Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Iris Halili: Barbie, kukull apo realitet?

Të paktën për aq kohë sa ekzistojnë rrjetet sociale, unë nuk kam hasur ndonjë vepër apo shfaqje artistike të ketë marrë vëmendjen e shoqërisë si filmi Barbie, që është shfaqur në ekranin e madh së fundmi. Së pari, mendoj se ka pasur kërshëri të madhe, pasi propaganda që e parapriu apo e shoqëroi, ishte po aq e madhe. Një show i ditëve të fundit në Netflix, citonte: “Ka dy lloj njerëzish: ata që krijojnë dhe ata që shesin. Midis këtyre, ata që shesin janë më të rëndësishmit”, (Painkiller). Pikërisht, mediatimi i lartë i shitjes së filmit Barbie e bëri atë edhe më të bujshëm.  Më pas, fotot tërë ngjyra të fekshme, ku dallohet roza e femrave të të gjitha moshave, si përpara, përgjatë dhe pas përfundimit të filmit, mbushën instagramin dhe facebookun, gjë kjo që  e shtoi edhe më shumë interesin për filmin tek të gjitha moshat dhe sekset.

Por besoj një arsye tjetër e madhe është se filmi duket sikur përcjell nostalgji për fëmijërinë e vajzave të tre gjeneratave: gjeneratës X, millenium dhe asaj Z. Tek gjenerata X nuk futen vendet e botës së tretë, apo ato të botës ish- komuniste nga vij edhe unë, pasi në këto vende Barbie erdhi pas viteve 90-të, dmth gati tri dekada pasi qe krijuar. Por, gjithsesi, kulturat dhe vajzat që u rritën me Barbin dhe koleksionet e saj, kishin dëshirë të ktheheshin pas në fëmijëri e të përjetonin apo  të rikujtonin çastet kur vishnin e zhvishnin Barbin dhe ëndërronin ditën kur të bëheshin elegante, të hijshme dhe të bukura si ajo. Dhe filmi ishte një ilustrim shumë i mirë i këtij rasti.

Ai ka një nisje që paradoksalisht rrëfen sesi ndërroi vendi apo misioni i femrës në familje dhe në shoqëri. Vajzat e vogla flakin në një anë kukullën “Bebe” dhe në vend të saj zgjedhin kukullën “Barbie”. Ky detaj është në fakt simboli i shumë transformimeve që kanë ndodhur dhe po ndodhin në shoqërinë ku jetojmë.

Edhe unë i kam dashur shumë kukullat. Sigurisht në vogëlinë tonë ne nuk kishim kukulla me flokë apo “fancy”, por kishim ato kinezet plastike që i lidhnim dhe i zgjidhnim gjithë ditën me shallet e mamave. Edhe unë kisha një kukull të madhe kineze dhe kujdesesha shumë për të, duke imituar kujdesin që mamaja ime dhe gjyshja ime tregonin ndaj meje. Mbaj mend një natë dimri, gjyshja mi afroi këmbët tek reflektori që të më ngroheshin. Ju kujtohen ata reflektorët që kishin një rezistencë të kuqe që të përvëlonte po t’i afroheshe shumë afër? Të nesërmen unë ia ngroha këmbët kukullës tek reflektori dhe sigurisht si plastikë që ishte asaj iu dogjën thembrat. Këtë detaj nuk do ta harroj asnjëherë. Ato kukulla plastike, pa flokë dhe pa tipare ishin bebet/fëmijët imagjinarë për të cilët vajzat e brezit tim u kujdesëm t’i ushqeheshim, madje edhe t’i kuronim me ilaçe sa herë që sëmureshin. Kështu u rritën sa e sa breza vajzash të vogla deri kur në horizont u shfaq Barbie, kukulla seksi me flokë të gjatë dhe këmbë të bukura. Kuptohet kukulla të bukura ka pasur edhe përpara, por ato ishin pak a shumë gjithmonë imazhi i vajzave të vogla dhe jo zonjushave të rritura.

Barbie dhe revolucioni i saj shkoi përtej asaj çka na përshkruan feministja e parë Simone De Beauvoir tek libri i saj monumental “Seksi i dytë”,  ku ajo me të drejtë thotë se superioriteti i femrës gjendet në anatominë e saj pasi femra ka një organ më tepër se mashkulli, femra është në gjendje të bëjë fëmijë falë këtij organi, femra jep qumësht nga gjiri i saj, femra ka kështu epërsinë e mëmësisë.

Ndryshe nga De Beauvioir, filmi Barbie ka tjetër qasje dhe e sheh misionin e femrës të përcaktuar jo aq nga anatomia e vet, sesa nga bukuria dhe inteligjenca e saj. Barbie është femra vanitoze me të cilën vajza e vogël luan duke përftytyruar çdo ditë e me tepër veten të arrirë estetikisht dhe të pavarur në një botë ku ajo mbisundon. Jo rastësisht të gjitha Barbit, kukulla të filmit, janë më së shumti femrat e karrierës dhe në mes të gjitha atyre, vetëm njëra është shtatzanë. Ato janë të gjitha të famshme, jetojnë vetëm dhe janë mëse të realizuara në jetë!! Por prej këtu lindi dhe kritika ndaj Barbit dhe rolit të saj: A janë dhe a mund të jenë të gjitha femrat si shëmbëlltyrë e Barbit ? Sigurisht që jo, por tashmë të fiksuara që në vogëli pas atij imazhi, shumë prej tyre duan të jenë si ajo: të gjitha me të njëtën pamje, të gjitha të bukura, të gjitha të të mbushura me ndërhyrje të kirurgjisë plastike, paçka se në fund, ato duken jo reale, si vetë kukulla Barbie: “Life in Plastic, is fantastic”!

Por le të kthehemi tek filmi Barbie. Mendoj se realizuesit e kanë ndërtuar në disa plane, shumë prej të cilave u janë afruar deri në fund, por disa i kanë lënë qëllimisht të hapura pasi ka shumë ide për diskutim, sidomos në shoqërinë e sotme në përgjithësi dhe atë amerikane në veçanti. Barbie kukull (kupto vajza e vogël e rritur me kukullën Barbie), kur doli në realitet kuptoi se ajo nuk pati të njëjtën forcë që kishte në botën e ëndrrave fëminore. Në jetën reale, në fuqi, ishin meshkujt që sikur thuhet nga një personazh mashkull në film: “ne bëjmë sikur i japim hapësirë femrës të drejtojë, por kjo është një botë sërish e dominuar nga ne“. Barbie, në realitet, shihet si provokuese dhe joshëse për meshkujt, por asnjëherë më shumë se kaq. Ndërkohë, që kur takon një grup adoleshentesh, Barbie ndeshet me vajzat e brezit Z, (brezi më i ri bashkëkohor). Ato jo vetëm që nuk e pëlqejnë,  por edhe e dëbojnë pasi për to ajo reflekton bukurinë dhe elegancën superiore femërore. Ajo është më shumë fake – domethënë, jo natyrale! E dërmuar, Barbie kërkon të kthehet prapë në Barbiland (kupto botën feminore), “ku të gjitha problemet e feminizmit duket sikur janë realizuar”, citim ky nga filmi dhe që duket si profeci e modelit se deri ku mund të shkojë një shoqëri e dominuar vetëm nga femrat!! Por kur arrin në Barbiland, Barbie shikon se gjërat kishin ndryshuar, pasi Ken duke përfituar nga mungesa e Barbit dhe duke u njohur me forcën e patriarkalizmit (tek vizitoi botën reale së bashku me Barbin), i ishin hapur sytë dhe kishte krijuar në vend të Barbiland -Kenlandin. Në këtë imazh si në përrallë duket sikur Barbiland simbolizon mbretërinë e femrave dhe Kenland atë të meshkujve. Për të rimarrë pushtetin, Barbie dhe mikeshat e saj, lidhen fuqishëm me njëra-tjetrën, thurin intriga e bashkëpunojnë për të vënë në lojë xhelozinë e Kenit dhe Kenrave të tjerë në Kenland. Duket sikur Eva dhe Adami është sërish në simbolikë dhe femra Barbie ka marrë rolin e modelit të femrës që vepron me intrigë dhe provokime. Kjo nuk e nderon Barbin dhe Barbiet në film, por pikërisht për këtë filmi ruan vlera realiste në përcaktimin e natyrave të dy sekseve. Kështu, pasi e ka rimarrë fuqinë e humbur në Barbiland, Barbie nuk do më të jetë kukulla e përkëdhelur e ëndrrave fëminore dhe vendos të kthehet në realitetin e vërtetë jetësor, siç thotë dhe vetë e të shkojë nga plastika e kukullave tek plastika reale e Los Angeles. Ajo ka hequr takat dhe ka veshur pantoflat e sheshta “Birkenstock” që ndonëse të pranuara si shumë të rehatshme janë varianti femëror më i afërt i sandaleve burrërore. Këtu përfundon dhe imazhi i historisë 60- vjeçare të Barbit dhe fillimi i një modeli të ri kukulle, ku në vend të ngjyrave të shumëllojta, i veshin ngjyrat neutrale, në vend të minifundit i veshin pantallonat, ndërkohë që në shpinë i varin një çantë të madhe që sikur fsheh ecjen tipike dhe delikate të Barbit, atë në majë të gishtave. Me këtë prezantim të ri të krijohet mendimi sikur Barbie tashmë kërkon falje për vanitetin që krijoi ndër sa e sa breza vajzash. Jo më kot momenti i parë i sëmundjes së Barbit në film është kur këmbëve të saj të brishta u ka humbur harku i shputës (kupto atë hark që krijon këmba e femrës tek vesh këpucë me taka, ose kupton që ajo ishte kaq larg nga të qënurit me këmbe në tokë, dmth kishte filluar të mos adaptohej me një frymë imazhi të ri femëror; janë këto dy nga edhe më shumë interpretime që mund t’i behen këtij momenti në film).

Barbie e lë Barbiland e vetme. Ajo as e ka dashur dhe as nuk do të jetë me Kenin. Në fakt, historia e Barbit nuk është si ajo e Biblës. Barbie ka lindur përpara Kenit. Kjo sa për të ritheksuar se që në gjenezë kjo kukull ka dashur t’i japë femrës një tjetër model nga ai që ne kemi të trashëguar. Shumë kritikë, duke dashur ta përcaktojnë filmin si feminist, mendojnë se me portretizimin e Kenit filmi e ka vendosur mashkullin në një pozicion inferior dhe gati grotesk. Unë mendoj ndryshe. Mendoj se filmi shënon sinqerisht pozicionin që po merr mashkulli në ditët e sotme. Ata po e humbin gjithmonë e më tepër komoditetin që kanë pasur ndër shekuj; Sa më shumë femrat bëhen të pavarura dhe sa më shumë ato nuk e shikojnë familjen dhe fëmijët si qëllimin kryesor në jetë, aq më shumë mashkullit i bie pushteti dhe privilegji

Momenti i fundit në film është kur Barbie, pasi ka lënë Barbiland, shkon e vetme tek gjinekologu. Pak e vështirë për të kuptuar nëse kemi tani Barbin që po i rikthehet mëmësisë apo është thjesht Barbie që nga kukull është bërë njeri i vërtetë dhe femër me organe riprodhuese.  Këtë, filmi, e le të hapur për diskutim.

Si përfundim, do të thoja se përpos disa recitimeve feministe gati të tepruara në film, apo përpos mbylljes së filmit me Barbin nën imazhin e një femre liberale dhe feministe të ditëve tona, që jeton vetëm dhe e pavarur, përsëri unë nuk do ta konsideroja këtë film si manifest feminist. Unë mendoj se filmi është sa histori e kaluar, aq edhe histori e ardhme. Ai përcjell mesazhe si për femrën, ashtu edhe për mashkullin e kohës sonë; është i gjithi i mbështetur në karaktere personazhesh që do të donin faqe të tëra të analizoheshin dhe të interpretoheshin me kujdes. Filmi është një vertikale e të gjitha brezave që prej atij kur lindi Barbie e deri në ditët e sotme. Filmi më duket se duhet të jetë i dashur si për  femrat ashtu edhe për meshkujt pasi është dhe nuk është feminist, është dhe nuk është maskilist. Ai për mua është realist, ndaj dhe për këtë do përshëndetur. Femrave u pëlqen se në të shohin procesin në të cilin ka shkuar dhe po shkon vendi i saj në shoqëri, gabimet e bëra përgjatë këtij rrugëtimi, por dhe fitoret e arritura. Meshkujt e pranojnë si realitet të asaj që po jetojnë çdo ditë në shoqërinë amerikane dhe jo vetëm. Janë pikerisht ata që po ndiejnë dalëngadalë pozicionimin e tyre ndryshe në një mjedis shoqëror ku femrat gjithmonë e më tepër po bëhen dominante dhe ku meshkujve do u duhet të rindërtojnë  rolin e tyre në një mjedis shoqëror që ndryshon çdo ditë dhe që është larg realitetit të baballarëve të tyre.

Nuk di se ç’mund t’u kenë thënë nënat vajzave të tyre pasi kanë parë filmin Barbie, po unë djalit tim i thashë: “Barbie është simboli i çdo gjëjë që femra ka arritur apo edhe ka humbur në këto dekada”.  Më shumë se një kukull, ajo u kthye në simbolin e një revolucioni social që ende nuk ka përfunduar.

Dikur thonin se fëmija e parë për femrën është vazhdimi i kukullës së saj të fundit. Që nga viti 1959-të kur lindi Barbie vajzat e vogla kanë patur një model të vetëm kukulle. Dhe më pas në  jetën e tyre reale, ky model ka ardhur natyrshëm pasi jeta e njeriut nuk është gjë tjetër vetëm se përsëritje dhe ripërsëritje e gjurmëve të fëmijërisë. Ndaj dhe Barbiland në film duket sikur është sa simboli i asaj ku do të shkojë femra, aq është në të njëjtën kohë përfytyrimi që vajza e vogël ka patur përgjatë fëmijërisë për të ardhmen e saj.

https://gazetadielli.com/barbie-kukull-apo-realitet/

Please follow and like us: