Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Peter R. Prifti, kontribuesi i parë shqiptar i prestigjiozes diturore “Encyclopædia Britannica”

 

Melsen Kafilaj, Studiues

Peter R. Prifti (1924-2010)

Silens loquor! (Ndonëse i heshtur, ende flas). Pikërisht kjo frazë latine e një ore diellore nga Padova e Shek. XIV-të më erdh ndër mënd këtë përvjetor të trembëdhje të “heshtje fizike” të Profesor Peter R. Priftit, një prej personaliteteve më të spikatura të Diasporës Shqiptare në Amerikë dhe një figurë e papërsëritshme intelektuale. Kjo heshtje fizike e Profesorit dhe kalimi i tij në amëshim, të pasuara nga një heshtje akoma edhe më e gjatë institucionale në lidhje me këtë personalitet të shquar intelektual nuk ka sesi të mos çmeris teksa sheh “njerëz prej çeçeje” që ngrihen përditë, promovohen dhe të na reklamohen “si gurë qosheje” të Akademizmit Shqiptar ndërsa emri dhe veprat e tij lihen në hije.

Edhe pse E Drejta e Pashkruar Njerëzore e kërkon që për të ndjerin të flasësh gjithmonë mirë, sot nuk do të flas në këtë mënyrë vetëm për hir të këtij zakoni të lashtë sa vet jeta por për arsyen dhe faktin e thjeshtë që Profesor Peter Prifti nuk ka nevojë për puthadorë, nderime të sheqerosura apo apoteoza Olimpi; vepra e tij flet më mirë për të! Studimet dhe kontributet e Profesor Priftit janë të panumërta (në gjuhësi, letërsi, histori, antropologji kulturore, politikë, etj) por unë do të theksoja disa prej tyre si më përfaqësueset.

Së pari, Profesor Peter Prifti është kontribuesi i parë shqiptar në burimin më të pasur, më të besuar dhe më të përpiktë dituror, në prestigjiozen “Enciklopedinë Britanike”. Ky kontribut i tij konsiston në 4 artikuj: “Shqipëria nga Epoka e Gurit në Kohën Tonë”, “Historia e Shqipërisë”, “Mbi Letërsinë Shqipe” dhe “Mbi Ismail Kadarenë”. Eshtë interesante të vëresh që asnjë prej intelektualëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit nuk ia nxë goja që ta përmënd këtë fakt. Po përse gjithë kjo heshtje?! Arsyet tashmë dihen. Smirë, xhelozi, shpirtvogëlsi, etj… dukuri tepër të zakonshme në kësisoj rrethesh të mbyllura, të cilët shpesh janë si puna e Mafias: “vrasin njëri-tjetrin”. Por Diellin po ashtu si Të Vërtetën nuk mundet t’I mbulojë dot kush me shoshë.

Së dyti, tek Profesor Peter Prifti shquajmë një prej ambasadorëve dhe apologjetëve më të shkëlqyer të Historisë dhe Kulturës Shqiptare. Ai jo vetëm që promovoi imazhin e një Shqipërie të Qytetëruar dhe Europiane por gjithashtu sa herë që ky imazh u cënua, u nëpërkëmb apo u shpërfytyrua prej ndonjë tabloidi të papërgjegjshëm (Time Magazine, National Review, Newsweek, US News & World Reports, etj) programi televiziv (CBS Broadcast) apo ndonjë gazetari të painformuar perëndimor, u angazhua devotshmërisht që t’ju shkruaj, t’i informoj, t’ju argumentoj madje shpesh edhe t’i furnizoj me informacione apo ti detyroj moralisht që të kërkojnë falje vetëm e vetëm që nderi dhe dinjiteti i emrit “Shqipëri” dhe atij “Shqiptar” të vihen në vendin e duhur.

Ai nuk ngurroi aspak që të evidentonte, ekspozonte dhe “të korrigjonte” falë gjuhës, morisë së fakteve dhe argumentimeve të tij brilante edhe artikuj të publikuar në enciklopedi serioze si: Encyclopaedia Britannica, Compton’s Encyclopedia, Encyclopedia Americana, Collier’s Encyclopedia, World Book Encyclopedia, etj. Dhe këtë gjë Ai nuk e bëri i shtyrë prej Unit të papërmbushur, megalomania apo grafomania, por sepse udhëhiqej nga besojma se imazhin e mire të Shqipërisë kudo në botë duhet ta farkëtojmë dhe mbrojmë po vetë ne shqiptarët. Profesor Prifti ishte një njeri patriot, një patriot në kuptimin klasik që George Orwell i jep kësaj fjale.

Së treti, këtë patriotizëm të spikatur ai e tregoi jo vetëm me angazhimin e tij aktiv në Komunitetin Shqiptaro-Amerikan apo në krye të “Vatrës” dhe të “Diellit”, por me një çështje e cila për të ishte “leitmotiv jete”; Çështjen e Kosovës. Paperi i tij shkencor “Kosovo in Ferment” (1969) i punuar gjatë kohës si kërkues në Qendrën për Studime Ndërkombëtare të Massachusetts Institute of Technology (MIT) shërbeu si një burim i dorës së parë për Departamentin Amerikan të Shtetit për t’u informuar mbi diskriminimin serb dhe gjëndjen e popullsisë shqiptare të Kosovës. Gjithashtu, së bashku me Profesor Arshi Pipën dhe intelektualë të tjerë patriotë ai shkroi një sërë artikujsh, letrash dhe op-ed me qëllimin e vetëm ndërgjegjësimin e opinionit publik amerikan mbi këtë çështje.Vepra e tij “Confrontation in Kosova: The Albanian-Serb Struggle” (1999) është një hulumtim i detajuar historiko-social- politik, vijim i paperit të nisur në MIT i cili rresht me nisjen e Luftës së Kosovës. Profesor Priftit do t’i bëhej zemra mal nga gëzimi teksa do ta shihte Kosovën martire si një vend të lirë e të pavarur në vitin 2008, nën garancinë e idealit të tij demokratik, Amerikës. Një ideal për një tjetër ideal, të cilin e dëshmoi në gjallje të vet.

Si përfundim, mund të themi që ky intelektual i cili u shua si një yll dhe jo si një kandil që e fik çdo lloj ere, përmes veprës së vet (pavarësisht Vlerë-Mohuesve) do të vazhdoj të na flasë në çdo kohë. Për të qëndron denjësisht konstatimi emblematik i Ciceronit: “Mors terribilis iis, quorum cum vita omnia exstinguuntur, non iis quorum laus emori non potest”. (Vdekja është diçka e tmerrshme për ata që shuhen përgjithmonë nga jeta, jo për ata që lënë një emër të pavdekshëmpas).

https://gazetadielli.com/profesor-peter-r-prifti-kontribuesi-i-pare-shqiptar-i-prestigjiozes-diturore-encyclopaedia-britannica/

Please follow and like us: