Albspirit

Media/News/Publishing

Rudolf Marku: NATURE MORTE VIVANTE

Nikolin Ivanaj është njëri ndër piktorët e mi më të preferuar. Jo thjesht se ai është shoku im i fëminisë deri në ditët e sotme! Porse, për mendimin tim, ngase është ndër piktorët më të fuqishëm të artit figurativ shqiptar!

Nuk kam ndèrmend të loz rolin e një kritiku arti. Kjo do të qe përtej aftësive të mia të njohjes modeste të pikturës! Thjesht pikturën e kam dashur dhe admiruar sa dhe vetë poezinë, ashtu si ai lexuesi pasionant i librave që ndjen kenaqësi prej leximin të autorëve që atij i duken më të mirët! Pa e pyetur veten përse këto libra i pëlqejnë!

Pashë këtë vepër të Nikolin Ivanajt dhe ndjeva kënaqësi ta ndaja me ju!

Zakonisht këtë zhanër pikture shumica e njerëzve, duke përfshirë këtu studjuesit e pikturës, kritikët dhe vetë piktorët e quajnë Nature Morte! Ca të tjerë përdorin termin Still Life- Natyrë e Qetë!

Kur shoh këtë vepër të Nikolin Ivanajt, më duket se as Nature Morte e as Still Life nuk i shkojnë për shtat perfeksionisht pikturës së mëposhtme! Si mund të jetë Morte (E vdekur) kjo pikturë me objekte dhe ngjyra dhe emocione gjithë jetë?… Still Life? Po piktura e mëposhtme veç E Qetë (Still) nuk mund të jetë! Unë mund të dëgjoj, në pikturën që shoh, bisedat e zhurmshme të frutave me njera-tjetrën, thashathemet mes tyre, të qeshurat e tyre! Salvador Dalì dhe Van Schooten më vijnë në ndihmë. Të dy kanë përdorur një term pajtues, së cilës i shkon për shtat dhe vepra e Nikolin  Ivanajt: Nature Morte Vivante! Ah, po, them me vete! Kjo po! Ky term më duket më bindës!

Piktura paraqet shegët e pjekura mirë; njëra prej tyre, e vendosur poshtë, në rreshtin e parë dhe në qendër, është e çarë, me kokrrat e kuqe, mbështjellë me delikatesë nga cipa e hollë e frutit! Ngjan si një Nudo femërore që mbulon seksin në mënyrë të ndrojtur me dorën e saj! Vijnë ca vila rrushi, që përzihen me të kuqen e shegëve, duke bërë të mundur që vetë shegët të evidentohen dhe më tepêr nga ngjyra e errët e tyre! Janë objekte të zakonshme, një frutierë ku mbahen pjesërisht frutat, një mbulesë tavoline, e çlirshme, si një çarçaf shtrati hedhur pakujdes mënjanë, nga një grua e çveshur që sapo ka lënë pas shtratin ende të çbërë!

Në këtë pikturë në fakt të gjithë objektet lëvizin dhe bashkëveprojnë me njera-tjetren, sipas parimit se ‘të gjitha objektet janë përbërë nga grimcat atomike të cilat janë në lëvizje të përjetshme!

Shega- fruti më sensual i naturës, është dhe favoriti i artit të Nikolin Ivanajt! Një koleg i nderuar i Ivanajt, piktor i shkëlqyer, pat thënë njëherë se Nikolin Ivanaj i pikturon shegët si njerëz, ndërsa vetë njerëzve u jep diçka prej shegëve! U jep atë lëngun jetësor, pa të cilin vetë jeta do të qe një shkretëtirë!

Nikolin Ivanaj pikturon Natyrën e Qetë të objekteve për t’i vendosur ne një botë ku ato vetë lëvizin sipas ligjeve të tyre, pa asnjë vetëkënaqësi, pa u vetëkspozuar, as me vetëmburrje dhe as ankesë! Thjesht në ekzistencen e tyre të mrekullueshme!

Please follow and like us: