shtëpi nuk e kishte parë. Patjetër e ka lënë në zyrë. Kështu i kishte ndodhur edhe një herë tjetër, kur ai nuk e kishte patur me vete. Një rrugë e dy punë”  – tha me vete.

Ne ora dy u gjend tek zyrat. Sonila, e qeshur dhe e veshur pastër, atë ditë të hëne gushti, shndrriste si një margaritar. Flokët bjonde dhe sytë e shndritura kishin një shkëlqim të paparë. Dielli i fortë rrezatonte mbi portretin e saj dhe ashtu i doli përpara zyshes.

– Mirëserdhe zysh Ela, – tha ajo e ndrojtur.

Ela, vinte rrallë, tepër rrallë. Që nga dita, që kishte filluar punë, kjo ishte hera e dytë.

– Mirë ecin punët Sonila? – tha me nxitim ajo. – Erdha se Sokoli, më tha që ka harruar një kuti blu në sirtarin e tavolinës. Ajo më duhet zemër, – tha zysha dhe nguli sytë mbi një revistë mode, që kishte lënë në një cep të tavolinës, Sonila.

Ato u panë sy më sy dhe ajo i buzëqeshi asaj duke i thënë:

– Sot je bërë mjaft interesante. Po të pres. – vazhdoi Ela.

Sonila u fut në zyrën e Sokolit dhe pas pak solli kutinë blu të mbështjellë me një mbajtëse plasmasi për të mos u dukur se çfarë ishte. Ela e pa dhe e futi në çantën e saj pa e hapur.

 

Telefonatat nga Dubai

 

Zilja binte pa pushim. Mesazhet vinin pa pushim njëra pas tjetrës. Ajo kishte lënë telefonin në makinë dhe ndërkohë ishte futur në spital. Aty ajo qëndroi disa orë. Ndërsa Sokoli ishte shqetësuar se një miku i tij i kishte dërguar një mesazh. Ai i kishte treguar atij se kishte parë në spital të shoqen dhe kërkonte edhe atë vetë.  Çfarë duhet të kishte ndodhur? Nga holli i hotelit pesë yjesh i bëri telefonatë kunatit, por nuk e pyeti për Elën, për të mos i rënë në sy. Kishte biseduar normalisht duke e pyetur se si po kalonte dhe si i kishte punët në përgjithësi. Kunati nuk e kishte kuptuar pse ai po e telefononte nga Dubai i largët. Ai, zakonisht nuk kujtohej ta telefononte, kur ndodhej jashtë. U mat ta telefononte sekretaren, por u tërhoq dhe priti derisa ta thërriste vet Ela. Ai priti deri në mbrëmje vonë, por nuk i erdhi asnjë telefonatë. Ai, të nesërmen vendosi të nisej për në Tiranë megjithëse kishte edhe dy ditë, që të mbyllej panairi.

 

Dhurata e harruar…

Ai iu afrua vilës. Nata kishte krijuar makthin e qetësisë dhe atij, ajo iu duk më e vështirë dhe e rëndë që hapat e tij të lodhur të shkelnin pragun. Hija mbi muret dhe pishinën i jepnin atij ndenjën, sikur ishte dikush i huaj dhe jo i zoti i shtëpisë. Ai ndeu lehjen e qenit dhe mornicat i shkuan në trup. Ai hungëriu duke prekur me thonjtë derën. Tiku kishte ngritur dy këmbët e para dhe po shikonte të zotin pas kaq kohësh me mall. Ai iu afrua, e preku në kokë duke e përkëdhelur. Erdhi diku rrotull nëpër dhomën e ndënjes dhe ngadalë iu afrua dhomës së gjumit. Sytë i dalluan mbishkrimin “MY BABY”, në dhomën e vogël ngjitur. Ndali hapin dhe mori frymë thellë. Silueta e tij preku tapetin e butë, ndërsa sytë vunë re trupin e saj të shtrirë dhe kokën e futur nën jastek. Në krahun e tij të krevatitit, tek ambazhuri sytë iu verbuan nga shkëlqimi i smeraldit në formën e lotit të florinjtë. Në zemër ndjeu një rrahje të fortë. Akrepat e orës lëvznin me tik-takun e butë, sikur donin të ndanin e të dallonin për të çdo segment të kohës që ikte me uturimën zhurmuese e rrapëllitëse të ditës, që sapo iku dhe asaj, që do të vinte pas disa orësh. Smeraldi verbues i florinjtë i rrinte aty si ftohtë dhe i zemëruar. Atij iu kujtuan në mënyrë marramendëse ditët e bukura të asaj dhurate të harruar. Ju, kujtua se, ajo e kishte për dëshirë t’ia shikonte në trupin e tij elegant, që aq shumë i shkonte. Ai e preku me dorë dhe ndjeu se trupi i saj, i brishtë lëvizi. Lëvizën edhe flokët e zinj që kishin pushtuar çarçafët e bardhë. Ajo hoqi jastekun dhe ngriti kokën. U vështruan sy më sy. Ajo fërkoi sytë dhe ktheu kokën mënjanë.

– Si je,- i tha ai me një zë të ulët.

Ajo nuk foli, por pshehrëtiu dhe hodhi sytë nga amabzhuri i tij. Varësja në formë loti i smeraldt nuk ishte më aty.

– Ke kohë që nuk e mban me vete. – i tha ajo.

Ai dëgjoi për herë të parë pas shumë ditësh zërin e saj dhe fjalët iu dukën si jehonë nga larg, kur e thërriste në ditët e para, që e kishte njohur. Ai u ndje në faj, por hoqi këmishën dhe e vuri në qafën e tij lotin e smeraldt. Ajo nuk e pa, por ndjeu lëvizjet e tij në heshtje.

– Ti mendon se jeta jonë është vetëm paraja? – vazhdoi ajo. – Nuk e shikon se sa ke ndryshuar? Tolerancën time mos e keqpërdor. Nuk dua të imponoj asgjë, por mbi gjithçka duhet parë e ardhmja jonë, e fëmijëve tanë. Ti nuk interesohesh pikërisht për këtë gjë.

Ajo heshti, ndërsa ai kishte një morri pyetjesh për t’i bërë, por guri i smerald ia kishte mbyllur gojën. Ai iu afrua pranë. Ajo nuk lëvizi. Guri i shndritshëm i smeraldit ishte pranë të dyve si amortizues i përplasjes që mund të shpërthente. Ata humbën në tunelin e kujtimeve të bukura duke ja shtuar edhe atë natë.

 

Gënjeshtra e bardhë

Ata kishin vendosur atë pasdite të shkonin në plazhin e Durrësit. Qëndronin në shezllone duke marrë rrezet e diellit pranë bregut. Këmbët preknin valët që përplaseshin lehtë. Dielli ishte duke perënduar. Ata shikonin të kuqerremtin e tij. Gushti mbyllej atë ditë të bukur me një qiell të përflakur dhe det të qetë kaltërosh me mjellmat përreth. Ai ishte i përgjumur, kur dëgjoi tingëllimën e ëmbël të telefonit të Elës.

Ajo e ngriti menjëherë dhe dëgjonte me vëmendje dikë. Nën kapelen e tij vështroi se fytyra e saj buzëqeshi si kurrë më parë nga gjithë këto ditë, që kishin kaluar.

– Kur, motër?- Pyeti Ela. Më pas ajo mbylli telefonin.

Ajo lëvizi trupin nga shezlloni dhe duke hequr syzet e diellit i tha atij: – Domenika na ka ftuar për drekë të djelën. Kishte marrë vesh që ti ishe kthyer nga Dubai.

Ai hoqi kapelen dhe fërkoi flokët, të cilat ishin rritur ca.

 

Tiranë, 21 qershor 2023.

 

 

 

 

 

Please follow and like us: