Albspirit

Media/News/Publishing

Oriental apo Oksidental?! Mentaliteti i udhëheqësve tanë politikë sipas Nolit dhe Krist Malokit

 

 

Melsen Kafilaj, Studiues

Në një prej artikujve të saj më kuptimplotë, të botuar në “The Washington Post” historiania dhe gazetarja penëhollë Anne Applebaum shkruan: “Jetojmë në një kohë dhe kulturë të atillë ku ngjarjet dhe idetë e rëndësishme injorohen”. Një e vërtetë e dhimbshme për të cilën në fakt s’ke sesi të mos reflektosh. Por të reflektosh, për një popull i cili nuk e ka parë ende me sy diellin e Intelektit, siç do shprehej diku Branko Merxhani është “një punë fillozofësh” për ne shqiptarët, me pak fjalë një vërë në ujë, një përpjekje e kotë teorike e pa kurrëfarë dobie e cila nuk sjell asgjë të mirë në jetë. (Çuditërisht, një përkufizim të tillë “për atë që fillozofon” e ruan ende në ditët tona edhe Fjalori i Akademisë së Shkencave). Por një komb i cili nuk beson tek fuqia e Ideve për të transformuar realitetin e tij kolektiv dhe që nuk përfiton prej nektarit të mendimit të mentarëve të vet më brilantë e meriton plotësisht që të sundohet prej demagogëve, autokratëve dhe diktatorëve (siç ka ndodhur dhe do të vazhdoj të ndodhë).

Porosinë dy shekullore të Hajnes “Kushtojuni rëndësi fuqisë së ideve dhe mendimtarëve tuaj” nuk ke sesi të mos e zbatosh kur ke në mesin tënd një plejadë mendimtarësh të cilët në kohë e hapësira të ndryshme kanë bërë një anatomi të shkëlqyer të Psyche-s, Botëkuptimit dhe Problematikave shqetësuese të Kombit, problematika të cilat vazhdojnë të na përndjekin si Stihi Mitike edhe në kohën tonë. Sot për të analizuar njërën prej këtyre problematikave do të ndalem tek dy prej tyre, Fan Noli dhe Krist Maloki.

Të shqetësuar nga problematika e Mentalitetit të Shqiptarëve dhe drejtimi i vizionit të tyre, të dy mendimtarët në fjalë e rimarrin këtë çështje të shpalosur më parë nga Ideologët e Rilindjes Kombëtare dhe e shtrojnë më tej për diskutim. Për Ideologët e Rilindjes, mentaliteti i shqiptarëve dhe krerëve të tyre është padyshim Oriental ndaj duhet punuar fort për ta drejtuar dhe ekspozuar Kombin ndaj dritës së Perëndimit. Këtu është me vend që t’i kujtojmë lexuesit tonë vargjet e Naimit:         

Jak’o dit’e uruar

që lind nga perëndon,

At’anë e ke ndrituar

e ne pse na harron.

Si dishepull i kësaj Fryme, Ismail Qemali, “Babai i Shtetit të Parë Modern Shqiptar” do ta drejtonte vendin kah Vizioni Perëndimor, e më specifikisht nga Britania e Madhe, një vend ky me traditë demokratike 800 vjeçare dhe një prej demokracive më të vjetra evropiane. Por teksa vizioni është diçka e cila mund të çohet lehtësisht si pikësynim dhe të shtypet në letër me 5 minuta pune në makinë shkrimi, mentaliteti është diçka e cila nuk mund të ndryshohet me një të rënë të lapsit dhe “Et voila!” Flakja tej e fesit të kuq, shallvareve “alla turka” apo xhybesë dhe zëvëndësimi i tyre me kapelën “alla frënga”, kravatën-kryq dhe redingotat e Inglezit nuk e bënë Shqiptarin automatikisht “Oksidental”. 5 shekuj sundimi Osman dhe gati 7 shekuj sundimi Bizantin kishte shtresëzuar në botëkuptimin e tij mëndësinë, karakteristikat dhe veset më të këqija të Perandorive respektive. Një prej tyre do të ishte padyshim Mentaliteti Oriental i Arhondit (Zotit të Madh) dhe Bejlerbeut.

Ismail Qemali, i cili ishte edhe vet pjesë e Parisë së Bejlerbejve, do ta vuante mbi kurrizin e tij këtë mentalitet gjatë kohës në krye të qeverisë jetëshkurtër të Vlorës. Mentaliteti i mësipërm nuk e njeh nocionin e Publikes por vetëm atë të Domenit Vetiak dhe të pushtetit personal apo familjar të Beut dhe të Oxhakut të tij. Shteti, nëse ka një të tillë funksional përfytyrohet si një ngastër e madhe toke në të cilën Beu ka pjesën, rolin dhe autoritetin e tij si I Pari i Vendit. Një prej shkaqeve për dështimin e Qeverisë së Vidit dhe më vonë asaj të Fan Nolit për moskryerjen e një sërë reformash do të ishte pikërisht ky mentalitet; mentalitet i trashëguar edhe nga I Pari i Zogollëve, nga “Shoqëria e të Trembëdhjetëve” të Byrosë Politike të PPSH-së apo edhe nga liderët politikë të pas 90-tës dhe Parvenu-ja e tyre. Neo-Bejlerët e kohës tonë jo vetëm që janësi një pikë e vetme uji në mendësi me paraardhësit e tyre, por i imitojnë gjithashtu edhe në dukje (Vishen me salltanete të larta, duan ndërtesa dhe maja kullash të larta për të banuar, punuar apo rrufitur kafenë e ditës, poltrona të larta për të ulur menderet e tyre të rëndaapo edhe makina të larta për të udhëtuar apo për tu englendisur).

Një tjetër derivat i mentalitetit të Arhondit dhe Bejlerbeut është edhe ai i Kolltukofagisë. E cekur fillimisht si dukuri tek revista “Albania” e Faik Konicës, me termin në fjalë ajo do të shfaqej për herë të parë në librin “Krimet e Politikës” të Terenc Toçit të botuar në vitin 1922, për të cilën dhe kemi shkruar më parë (Shih: https://gazetadielli.com/anatomia-e-destruktivitetit-te-politikes-shqiptare-1922-2022-sipas-terenc-tocit/) dhe do të vijonte më pas me fjalimin parlamentar brilant tëFan Nolit “Shakaxhiu i Përparimit dhe Pesë Anarkitë” në vitin 1923 dhe në artikullin “Oriental apo Okcidental” të Krist Malokit të botuar në“Hyllin e Dritës” në vitin 1937. Po ku konsiston ky mentalitet, lind pyetja?!

Imzot Noli, i cili me “Shakaxhinj Përparimi” na e lëviz në tru me shpejtësinë e neutronit këtë “Erë Reformatorësh Perëndimorë” nga Zogu tek Rama (1922-2023), kujdeset që të na i përcjell me tone Manikeiste dhe Biologjiste dukurine në fjalë. Ja sesi shprehet ai: “Këtu idealet e errëta, të shtrembëra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharasë përfyten e përleshen për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit.Këtu kemi Idealin e Kolltukofagëve; krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, por jo t’i shqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë”.

Kolltukofagia, e cila ka të bëjnë vetvete me uzurpimin dhe moslëshimin e pozicioneve kyçe në shtet, administratën publike, sektorët strategjikë, parti, etj është e ndërlidhur edhe me një mendësi tjetër tipike orientale; Akraballëkun, dmth “Përkrahja që u jepet miqve e farefisit, në dëm të interesave të përgjithshme”, (Shih: Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe i Akademisë së Shkencave). Kjo e fundit, e ulur këmbëkryq jo vetëm në Pushtetin Qendror dhe atë Lokal por në çdo Institucion tjetër të Republikës së Shqipërisë, përfshirë këtu edhe ato të Edukimit.

Për kolltukofagun, ideal jete është deviza: “Amaç, araçları meşru kılar” (Qëllimi justifikon mjetin). Profesor Krist Maloki, një fenomenolog i stërvitur dhe njohës i mirë i këtij mentaliteti e përshkruan atë si më poshtë: “Idealet e orientalit shqiptar janë kolltuku dhe llokma; për t’i sigurue vetes këto të mira ai përdor çdo mjet; bâhet, kur e donnevoja, edhe Patriot e Tradhëtar, Monarkist e Bolshevik, Përparimtar e Reaksionar…e bile edhe shok i fortë me të tjerë.Vendi ku majmet orientali shqiptar asht Atdhe, asht vatan për të.Jo sepse e don por sepse e shfrytëzon.Dhe e shfrytëzon pa pikë turpi, dhimbjeje dhe skrupulli”.

Për Kolltukofaginë, të cilës në politikë k/analistët i kanë vënë së fundmi edhe termin përkëdhelës “Kryetarokraci”, (Shih: Mentaliteti i Arhondit dhe Bejlerbeut), Bejlerët e Mëdhenj fron-uzurpues të shek. XXI janë të gatshëm që të marrin madje edhe hunjtë si në Mesjetë për mbrojtjen e saj, të të kërcënojnë me jetë apo edhe të blejnë duke ta vuvosur gojën me njëshuk dollarësh (nëse janë gdhirë me humor të mirë në ditën e shënuar). Ligji nuk është çfarë thotë Kushtetuta, Statuti, Neni apo Pika në fjalë por çfarë do I Madhi. Dhe çfarë do I Madhi, bëhet! Diçka e cila na kujton paksa Thrasimakun e “Republikës” 2500 vjet mëparë, i cili pohon se “Drejtësia dhe Ligjet janë gjithmonë në avantazhin e më të Fortit”.

Një pikë tjetër tek e cila do të ndalem në këtë artikull dhe që Profesor Maloki e cek edhe më sipër është Mentaliteti i Llokmës dhe Ryshfetit. Orientali, për aq kohë sa është në krye të karriges e sheh pozicionin e tij politik dhe administrativ “si një lopë të majme Egjipti, të cilën “ta mjelë” në maksimum sa here që ja kërkon interesi vetiak. Dhe në fakt ai që bëhet kurban prej këtij mentaliteti është gjithmonë Atdheu. Sa më lart në krye të kolltukut Orientali, aq më e madhe edhe llokma e ryshfeti që ai ha. Kështu psh, nuk është e rastësisshme që sipas kësaj logjike të kemi raste të njohura e të panjohura abuzimi kryebashkiakësh 20 përqindsh, Ministrash-Mamuthë tenderash e madje edhe zv.Kryeministrash e kryeministrash; të gjithë flamurtarë pretenduestë Liberalizmit dhe Oksidentalizmit në dukje por në thelb zemërushqyer me idealet më të errëta të Orientit.Të ndodhur përballë faktit dhe të ekspozuar gjatë këtyre 30 e kusur vitesh demokracindaj kësaj mëndësie piramidale, në Popullështë rikthyer sërish në qarkullim pikëpyetja e vjetër Osmane: “Sa është haraçi i të Madhit”?!

Pra, a janë Orientalë apo Oksidentalë liderët tanë?!

Kushdo që i ka shquar karakteristikat e mësipërme në persona konkretë përtej së Majtës e së Djathtës e ka marr tashmë një përgjigje.

 

Please follow and like us: