Albspirit

Media/News/Publishing

Revista “Vatra e Lirisë, ka një qëllim fisnik atdhetar

 

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Kisha dëgjuar se Dega e Veteranëve dhe Pasardhësve të Matit kishte një revistë periodike, por nuk e kisha hasur gjëkundi. Krejt rastësisht në studion M&B, më zurin syri këtë revistë dhe më tërhoqi marketingu i bërë shumë bukur dhe e mora që ta shikoj. Miranda Kaloshi, pronarja më tha që, – ke një artikullin tuaj. – Do ta marr një, – unë i thashë, por më tha se, – janë të porositur për disa veteranë. Marr në telefon botuesin Sefer Duka, një miku im, dhe i them që, – do të marr një revistë, – me kënaqësi dëgjova zërin e plotë të tij, të jehuar dhe nga oshëtima e maleve të Matit.

Titulli i revistës historik-kulturore “Vatra e Lirisë”, është organ i Komitetit të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ, Mat. Ishte viti i dytë i botimit dhe nr. 8 që më ra në dorë. Me shumë interes e nisa leximin e kësaj reviste, e cila paraqitet para publikut matjan, por dhe më gjerë.

Revista një emër i ri në shtypin shqiptar

Është një emër disi i veçantë, që e dikton një qëllim i madh. Ky emër një përkim, ndoshta të rastit, veç krejt domethënës. “Vatra e Lirisë” ka filluar të “flas” që një vit më parë, në 78 vjetorin e çlirimit të Atdheut, kur pas një lufte heroike, që, për nga përmasat dhe vlerat e saj, është njohur si epopeja më e lavdishme e historisë së popullit tonë për liri e pavarësi, partizanët trima, mbarë populli shqiptar, triumfuan mbi pushtuesit e huaj nazi-fashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre vendas.

Revista “Vatra e Lirisë” i ka vënë vehtes një qëllim, ka marrë përsipër një detyrë: të materializojë atë varg të madh të muzës popullore, që, njëherazi, shpreh vlerësim, dashuri e habi, kur, duke iu drejtuar veteranëve dhe pasardhësve ka si mision: “Liria është e drejta për të bërë atë që ligjet lejojnë”.

Dega e Matit e Veteranëve dhe Pasardhësve, me këtë revistë, obligohet që të mbajë gjallë veprën dhe idealet e dëshmorëve dhe të gjithë partizanëve dhe luftëtarëve që luftuan e sakrifikuan aq shumë në atë luftë, madhështia e të cilës i tronditi rëndë ata që, në planet e tyre strategjike, pushtimin e Shqipërisë e kishin konceptuar si një “shëtitje zbavitëse”.

U desh qëndresa heroike e Mujo Ulqinakut dhe e Qemal Stafës, u deshën aktet heroike të dëshmorëve dhe luftëtarëve të Matit, u desh qëndresa burrërore legjendare e një populli të tërë, që bota të mësonte se Shqipëria di të flasë me një gjuhë dikur të harruar.

Gjithë ata mijra e mijra partizanë, të inkuadruar në qindra çeta e batalione, në dhjetra brigada e deri në divizione e korparmata, gjithë këta kryengritës të armatosur, morën përsipër rrezikun, bënë tërë ato sakrifica, derdhen gjak e dhanë edhe jetën, të gjitha këto, për lirinë e pavarësinë e Atdheut të tyre të dashur, për të shporur nga ky truall i shenjtë çdo ushtar të huaj. Ky ishte ideali i tyre. Ky ka qenë e mbetet ideali i përhershëm i shqiptarit, ndaj dhe mbetet i pavdekshëm. Nuk ka gjë më të bukur se sa kur lufton e bie për Mëmëdhenë. Është krim të çvlerësosh apo akoma me keq, të shtrembërosh këtë ideal.

“Vatra e Lirisë”, kjo krijesë e re e shtypit shqiptar, edhe pse po lind në një kohë të vështirë, kur forca të caktuara revanshiste, të vjetra dhe të reja, mundohen të mohojnë veprën e dëshmorëve, të veteranëve të lavdishëm, t’i rrëzojnë ata nga piedestali i lavdisë ku i vendosi populli mirënjohës, e të vendosin në ato piedestale “nacionalistë” e “antikomunistë” të çdo ngjyre, pra, edhe pse po lind në shtrëngatë, revista do të mundohe të mbajë gjallë veprën e dëshmorëve, të mbrojë idealet që frymëzuan ata në atë vepër sublime.

Në faqet e “Vatrës së Lirisë” familjet e veteranëve do të “takohen” me njerëzit e tyre të dashur; luftëtarët e LANÇ-it dhe pasardhësit e tyre do të “shmallen” me bashkëluftëtarët e tyre dëshmorë, me të cilët i ndau plumbi i dushmanit dhe i tradhëtarit. Me rubrika nga më të ndryshmet, shokoj se revista juaj po mundohet të “shfletojmë jetën e të rënëve në tërë gjerësinë që ajo pati, por dhe të veteranëve. Revista me sa shikoj unë po mundohet që t’i “ngjallë” edhe një herë të rënët, veteranët e ikur nga jeta dhe të “flasim” dhe të “diskutojmë” për shqetësimet, merakët dhe amanetet e tyre; të njohim vlerat e tyre njerëzore dhe intelektuale.

“Vatra e Lirisë” e gëzoftë dhe e meritoftë emrin e saj kuptimplotë!

Botimi i kësaj reviste për mua si pasardhës veterani nga Vlora ka qenë një çast i shënuar që më ra në dorë ku flitet për jetën dhe veprimtarinë e degës së Matit. Pikërisht ky çast historik për Ju veteranë dhe pasardhës të LANÇ-it në Mat, më jep rastin e gëzuar, tu falënderoj edhe në emër të Shoqatës së Historianëve Ushtarak të Shqipërisë, duke u përshëndetur dhe uruar me zemër daljen në qarkullim të kësaj reviste militante dhe t’i uroj kolegjumit të saj suksese në detyrë.

E botuar në këto çaste të trazuara, revista do të mund të kontribuojë fuqishëm për qartësimin e të gjitha problemeve që lidhen me të vërtetat e padiskutueshme të LANÇ-it, sidomos me ato të vërteta, që historia i ka të shkruara me gjakun e pastër të atyre që u bënë fli në altarin e lirisë. Në këtë mënyrë, kjo revistë do të jetë një jetëshkrim i madh i lavdisë së vërtetë të populit tonë; një jetëshkrim i përgatitur, jo vetëm nga ata që e dinë të vërtetën e madhe të epopesë së lavdishme të LANÇ-it, por edhe nga ne, pasardhësit që na dhimbset sinqerisht gjaku i derdhur për liri.

Me botimin e numrit të parë, shpresoj dhe besoj se “Vatra e Lirisë” do të radhitet e denjë në vargun e gjatë të organeve të shtypit pluralist shqiptar, si një zëdhënëse e fuqishme e veteranëve të LANÇ-it në Mat. Një gjë të tillë ma përforcon bindja e patundur, se tematika e përcaktuar me bosht mbrojtjen dhe lartësimin e veprës që na lanë trashëgim martirët e vërtetë të lirisë do t’i japë lexuesit shqiptar në Mat e më gjerë një revistë me mendime dhe frymëzime atdhetare dhe demokratike. Le të bëhet “Vatra e Lirisë” një shok i pandarë për të gjithë anëtarët e Organizatës së Veteranëve deh pasardhësve të LANÇ, për cilindo tjetër, që dëshiron dhe aspiron të jetojë ndjeshëm me idealet e shenjta me të cilat dhe për të cilat ranë aq bij e bija nënash trimëresha.

“Vatra e Lirisë” e gëzoftë dhe meritoftë emrin e saj kuptimplotë; u botoftë gjatë dhe pandërprerje deri në përjetësi duke përfshirë në faqet e saj gjithçka të pavdekshme që ekziston në Mat dhe Shqipëri; u shndërroftë në një tribunë të fuqishme të veteranëve dhe pasardhësve rreth së cilës të mund të afrohen të tërë ata që e kanë ideal shënjtërinë e Luftës për çlirim; kjo revistë zëntë sa më shpejt vendin e saj të merituar ne radhën e shtypit pluralist, për të kontribuar sa më konkretisht në vendosjen dhe forcimin e një demokracie të vërtetë. Nga leximi i nr. 8, gusht 2023 unë e kuptova qëllimin dhe platformën e miratuar për revistën, që me rubrikat e menduara në faqet e saj, “Vatra e Lirisë” do të njohë lexuesit e vet me jetën dhe veprën e pavdekshme të dëshmorëve, të veteranëve, por dhe të pasardhësve, si dhe me një sërë problemesh aktuale, që shqetësojnë degën e Matit, që ka marrë përsipër të mbrojë idealet e LANÇ-it, amanetin e heronjëve dhe të dëshmorëve që ranë në të, por dhe të veteranëve të larguar nga jeta.

Daljen e revistës e kërkoi koha…

“Vatra e Lirisë” është një zë i veçantë, është një homazh për veteranët për ata që luftuan deh fituan e ndërtuan Shqipërinë socialiste me djersën dhe sakrificat e tyre të pamatura dhe të pavlerësuara. Dalja e kësaj reviste nuk erdhi si diçka e rastësishme, si diçka që iu shkrep në mëndje disa burave e grave nga Mati. Daljen e revistës e kërkoi koha, e kërkoi zëri i vetëdijshëm i veteranëve plot me dhimbje në mbrojtjen e një gjëje të madhe dhe të shenjtë, siç ishin sakrificat e partizanëve të lirisë. “Vatra e Lirisë”, duke luftuar për të mbajtur të gjallë kujtesën e njerëzve për veteranët, do të formojë një opinion të gjerë, do të zgjojë ndërgjegjet e fjetura për të mos qëndruar pasive ndaj përdhunuesve të historisë.

Në anketen e biografisë së çdo populli ka një pikë të veçantë ku pyetet: “Sa veteranë ishin dhe janë?”. Këtë pikë të anketës së biografisë së popullit kërkojnë ta fshijnë ata që marrin nëpër këmbë veteranët, cilido qofshin ata. Revista “Vatra e Lirisë” mbron këtë biografi të shenjtë të popullit, prandaj ka një mision të lartë qytetar, ka një qëllim fisnik atdhetar e patriotik. Nuk ka njeri të ndershëm që të mos e përgëzojë dhe përshëndet këtë revistë, prandaj urime dhe suksese të mëtejshme.

Please follow and like us: