Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Lutfi Alia: SHËN JERONIMI I ILIRISË

-…një nga tre baballarët e Kishës Kristiane, për çka dhe varri i tij ndodhet në Vatikan pranë varrit të Shën Pjetrit-

Jeronimi është lindur në vitin 340 pas Krishtit në Stridone, një fshat i vogël në veri të Provinces së Ilirisë, në një periudhë kohe, kur ende nuk ishte shuar jehona e Konsilit të Nikeas, që çkishëroi Arion dhe ku përfaqësuesit e Ilirisë dominuan këshillin, madje u aprovua njëzëri dhe formula e tyre e lutjes për trinitetin.

Jeronimi shkoi në Romë në moshë të re për të kryer studimet në shkollën e gramatikut të shquar Elio Donato, ku shpejt u shqua si nxënësi më i zellshëm. Dhuntit e inteligjencës dhe kujtesa e jashtëzakonëshme e nxitën të studiojë kulturën klasike e të mësojë permendësh veprat e Katullo e të Lukrecios, madje mësoj gjuhën greke, çka e ndihmoi të lexojë tekstet origjinale të Platonit, të Aristotelit e të Tuqididit.

Pasi mori diplomën me rezultate të shkëlqyera, Jeronimi u transferua në Akuileia (e ashtu -quajtura dhe Sodoma e Ilirisë), ku së bashku me disa miq të tij themeloi një manastir. Ishte një asket vegjeterian, agjëronte e kalonte pjesë të madhe të ditës me lutje. Predikimet e Jeronimit ishin tepër elekuente, por me një ton të ashpër për jetën e çthurur të Akuileas, madje kritikat e hapura nga ana e Jeronimit nuk i pëlqenin peshkopit, i cili në fakt ishte me moral jo të pëlqyeshëm nga populli. Kur e njohu mirë peshkopin e sidomos kur u ndodh nën presionin e tij, Jeronimi dhe miqtë tij e braktisën Akuilean e shkuan në Antiokia, ku ai hyri në një manastir, por dhe këtu nuk qëndroi gjatë e me pas shkoj ne shkretirën e Sirisë, ku jetoj për katër vjet në vetminë e eremitit, i shoqëruar nga librat e shumtë, që ishin miqt e tij më të mirë, sidomos veprat e Kutullo, që i lexonte vazhdimisht e më shumë se sa Ungjillin. Jeta e asketit dhe klima e rëndë e shkretirës ia lënduan shëndetin, madje u dobësua shumë e flokët i u thinjën. Në vitin 379 u rikthye në Antiokia ku u emërua prift. Kultura që kishte formuar, oratoria dhe aftësia e veçantë predikuese në fjalimet para besimtarëve dhe masës popullore, e bënë shpejt të njohur në botën kristiane.

Në vitin 382, Papa Damazo e kërkoi të rikthehej në Romë, ku e emëroi në detyrën e sekretarit personal dhe i besoj përkthimin në gjuhën latine të Testamentit të Ri. Jeronimi u sistemua ne Laterano, ku punoi me një dedikim të jashtëzakonshëm, me impenjime jo vetëm si përkthyes, por dhe si prift në kishat romane. Jeronimi, si shkruan vetë, predikoi kristianizmin nga Iliria në Romë. Vishej me një mantel të bërë me lëkurë dhie, mbante një tunikë të leckosur, ecte zbathur e mbante në qafë një kryq druri. Hante në këmbë në një tas balte e flinte i shtrirë në kashtë. Prelatët e Kurias e shihnin me përbuzje dhe e përçmonin për mënyrën e jetesës, madje ishin xhelozë dhe kishin cmirë për aftësitë intelektuale e për karakterin e tij krye mëvete.

Jeronimi ka qenë person me dhunti të larta per kohën e tij. Me kërkesën e Papës Damazo e përktheu Biblën nga gjuha aramaike dhe hebraishtja në gjuhën latine, që ka hyrë në historinë e njerëzimit me emërin “Vulgata”, ku shenjtori ynë shprehu kulturë në përkthim dhe delikatesë në interpretimin e stilin e shkrimit në gjuhën latine të Biblës, e cila që nga kjo kohë i ka shërbyer masivisht kristianizmit dhe njerëzimit.

Gjatë kësaj kohe që ndodhej në Romë, Jeronimi është përfolur shumë për miqësinë me dy gra të shoqërisë së lartë Marçelën dhe Paolën, të njohura për filantropizmin e tyre. Këto dy zonja e kishin shpallur Jeronimin këshilltarin e tyre shpirtëror. Jeronimi frekuentonte shpesh sallonin e këtyre dy zonjave e gjatë shoqërisë në këtë mjedis bënte komente, recitonte Biblën e bënte propogandë per vlerat shpirtërore e shoqërore të virgjinitetit e të beqarnisë. Këto marrëdhënie miqësore ndikuan që të akuzohej për relacione intime me këto dy zonja aristrokrate, por Jeronimi i fyer e i zemëruar i hodhi poshtë këto shpifje dhe replikoi me akuzuesit e tij me një filipik violente, ku u shpreh kundër grave që lyheshin, që mbanin paruke, që zbulonin trupin më tepër seç duhej, madje kritikonte ato femra që bënin aborte. Në këtë filipik, Ai nuk kurseu kritikat dhe ndaj priftërinjëve që visheshin me rroba tepër të shtrenjta, duke propoganduar për të gjithë veshjen dhe jetën e thjeshtë.

Ndër të tjera, Jeronimi ishte kundër martesës, madje deklaronte hapur se plaga e njerëzimit është martesa, për çka e konsideronte mëkatin i tetë kapital, duke i u kundërvënë kishës, që e kishte shpallur martesën të shenjtë. Ishte i obsesionuar për seksin, për çka propozonte  të “luftohet pema e martesës me forcën e virgjinitetit”. Predikimet e tij kishin krijuar shumë simaptizantë.

Në një letër që i dergonte një vajzë të re me emërin Eustokio, ai shprehet me ekzaltim për kënaqësitë e pastërtisë së saj morale. Sipas kronistëve të kohës, Jeronimi e bëri këtë replikë ndoshta për t’i u kundërvënë shpifjeve të njerëzve shtjerrakeqas, që e akuzonin si imoral e kundër atyre që e përçmonin sepse nuk kishte shijuar kurrë kënaqësitë e luksurit. Gjithashtu, në këtë letër, Jeronimi shkruante se virgjiniteti humb dhe kur mendohet për seksin dhe për t’u çliruar nga këto mëkate rekomandonte jetën me sakrifica dhe agjërimin.

Pas bërjes publike të letrës disa vagabondë të asaj kohe e rrahën rëndë. Nuk mjaftoj kjo, por dhe një ngjarje tjetër e rëndoi pozicionin shoqëror të Jeronimit. Në vitin 384, një vajzë tjetër askete, vdiq pas një agjërimi të gjatë e atëhere e ëma e saj, akuzoj Jeronimin si shkaktar i vdekjes të së bijës dhe romanët e ndërsyer kërkuan ta vrisnin duke e hedhur në lumin Tevere, nga doli me shumë mundime, i dërmuar shpirtërisht e fizikisht.

Në këto rrrethana ndërhyri Papa, që e mori në mbrojtje, por pas këtyre ngjarjeve Jeronimi u detyrua të largohej e së bashku me të bukurën Eustokio shkoi në Betlehem, ku u vendos në një shpellë duke iu dedikuar studimit e lutjeve në atë pjesë të shkurtër të jetës që i mbeti. Pas pak kohe vdes virgjeresha Eustokio, duke e lënë Jeronimin në vetminë askete e të izoluar nga bota.

Në vitin 419 Jeronimi vdes në vetminë sublime e munduese, që nga ana tjetër e frymëzoi për të dhënë atë prodhimtari shenjtërie e dokumentare, për çka është konsideruar me të drejtë si një nga tre baballarët e Kishes Kristiane, për çka dhe varri i tij ndodhet në Vatikan, pranë varrit të Shën Pjetrit.

Jeronimi ishte shenjtor, por dhe një moralist i shkëlqyer e tepër luftarak. Ishte i pa kursyer e i rreptë në kritikat ndaj Patriarkut Xhiovani të Jeruzalemit, që e krahasonte me Judën dhe me Ambroxhion, që e quante korbi i kristianzimit. Ky karakter e bënte të grindej shpesh me miqtë dhe t’i persekutonte me kritika publike armiqtë, sidomos ato që e akuzonin për imoral, hipokrit e koprac.

Megjithatë edhe sot teologjia kristiane i është borxhlie Shën Jeronimit, për meritat qe ka në përkthimin e Biblës, për gjuhën e përsosur latine, për kulturën erudite, për oratorin në predikimet fetare, për moralin e pastër, që sfidonte imoralitetin e Romës në degjenerim, për rigorozitetin dhe aktivitetin e tij si prift.

Figura e Shën Jeronimit, të këtij iliri të shquar, paraprihet nga ajo e Shën Eleuteri (epiriot nga Nikopea – Preveza e sotme), Shën Asti (ilir nga Durrësi), nga Shën Eusebi (ilir nga Apollonia), Shën Donato (ilir nga Shkodra) etj, por ka shërbyer si shembull frymëzimi për shoqërinë kristiane mbarëboterore dhe për shenjtorët e tjere ilirë, pothuajse bashkëkohës i priftit kosovar Niketa (Dardani) autori i ‘Te Deum’ – hymni i kristianizmit dhe me pas i Shën Pjetri i Ilirisë, i mirënjohur për meritat e veçanta në përhapjen e konsolidimin e kristianizmit e në shenjtërimin e shumë kishave romane dhe Ilire, që dhe aktualisht janë ende aktive.

Please follow and like us: