Albspirit

Media/News/Publishing

Astrit Lulushi: Gabim i pafalshëm

Sot, të padenjë janë ata që “Nëna Parti” i përfshihu në gjirin e saj, dhe shpejt u ndjenë si në shtëpinë e tyre. Aty lulëzuan dhe çdo aromë e tyre ishte helm që kjo “nëne” çlironte, dhe me të prekën popullin.
Më pas, 1991, u strukën; sot kanë dalë, mburren për “heroizmat” e tyre. Sikur harrojnë se me çfarë qëllimi u shtynë t’i bënin – kundër njeri tjetrit dhe të tjerëve – në kurse e shkolla partie mësonin.
Më kujtohet një tregimtar i rrallë, që fliste me vete, nuk dihet për cilin a çfarë, Me këpucë copë e rroba të vjetra, ai endej si i krisur. Atij që takonte, i kërkonte një cigare. Apo një tjetër, të cilin e internuan pasi nuk donte të votonte në ato që vetëm zgjedhje nuk ishin. Po për “profesorin”? – i cili banonte mbi kanalin e  ujrave të zeza të zooteknikës, dhe nuk ankohej, sepse e dinte Partia këtë çështje.
Të gjitha këto i kujton, duket sikur më kanë ndodhur me të. Më shumë e mbushin me urrejte për atë rregjim, i cili ende nuk është përgjigjur për bëmat, dhe sot është rinovuar e në pushtet.
Gabim i pafalshëm, o njerëz! Ju mund ta ndryshoni klimën. që ata të thahen e zhduken nga jeta politike, sepse është jeta juaj që përpiqeni, jo e shkuara e tyre.
Nuk do të ishte e drejtë të mos flasësh për ato vite. Lapraka ishte një lagje nga koha e pushtimin italian. Kishte pranë edhe një fushë aviacioni. Pallatet e ngritura dy katëshe po të shiheshin nga lart krijonin nje D të madhe për Duçe. Pas ikën oficerët italianë të aviacionit që banonin atje, në banesat e tyre hynë oficerë komunistë dhe mes tyre populli. Pastaj, në fund të viteve ‘50 filluan të shfaqeshin shtëpitë private me kredi shtetit. Më vonë, u ngritën pallate në qendër e rreth, me dyqan veshjesh, ushqimesh e pastiçeri dhe kështu Lapraka mori pak a shumë formën që ka; librari, kinema, shkollë dhe fushë futbolli, nga e cila Bashkia nuk heq dorë nga idea për ta mbushur me pallate betoni.
Një rrugë me plepa në të dy anët, vjen nga rruga e Durrësit dhe shkon drejt spitalit ushtarak.
Edhe argëtim për fëmijë “kishte”; ata uleshin në stola, ose shkonin tek kinkaleria aty pranë, blinin cigare të hapura, nga një lek copa, i ndanin në gjysëm me njeri tjetrin, dhe i pinin pas murit të kopshtit. Aty, nën rrezet e diellit, ata lexonin copëra gazetash e tregonin barcaleta.
Kishte edhe një banjo publike, ku pastruesi, ndonjë i deklasuar, linte kovën dhe fshesën dhe bashkohej me grupin e fëmijëve për të luajtur “yç”. Ai gjithmonë fitonte, ia merrte cigaret, dhe ata iknin me vrap duke e sharrë nga inati. Kjo ishte fëmijëria atëhere. Në këtë mënyrë trajtoheshin fëmijët nga të cilët partia i kishte hequr ose jo shpresat.
Pa zënë vend këto gjëra, histori të asak kohe nuk mund të ketë. Lëre se ç’thonë filmat dhe letërsia e realizmit socialist. Poetë u vranë sepse shkruanin ndryshe. Filmat, O Zot, ishin çoroditës, krejtësisht propagandë e stërholluar. E kalisnin fëmijën, si hekurin e nxehtë në ujë të ftohtë, dhe i jepnin formën që donte shteti; të spiunonte nënë e babë “pasi Partia ishte ‘prindi’ i tyre i vërtetë” – u thoshte – asgjë tjetë mbi Partinë që e quante veten Diell.
Qëndron para kompjuterit, ngul sytë në atë që ka shkruar, duke i shkuar nëpër mend të gjitha. Pastaj u kthye në shtrat. Iu desh mjaft kohë për të fjetur – nuk ishte i lodhur – më në fund gjumi e zuri. Megjithatë, ajo që ndjeu ishte sikur hidhej nga një dritare. Ndoshta do ta kishte bërë, nëse do të ishte i sigurt se dikush do ta priste. Nuk donte që një tufë qafash budallenjsh të përkuleshin dhe ta shikonin kur ishte i vdekur. Dhe u zgjua, bërtiti një çast, sa e kuptoi se kishte parë ëndërr të turbullt, si fëmijëria e tij.
Please follow and like us: