Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: Kush është sot më tepër fajtor për problemet e Ballkanit?

Ka persona që guxojnë të na thonë: “Në qoftë se duam që problemet me të vërtetë të zgjidhen; duhet të heqim dorë nga frika, hipokrizia e të folurit “politikisht korrekt” dhe t’i paraqisim faktet ashtu si janë dhe të bëjmë analiza sipas parimeve të së vërtetës. Politikanët perëndimorë, kur flasin për problemet e Ballkanit origjinën e tyre duan ta gjejnë gjithmonë te influenca e Perandorisë Otomane, te ballkanasit vetë etj, etj. Kur dikush guxon të verë në dukje ndonjë gabim të politikës Evropiane dhe, larg qoftë, të fajësojë këtë politikë për problemet në Ballkan; ky person duhet të pregatitet të përballojë sulme të furrishme nga politikanët Evropianë. Sulme edhe më të furrishme do t’i vijnë nga puthadorët e tyre në Ballkan. Askush nuk e mohon influencën negative të Perandorisë Otomane në Ballkan. Askush nuk mohon as edhe vetë fajësinë e ballkanasve për problemet e sotme, por po të analizojmë faktet na duhet të konkludojmë se fajtorët kryesorë për problemet me të cilat përballet sot Ballkani janë kryesisht të shkaktuara nga gabimet, nga verbëria dhe hipokrizia e politikës zyrtare të Evropës ndaj Ballkanit.

Pas Luftës së Parë Botërore pasoi gabimi tragjik i diplomacisë Evropiane që pranoi planin e projektin e Perandorisë Ruse për Ballkanin. Kështu u krijua Mbretëria Serbo-Kroato- Sllovene e cila më vonë u pagëzua me emrin Jugosllavi, një shtet artificial krejt sipas oreksit të Perandorisë Ruse. Për krimet serbe kundër kombeve e kombësive të tjera nga administrata shtetërore e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene diplomacia Perëndimore kish premtuar të mos fliste. Këtë premtim diplomacia Perëndimore e mbajti edhe më vonë kur kjo administratë u quajt Jugosllavi, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Shqiptarët, por edhe kombësitë e tjera, shtypeshin, persekutoheshin, torturohesin dhe vriteshin, kurse Evropa heshte. Pastaj na erdhi në fuqi Millosheviçi. Se sa e sukseshshme qe diplomacia Evropiane, se sa të sukseshëm qenë paqeruajtësit evropianë, “helmetëkaltërtit”, e treguan masakrat e Srebernicës, etj. Por më në fund, pas këtyre krimeve monstruoze u duk sikur Perëndimi, madje dhe vetë Evropa, u zgjua nga gjumi letargjik në të cilin kish rënë që pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore. Por për fat të keq nuk ndodhi kështu. Menjëherë pas Luftës së Kosovës diplomacia Evropiane u rikthye në traditën e vjetër. Po mundohej me çdo kusht të vinte shënjën e barazimit midis viktimave dhe vrasësve, madje t’u ndryshonte vendet. Shpesh deshin të na mbushin mendjen se ata, popullsia civile dhe jo çetnikët sadistë ishin fajtorët e vërtetë, kurse luftëtarët e lirisë, ata që iu kundërvunë çetnikëve, ata u cilësuan si kriminelë e sadistë, madje trafikantë organesh etj, etj. Se si mundeshin këta luftëtarë që luftonin maleve dhe nuk kishin jo vetëm spitale e mjete të sofistikuara, madje shpesh as çadra ku të flinin, të organizonin biznes me organe, aq më tepër kur edhe rrugët nuk i kishin të lira të qarkullonin, pa mundësi komunikimi, etj. kjo nuk kish rëndësi. Mjafton që kështu i cilësonte dhe i akuzonte ata administrata e Millosheviçit; ministri i tij i propagandës Vuçiç dhe administrata e tij. Kjo mjaftoi. Dhe këto akuza mbeten si të vërteta deri sot.

Pastaj na vjen në pushtet Joseph Goebbels-i i Millosheviçit, Vuçiç. Pavarësisht nga e kaluara e tij politike, pavarësisht nga deklaratat e tija se ai për një sërb do të vriste 100 myslimanë ai u pranua nga diplomacia perëndimore. Jo vetëm kaq po diplomacia evropiane e vendosi besimin e saj të plotë tek Vuçiçi, e shpalli si personin që do të na sillte paqen në Ballkan. Joseph Goebbels-i i Millosheviçit papritur na u bë shpresa dhe “kampioni i paqes”, si ai që do të sillte pajtimin e vllazërimin midis popujve të Ballkanit. Diplomacia Evropiane jo vetëm që besonte, po të quante “heretik” të mos besonje se ish pikërisht Joseph Goebbels-i i Millosheviçit ai që do të shëronte plagët që shkaktoi regjimi e masakrat e Millosheviçit, regjimi nën të cilin ai mbante postin e ministrit të propagandës. Një mprehtësie e largpamësie të tillë diplomatike zor se ja gjen shoqen në gjithë historinë njerëzore. Po na ndodhën gjëra të paaparashikuara, si për shembull sulmi në Banjskë, etj. Tani as miqtë më të ngushtë të Vuçiçit: Lajçak e Borell nuk e gjenin më mënyrë tja u hidhin fajin shqiptarëve. Shpresuam se tani më në fund do të zgjohet Evropa. Por fatkeqësisht, ende jo: Kryetari i Partisë Republikane të Serbisë, Nikolla Sandulloviç vendos lule mbi varret e Jasharajve. Mjaftoi një gjest i tillë human që ai të rrihet në mënyrë barbare nga policia sërbe aq sa të jetë në rrezik jete. Tani i izoluar pa asnjë të drejtë të komunikimi. Diplomacia Evropiane hesht. Në agjensitë e lajmeve në Evropë na transmetohet se janë bërë hapa të rëndësishme drejt një paqeje të qëndrueshme ne Ballkan: Ja po realizohet marëveshja e tagave midis Kosovës dhe Serbisë. Të na rrojë demokrati, Joseph Goebbels-i, i Millosheviçit Vuçiç! Nën drejtimin e tij gjithshka është në duar të sigurta! Po për Kryetarin i Partisë Republikane të Serbisë, Nikolla Sandulloviç?!! Për të si diplpmacia ashtu edhe shtypi demokratik i Evropës hesht. Nuk komenton as rrahjen, arestimin, izolimin as deklaratat zyrtare që e akuzojnë se ka kryer një vepër penale të intolerancës kombëtare, racore dhe fetare, thjesht për “krimin” se vendosi lule mbi varret e shqiptarëve, viktima të regjimit të Millosheviçit e Vuçiçit.

Domethënë sipas diplomacisë dhe shtypit evropian, të paktën deri sot, meqë Sërbia lejon të kalojnë makina me targat e Kosovës, është hedhur baza për paqe dhe madje vllazërim midis shqiptarëve dhe sërbëve. Kjo tregon se Vuçiçi dhe regjimi i tij na qënkan vërtet “demokratë”, me ata mund të bisedohet, me ata mund të arrihet një paqe e qëndrueshme. Fakti që ndërkohë Kryetari i Partisë Republikane të Sërbisë Nikolla Sandulloviç rrihet për vdekje pastaj edhe në gjendje tepër të rëndë mbahet i izoluar. Fakti që një kryetar partie politike trajtohet në këtë mënyre, vetëm për “krimin” ka vendosur lule në varret e shqiptarëve akuzohet nga qeveria serbe se ka kryer një vepër penale të intolerancës kombëtare, racore dhe fetare, etj., etj., nuk quhen të rëndësishme, ato as nuk meritojnë të permenden. A mund të themi se Diplomacia Evropiane në këtë rast po vepron sipas parimeve të drejtësisë, lirisë dhe demokracisë? Kush është sot më tepër fajtor për problemet e Ballkanit?

Please follow and like us: