Albspirit

Media/News/Publishing

Frederik Ndoci: Apeli im, lutu për Eduard Jubanin!

Pa më pyet kush, dëshiroj të ndaj nji arësye pagjumsie qysh mbramë…

Mu ngul si nji gjylpanë para disa ditësh nji lajm që shqetëson pak njerëz nëse nuk e dinë.

Nji artist i madh dhe kurrë i pa vlersuem nga asnji institucion, që nuk e shkoi as nëpër mend se shumkushi artist bleu çmime e statuja dhe asht sot pa rradhë i rreshtuem para Tij.

Ai ka disa ditë qe asht në koma…

Sa të dobët jena kur na vjen keq për lajme e nekrologji që na shqetësojnë për disa minuta gjer sa të shkruajmë pak rreshta ose me nji like mjaftohena…

Nuk ka artista të vegjël kjo botë, por ka artista xhonglerë dhe artistë modestë, ka artistë që Zoti i ka dhanë talent e ka artistë që me vullnet ia dhanë vehtes të drejten me u quejt artist.

Ka artistë që abuzuen me dashnine e Zotit dhe ka artistë që nuk e përfillën dashninë e Zotit.

Unë kurrë nuk i kam fut mes meje dhe atyne termin rival sepse më ka pas thanë nji rresht libri: “Askush nuk hin në varrin e dikuj tjetër”!

Ndoshta shpesh frymorë që pa pritur më thërrasin pas shpatullave “koleg”, nuk më çudisin përderisa nuk i çudit në vetvehte guximi mos me m’thirr në emën.

Ai ishte dhe ashtë vërtet nji artist i madh që e pat këtë privilegj që barazohej edhe me diletantë edhe me superartistë edhe me thjeshtësinë e të Madhrishmes buzqeshte dhe nxirrte at za kadife të ambël dhe pa fund jepte vetëm kënaqësi…

Ka disa ditë në koma, me ëngjëjt rrethue, me të afërmit me sy të përlotun rreth shtratit të Tij.

Shpresa lutje …

E unë prapë s’mundem me e thanë emnin e Tij pa u ba gati cdo njiri prej jush që e lexon këta rreshta, lutu për Eduard Jubanin…

E unë kam disa ditë që i lutem të Madhit Zot…”na duhet artisti edhe pak o Zot”!

https://gazeta-shqip.com/aktualiteti/kengetari-i-mirenjohur-shkodran-eduard-jubani-ne-gjendje-te-rende-miqte-bejne-apel-per-ndihme/

Please follow and like us: