Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: Shkrime nate në rërë…

 

Ato nisnin të gjitha me kërkimin

e provës së zjarrit,

tek vrapi këmbëzbathur mbi driza

dhe gjuhët e flakës që digjnin e shkrumbonin.

 

 

Donin fëmijën harakat që gjuante me llastika,

gjithë bestytnitë e fisit e gjinisë,

varur nëpër pemë,

si poça elektriku.

 

Vrapoje sikur diku doje të mbërrije,

me shpirtin harabel,

që nuk ngopej me frymë.

 

Në një pjesë të shkrimeve nuk ishte as ti,

por një premtim se një ditë do të vije.

 

Kështu deri në ag,

kur erdhi batica dhe fshiu gjithçka,

pa lënë asnjë kopje të vetme.

 

 

Hëna që ndoshta e ruan në memorie,

kapërceu oqeanin,

iku në një tjetër kontinet.

 

 

Unë mbeta i vetëm,

duke mbajtur të fshehur dhimbjen,

si një thesar të groposur…

Please follow and like us: