Albspirit

Media/News/Publishing

Ndrek Gjini: Vrasja e Pleqve në Lashtësi

Njerëzit në lashtësi nuk brakstisnin dhe vrisnin vetëm fëmijët sakatë dhe ato të padeshiruar por edhe pleqtë.

Pak kohë më parë pata shkruar rreth braktisjes dhe vrasjes së fëmijëve. Por e njëta gjë ndodhte edhe me pleqtë. Kur grupet e njerëzve të lashtë e ndjenin se një plak është barrë e rëndë për fisin ato e vrisnin apo e braktisnin në pyll në mënyrë qe ai të vdiste.

Senicid, ose geronticid, quhet praktika e vrasjes së të moshuarve ose braktisjes së tyre, apo ajo e hedhjes së tyre nga shkembinjtë në rastet kur ato nuk mund të kujdeseshin më për veten e tyre dhe ishin të pa-aftë të punonin më për të siguruar ushqimin e tyre.

India

Në shtetin jugor indian të Tamil Nadu, kjo praktike megjithëse e paligjshme ekziston ende dhe njihet  si thalaikoothal.  Thuhet se kjo praktikë ndodh dhjetra ose ndoshta qindra herë çdo vit. Kjo gjë realisht është e paligjshme, por gjithësesi praktikohet fshehtësisht.

Inuitët

Edhe tek Inuitët të cilët janë një grup fisesh indigjenë që banojnë në rajonet arktike dhe subarktike të Greenlandës, Kanadasë, Alaskës dhe Rusisë praktikohej vrasja e pleqve.

Në kohët e hershme, Inuitët i linin të moshuarit e tyre në akull për të vdekur. Kjo ndodhte sidomos  kur kishte mungesa në ushqime. Rasti i fundit i njohur i kësaj praktike tek Inuitët ka ndodhur në vitin 1939.

Një praktikë e tillë ka ekzistuar edhe në Japoninë e lashtë. Ajo quhej Ubasute, që do të thotë braktisja e të moshuarve. Në të kaluarën e largët, thuhej se një i afërm e merrte plakën ose plakun e sëmure dhe e çonte në një mal, ose ndonjë vend tjetër të largët të shkretë dhe linte atje për të vdekur.

Skandinavia

Edhe në Skandinavi në kohët e lashta praktikohej vrasja e pleqve. Ajo quhej Attestupa. Në folklorin nordik, Attestupa është një shkëmb ku njerëzit e moshuar thuhej se hidheshin për të vdekur.

Madje edhe në Serbi zbatohej një praktikë e tillë. Quhej Lapot. Lapot është një praktikë e vjetër serbe e vrasjes së prindërve ose anëtarëve të tjerë të moshuar të familjes pasi ato bëheshin barrë financiare për familjen. Fjala “lapot” do të thotë “baltë” në serbisht, dhe kjo praktikë thuhet se e ka origjinën në malësitë lindore të Serbisë, në rajonin e Zajeçarit.

T. R. Georgevitch (Dordevic), në vitin 1918 shruan, se vrasjet kryheshin me sëpatë ose shkop dhe i gjithë fshati ftohej të merrte pjesë. Në disa raste, shkruan ai,  viktimës i hidhnin miell misri në kokë që të nënkuptonte atë që vrasësi ishte mungesa e misrit dhe jo familja.

Greqia dhe Roma e Lashtë

Tim G.Parkin në librin e tij Old Age in the Roman World, na ofron tetëmbëdhjetë raste të vrasjes se pleqve. Nga këto raste, thotë ai, vetëm dy prej tyre ndodhën në shoqërinë e lashtë greke; një tjetër ndodhi në shoqërinë romake, ndërsa pjesa tjetër ndodhën në vende të tjera. Një shembull që ofron Parkin është ai i ishullit Keos në Detin Egje. Megjithëse ekzistojnë shumë variante të ndryshme të këtyre historive thuhet se kjo praktikë mund të ketë filluar kur Athinasit rrethuan ishullin Keian. Në një përpjekje për të patur një furnizim të bollshëm me ushqim, Keianët votuan që të gjithë njerëzit mbi 60 vjeç të vdisnin përmes vetëvrasjes ose duke pirë helmin.  Rasti tjetër i vrasjes së pleqve është ai që ndodhi  gjatë kohës romake në ishullin e Sardenjës, ku vrasjet e baballarëve mbi 70-vjeçarë u bënë nga djemtë e tyre.

Pra në shumicën e rasteve në lashtësi kur ushqimi mbaronte, të moshuarit dhe të sëmurët shiheshin si barrë e rëndë që shpenzonin burimet ushqimore të komunitetit. Kështu që në raste jo të rralla ata vriteshin ose hidheshin në det. Madje ndonjëherë  edhe varroseshin të gjallë, mbylleshin në të ftohtë ose i linin të vdisnin nga uria. Shumë më shpesh ata thjesht braktiseshin në pyll për të vdekur. Viktima mund të dërgohej në shkretëtirë dhe të lihej atje. Ose natën i gjithë fisi mund të largohej pasi i moshuari te flinte dhe e linin aty që ai të vdiste. Nëse fisi do të rimëkëmbëshin papritur me pasuri dhe ushqime, ata edhe mund të ktheheshin për t’i marrë sërish pleqtë që kishin lënë pas. Plaku i braktisur do të mirëpritet gjithashtu si një anëtar i plotë i komunitetit nëse ai mund të ishte i zoti të bënte rrugën e tij për tek vendbanimi i ri i fisit që kishin ikur duke e braktisur atë në pyll. Por në të shumtën e rasteve ai nuk ia arrinte ta bënte këtë rrugë për shkak të moshës, sëmundjeve dhe mungesës së ushqimit.

——

Please follow and like us: