Albspirit

Media/News/Publishing

Historinë e batalionit partizan “Misto Mame” duhet t’ua mësojmë brezave

 

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Komandanti legjendë Lipe Boga

Duke kujtuar 80 vjetorin e krijimit të batalioni partizan “Misto Mame” të formuar më 8 gusht 1943 në Stegopull, nderojmë e kujtojmë përpjekjet e partizanëve që luftuan kundër nazistëve gjermanë dhe tradhëtarëve të vendit, dëshmorët e tij të ranë në betejat legjendare dhe veteranët e palodhur dhe heroik.

Lunxheria, Libohova e Gjirokastra nga ishin partizanët e batalionit kanë një histori me tradita të lashta patriotizmi dhe atdhedashurie, guximi e trimërie, ndershmërie e besnikërie. Lunxhëria e Koto Hoxhit, Pandeli e Koto Sotirit, Urani Rumbos e në krahun tjetër Libohova e Avni Rustemit, janë treva të mbrujtur me atdhedashuri e patriotizëm, me dëshirë për arsim e kulturë, të dalluar në histori për luftën me penë e pushkë për liri e përparim. Populli i krahinës së Lunxherisë e ka treguar këtë patriotizëm në të gjitha periudhat historike. Shembull, komandanti legjendë i batalionit Lipe Boga mbi 70 vjeç, i dënuar nga pushtuesit turq, shovinistë grekë dhe regjimi i Zogut. Virtytet e larta të njerëzve luftëtarë të krahinës u shpalosën fuqishëm, në epopenë e lavdishme të LANÇ-it, duke e shndërruar trevën në qëndresë të fuqishme të luftës çlirimtare kundër pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

Në ditën e formimit, partizanët e batalionit dëgjuan fjalën e të deleguarit të KQ të PKGJ, Bedri Spahiu, i cili foli për rëndësinë e Luftës për Çlirimin nga pushtuesit, zgjerimin e saj të udhëhequr nga Shtabi i Përgjithshëm me komisar Enver Hoxha, ju komunikoi vendimin për krijimit të batalionit që do të mbante emrin e birit të Erindit, dëshmorit hero Misto Mame. Batalioni kishte në drejtim burra trima e patriotë të krahinave si Lipe Boga nga Saraqinishta, komandant; komisari i batalionit, gjirokastriti Zihni Sako i shkolluar për filologji në Universitetin e Athinës; zëvendëskomandant Misto Çipi nga Qestorati, zëvendëskomisar Vasil Kati, si dhe Isuf Çobani nga Nepravishta etj.

Në krahinën e Lunxherisë lavdimadhe kanë punuar anëtarët e Komitetit Qarkor të PK të Gjirokastrës Bedri Spahiu, Qemal Karagjozi, Tahir Kadare, Zihni Sako, Niko Kekezi, Kapo Baco, Themo Vasi, Thoma Xhixho, Polo Bezhani etj., që nga vitit 1942 e në vazhdim ndihmuan në krijimin e grupeve edukative në fshatrat e krahinës dhe organizimin e luftës kundër pushtuesit. Njësitet e para të armatosura drejtoheshin në Labovën e Zhapës, Tërbuq e Hundëkuq nga Thimjo Muçi e Polo Bezhani; në Këllëz e Nokovë nga Naqo Qirko, Harillaq Kalemi e Jorgo Vasi; në Qestorat nga Sofo Papavasili e Noto Leku; në Labovën e Kryqit nga Vasil Kati e Andrea Miçi; në Libohovë nga Haxhi Kroi, Jashar Kasimati e Baftjar Ruli; në Suhë nga Thoma e Pano Xhixho, në Stegopul nga Miço Bogai, në Nepravishtë nga Isuf, Reuf e Petrit Çobani etj.

Akte të larta heroike antifashiste

Batalioni “Misto Mame” ka zhvilluar luftime e beteja në krahinë, në Libohovë, në Gjirokastër, në Konispol, që ishte një nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar dhe në zonën Sarandë-Delvinë në formacionin e Gr4P të Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër. Në fillim ishte më 386 luftëtarë midis të cilëve 20 ishin vajza dhe gra të krahinës dhe më pas u rrit në numër. Në të gjitha luftimet e betejat e zhvilluara batalioni “Misto Mame” ka bashkëpunuar ngushtë me batalionet territoriale vullnetare të zonave ku zhvilloi luftime, ku numri i luftëtarëve arrinte në 1.000 veta, të pajisur me 2 topa malorë, 4 mortaja dhe disa mitraloza të lehtë dhe të rëndë. Ndërsa forcat naziste gjermane dhe bashkëpunëtorët e tyrë të përqëndruar në qytete, në zonën ku veproi batalioni kishin 2.000 ushtarë gjermanë, artileri të shumtë, si dhe ishin në gatishmëri 2 regjimente të Div. 100 gjerman, Korpusit XXII të vendosur në Janinë, të pajisur me teknikën më moderne të kohës.

Frymëzim për partizanët e “Misto Mame” u bënë aktet e larta heroike të antifashistëve Misto Mame e Mihal Duri në Tiranë, të trimit Lato Braho që la studimet e larta universitare dhe ra dëshmorë për atdhe, të gruas trime erindiote Shero Kaçi që priu përpara si dukur me sëpatë kundër pushtuesit dhe u bë dëshmorja e parë grua e krahinës, etj. Nga radhët e bp “Misto Mame” ranë 61 dëshmorë në fushën e nderit si: Arqile Bezhani, Pano Xhixho, Gani Ismailati, Estref Ruçi, Polo Bezhani, Fane Koti, Sofo Meksi, Leonidha Noti, Sefer Bojo, Miço Boga, etj., si dhe mbi 60 partizanë të plagosur. Duke e përkujtuar “Misto Mame” që ka rëndësi të veçantë historike, ne kryejmë një mision të lartë atdhetar, mbajmë të gjallë epopenë e lavdishme, gjakun e të rënëve dhe sakrificat e mëdha që bëri populli patriot shqiptar, ndërkohë përcjellim mesazhe të rëndësishme për brezin e ri të vendit tonë, për t’u njohur e frymëzuar nga këtë luftime e beteja.

Dëshmorët dëshmojnë përsëri…

Dëshmorët e çdo periudhe historike, të historisë sonë kombëtare janë dëshmorë të atdheut dhe jo të ngjyrimeve politike, prandaj ata duhet të respektohen dhe të nderohen nga i gjithë populli shqiptar. Po a e meritojnë dëshmorët fyerjet që ju bëjmë çdo ditë, ju kemi prishur simbolet si varreza, lapidarë, pllakata, hequr emra të rrugëve e të institucione, përbuzje dhe denigrim? Akoma më keq të falsifikojnë e të denigrojnë LANÇ-in, partizanët e dëshmorët e saj, me qëllim që të rehabilitojnë kolaboracionistët dhe kriminelët e djeshëm dhe që, për çudi, në këtë fushatë janë përfshirë dhe disa institucione shtetërore. Të gjithë bashkë këto simbole të përjetësimit të historisë, ti ruajmë dhe ti mirëmbajmë. Krahina e Lunxherisë duhet të shkëlqejë nga këto simbole të trimërisë dhe të heroizmit masiv në betejat dhe luftërat e bërë nga ky popull kreshik dhe fisnik. Tezat e hedhura për të luftuar gjoja komunizmin në Shqipëri kanë për qëllim goditjen dhe shkatërrimin e simboleve të LANÇ-it, të luftëtarëve dhe dëshmorëve të saj, por dhe çdo vlerë patriotike të krijuar pas çlirimit të vendit. Në luftën kundër fashizmit dhe nazizmit luftuan gjithë shqiptarët, nëna e baballarë, vëllezër dhe motra, populli i ndihmoi bijtë e tyre, të afërmit, që të luftonin, pa dallim krahine, ideje, besimi, pa kërkuar asgjë në këmbim të sakrificave që po bënin për çlirimin e Atdheut. Por sikudo në botë, lufta ka dhe tradhëtarë, por kjo nuk do të thotë që tradhëtarët, janë vetëm në një krah. Nëse marrim një krahë, duhet të marrim dhe përgjegjësi, dhe përgjegjësia më pas kërkon përgjigjen e pyetjes: A u realizua dje dhe sot ëndrra e dëshmorëve dhe heronjve që luftuan për lirinë e atdheut, për një Shqipëri të lirë e demokratike pa dallim feje, krahine dhe ideje? Të gjithë ne së bashku sot ua kemi borxh brezave të rinj, përgjigjen, për të mos u lënë gjemba nëpër këmbë.

Është detyrë e brezit tonë që këtë histori të lavdishme t’ua përcjellim brezave me sa më shumë vërtetësi, duke shmangur shtrembërimet subjektive apo harresat, të cilat në disa raste të verifikuara në AQSH (Arkivi Qendror Shtetëror) janë shfaqur në botimet me kujtime të ndryshme individuale. Në këto botime në listën e partizanëve të këtij batalioni ka dhe mangësi për shkak të mos konsultimit me dokumentet arkivore. Në librin e batalionit “Misto Mame” (kujtime) mungojnë emra me kontribute të spikatura në LANÇ si: Majnure Çobani, infermiere, Naqo Qirko, Llukan Kristafi, Panajot Papa, Vasil Petridhi, Spiro Çaro, Gaqo Nano etj. Po kështu kemi folur fare pak për rolin në luftë në këto krahina të kuadrove drejtues të luftës si Bedri Spahiu, Zahir Kadareja, Lipe Bogai, Vasil Kati, Misto Çipi, të partizanëve dhe veteranëve Thimjo Muçi, Aleks Spiro, etj. Ne pasardhësit e partizanëve dhe të dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare nuk do të lejojmë që të harrohen, të tjetërsohen e aq më keq të interpretohen ngjarjet e mëdha të periudhës së lavdishme 1939-1944. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare është e shenjtë, e paprekshme dhe vijë demarkacioni midis nazifashihmit modern dhe antifashizmit.

E kemi për detyrë që nxënësve dhe të rinjve duhet t’ua përshkruajnë me saktësi sakrificat në luftë, në beteja, në aksione, në prita, t’u qartësojmë dëshmorët, të plagosurit dhe partizanët deri në detaje. Në këtë mënyrë ne do të arrijmë një formim historik të saktë të tyre, larg fjalëve, por bazuar në referenca dhe dokumenta, për një jetë të paqtë të tyre. Ky formacion luftarak na mëson shumë dhe sot pasi të bashkuar mund dhe duhet të fitojmë ndaj fenomeneve të këqija që i kemi nëpër këmbë, bashkë dhe vetëm bashkë do të qëndrojmë në ballë të gjithë frymës përçarëse dhe denigruese të figurave historike kombëtare dhe lokale, për të mos i prekur dhe ofenduar herë pas here si kemi bërë deri më sot.

Shoqata Lunxhiote në Tiranë në bashkëpunim të plotë me Bashkinë e Libohovës dhe të nderuarin Leonard Hide, treguan kujdes për festën e 80 vjetorit të batalionit “Misto Mame”, por dhe për interesin e vazhdueshëm në vlerësimin e figurave historike dhe të dëshmorëve, për përjetësimin e tyre në histori, për besim që japin se jehona e Luftës Antifashiste Nacionlçlirimtare të popullit tonë nuk do të zbehet kurrë.

Please follow and like us: