Albspirit

Media/News/Publishing

Et’hem Ruka: SI U NJOHA ME FAMILJEN KADARE?

Helena me Ismail Kadarenë dhe dy vajzat, Gresën dhe Besianën
Për herë të parë shkrimtarin e madh Ismail Kadare e kam takuar rastësisht në hollin e një hotel të Parisit. Kisha shkuar aty për të takuar një mikun tim shqiptar që kish ardhur me shërbim në Francë.
Sapo e pashë Kadarenë e përshëndeta gjithë dashuri, por ai më përshëndeti mjaft ftohtë. Kish të drejtë, nuk më njihte dhe nuk e dinte kush isha ndaj pati një lloj hezitimi. U perzantova menjëherë dhe i shpjegova se isha student shqiptar. Biseda jonë qe e shkurtër dhe u ndamë. Nuk e di nëse besoi që isha me të vërtet student.
Të nesërmen Kadareja ish ftuar në ambasadën tonë në Paris për të bërë një bisedë me ne studentët shqiptarë. Aty u përshëndetëm përsëri dhe pasi më pa iu kujtua që ishim takuar një ditë më parë në hotelin ku ishte sistemuar. Me tej nuk pata asnjë rast të takohesha me të.
Rastësia e solli që në vitin 1984 të njihesha me bashkëshorten e Kadaresë, Helenën, që në atë kohë punonte si redaktore në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori” në Tiranë. Unë e vizitoja shpesh shtëpinë botuese për të takuar profesorin tim Bajazit Shehun, të cilin e larguan nga Fakulteti i Shkencave gjoja me qarkullim kuadri, por që në fakt ishte një ndëshkim ndaj tij. Ai me prezantoi me disa nga miqtë e tij të rinj, midis të cilëve edhe me Helenën.
Për ne ishte nder i madh të takonim e përshëndetnim bashkëshortët Kadare që kishin emër të madhe në fushën e krijimtarisë letrare.
Mbrëmjeve, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u takonte qytetarëve të cilët dilnin shetitje. Nese do të doje të takoje dikë me shumë gjasa mund ta gjeje në këtë shetitje masive që ishte shndërruar në një ritual të përditshëm. Aty kishe rast të përshëndesje gjithë të njohurit. Rrallë më kishte qëlluar të shkëmbehesha me çiftin Kadare dhe të përshëndetesha nga larg me ta.
Një ditë të bukur, profesor Shehu më thotë se Ismail Kadare kërkonte të takohej me mua. U befasova që një shkrimar kaq i madh të kërkonte të takohej me mua. Unë isha thjesht një pedagog universiteti i sapokthyer nga Franca, e për më tepër nuk isha as njëri letrash. Isha i bindur që takimi i parë me të në Paris nuk kishte lënë ndonjë gjurmë në kujtesën e tij. Kisha dëgjuar opinione se Kadareja ishte pak i ftohtë në marrëdhëniet me të tjerët dhe nuk e ndante miqësinë aq lehtë me cilindo.
Profesori më tha se ai donte të diskutonte me mua diçka që lidhej me shkollimin e vajzës së tij të madhe, Gresës, e cila atë vit mbaronte shkollën e mesme. Profesori nuk më shpjegoi më tepër për motivin e takimit. Mesa dukej nismëtarja e vërtet e këtij takimi ishte Helena, e cila si çdo nënë kishte dilemat e veta për përzgjedhjen e shkollës së lartë për të bijën.
Për mua ishte kënaqësi të ulesha qoftë edhe për kafe me një personalitet aq të madh si Kadareja. Takimin, përmes profesorit, e lamë në kafen e Hotel “Arbëria”, sot Ministria e Drejtësisë.
U takuam në ditën dhe orën e caktuar. Porositëm kafe dhe biseda në fillim ishte e përgjithshme. Ndër të tjera i kujtova shkrimtarit takimin e rastësishëm në Paris. Nuk e di nëse e mbante mend vërtet, megjithëse më tha se i kujtohej. Më pyeti për punën në fakultet, por më shumë ishte i interesuar për ecurinë e degës së biologjisë. Nuk zgjati shumë dhe Ismaili u fut në temë.
Në një çastë më tha se vajza e tij, Gresa, ishte duke mbaruar shkollën e mesme “Sami Fraashëri” dhe i ish mushur mendja të studionte në fakultetin tonë të Shkencave të Natyrës për biologji. Të them të drejtën nuk e prisja. Mendoja se vajza e një shkrimtari do pëlqentë me shumë të studionte për gjuhë dhe letërsi se për shkenca të natyrës. Në shkollën ku ajo mësonte kishte një ndër mësueset më të mira të biologjisë në Tiranë, të cilën e njihja nga afër dhe e pata përfshirë në grupin e modernizimit të biologjisë në fund të viteve 1980.
Në ato vite të gjithë nxënësit mësonin me librat e bilogjisë që kisha shkruar unë. Besoj se mësuesja, por tërthorazi edhe unë mund të kishim ndikuar sado pak në përzgjedhjen që kish bërë Gresa Kadareja.
Mendova se Ismaili do më pyeste për t’u bindur nëse biologjia ishte zgjedhja më e mirë për të bijën, por nuk ishte ashtu. Gresa e kishte ndarë mendjen dhe nuk kishte asnjë mëdyshje për zgjedhjen që kishte bërë. Kadareja nuk më la kohë të vrisja mendjen me arsyetimet e mia dhe nxitoi të më thoshte se qëllimi i takimit nuk ishte për të kërkua ndonjë mbështetje që ajo të dilte me rezultate të larta.
Ai më shpjegoi se vajza e tij ishte nxënëse e shkëlqyer në shkollën e mesme dhe ashtu do të vazhdonte edhe në shkollën e lartë. Meraku i tij si prind ishte që Gresa të mos të gjente në Fakultetin e Shkencave një mjedis mbytës si ai që kish lënë pas në gjimnazin ku kish studiuar. Ajo që kërkoi nga unë ishte thjesht të kujdesesha për të që ajo të ndihej mirë dhe mos të paragjykohej.
Pak fjalë e opinione kisha dëgjuar edhe unë për diçka që i kishte ndodhur vajzës në jetën e saj private. Fëmijët e njërëzve të mëdhenj aq sa janë me fat, janë edhe fatkeq për t’i përgojuar edhe për gjërat më të vogla. Të them të drejtën nuk e prisja që Kadareja të ndante me mua shqetësimin që kishte për bijën e vet. E mora me mend që këtë shqetësim Helena e kishte biseduar me parë me profesor Shehun dhe ky i fundit mesa duket u kishte rekomanduar emrin tim si njeriun më të besuar të tij.
E sigurova me shumë kënaqësi Kadarenë se vajza e tij nuk do të kishte asnjë problem në fakultet dhe se do të ishte nën kujdesin tim, por pa rënë në sy të saj dhe të askujt tjetër.
Në shtator të atij viti Gresa filloi studimet në biologji. Ajo ishte një vajzë që fliste pak, por ishte e shkëlqyer. Ajo nuk kishte nevojë për asnjë lloj ndihme. Nëse edhe të tjerë merrnin dhjeta, ato të Gresës ishin me yll. E takoja rrallë Gresën dhe e pyesja me shumë takt nëse kishte ndonjë problem që e shqetësonte. Kurrë nuk i lashë përshtypjen që kujdesesha për të.
Gjatë atyre viteve fillova të takohosha me shpesh me Kadaretë. Një ditë më ftuan për drekë në shtëpinë e vet. U ndjeva shumë i nderuar. Aty njoha për herë të parë edhe vajzën e vogël të Kadareve, Besianën, që në atë kohë edhe ajo ishte gjimnaziste.
Në fund të vitit të dytë, Gresa u përzgjodh për të studiuar në biologjinë pesëvjeçare dhe e mbaroi atë me rezultate të shkëlqyera. Rezultati më i dobët për të ishte nota në stërvitjen ushtarake. Ky vlerësim i ulte mesataren, ndërkohë që të gjitha rezultatet e tjera ishin të shkëlqyera.
Ishte verë dhe sapo ishim kthyer nga stërvitja ushtarake në Drojë të Mamurasit. Po hanim drekën në shtëpinë tonë të vogël në rrugën “Mihal Grameno” kur dëgjuam trokitje në derë. Dola menjëherë ashtu si isha dhe u habita kur pashë çiftin Kadare. I ftova menjëherë brenda dhe ashtu i hutuar i ftova të uleshin.
E lamë drekën dhe pastruam menjëherë tavolinën e ngrënies. U ofruam nga një gotë birrë dhe filluam të bisedonim. Kadareja kërkoi falje për vizitën në orë të papërshtatshme, por ishte i shqetësuar për rezultatin e vajzës në stërvitjen ushtarake. U mundova ta qetësoja, pa ditur se çfarë mund të bëja. Kadaretë nuk qendruan shumë, kërkuan edhe një herë flaje dhe u larguan.
Të neserëmen takova oficerin e fakultetit, Kastriot Rezhdën, më të cilin kisha marrëdhënie miqësore. I shpjegova se nuk ishte e drejtë të penalizohej një studente vetëm për rezultatin e qitjes me armë, kur në të gjitha lëndët Gresa ishte vetëm me dhjeta. Për fat të mirë, procesverbalet e notave nuk ishin dorëzuar ende në sekretari dhe oficeri bëri korigjimin. Ky ishte i vetmi rast kur mu desh të ndërhyja për rezultatet e Gresa Kadaresë. Pa dyshim që Kadaretë e vlerësuan shumë.
Kështu, Gresa e mbaroi shkollën me diplomë të shkëlqyer dhe shumë e vlerësuar për sjelljen e saj. Atë vit na duhej të mbanim dy pedagogë të rinj. Në diksutimin që bëmë propozova Gresën. Ajo e meritonte plotësisht emërimin dhe jo se ishte vajza e Ismail Kadaresë.
Një nga kolegët tanë kundërshtoi ashpër duke thënë se ajo nuk e meritonte emërimin në Universitet. Si argument solli ndodhinë e jetës private, kur ajo në atë moshë nuk kish qenë veçse një vajzë adoleshente 16 vjeçare. E kundërshtova ashpër kolegun, sa që nuk di se çfarë lashë pa thënë për të hedhur poshtë argumentin e tij. E megjithatë, Gresa u emërua pedagoge në Fakultetin e Shekencave të Natyrës për biologji.
Por fati ndonjëherë të ndjek pas. Në fakultetin tonë kishin ardhur dy bursa studimi për në Francë. Propozuam Gresën. Ajo duhet të studionte në fushë e botanikës. U miratua dhe ia komunikuam vendimin. Ajo u bë keq se donte të studionte vetëm për biologji molekulare e gjenetikë. Nuk qe lehtë, por arritëm që tia ndryshonim fushën e specializimit.
Në vitet 1990, Kadaretë u zhvendosën në Paris dhe takimet e mia me ta u bënë gjithmonë e më të rralla. Pas shumë vitesh kur unë u emërova Ministër Arsimi, u takova edhe dy herë me Kadarenë, njëherë në restorant “Fiore”, në hyrje të Kavajës dhe herën tjetër në një panair libri të organizuar në Gjirokastër. Këto ishin takimet e mia të fundit me të.
Në tetor të vitit 2020 u ftova për një drekë në Kavajë. U gëzova shumë që aty ishte e ftuar edhe Helena Kadare. U takuam shumë miqësisht dhe folëm gjatë. Kur u ndamë bëmë një foto së bashku. Për mua ishte fat të njihja nga afër familjen e nderuar Kadare.
Sot njeriu i madh i letrave, Ismail Kadareja, feston të 88 -tën herë ditën e lindjes. I uroj jetë sa me të gjatë e të lumtur bashke me Helenën dhe dy vajzat e tij te mrekullueshme, Gresën dhe Besianën.
Please follow and like us: