Albspirit

Media/News/Publishing

Kastriot Dervishi: Spiuni i birucave, “Shushica” në Vlorë dhe “Qelqi” në Fier

Gjethnaja e spiunimeve
Në kampet dhe burgjet e komunizmit ka pasur bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Shumica e tyre pa ndonjë aktivitet, por një pakicë (ordinerë dhe politikë), kanë qenë me goxha aktivitet. Në pjesën më të madhe ata vinin nga radhët e komunistëve të përjashtuar nga partia. Këta shquheshin për zellin e madh sepse nuk dinin ku kishin gabuar përpara partisë dhe donin patjetër të lanin gabimet e padukshme. Sidomos ushtarakët dhe funksionarët ishin kategori që binin shpejt në rekrutim. Një histori të pabesueshme ka një person me arsim juridik. Ishte kryetar Komiteti Ekzekutiv, anëtar i PPSH-së, kur në vitin 1973 u ul nga funksioni deri sa u bë nëndrejtor fabrike. I gjetur në këtë pozitë, u orvat të arratisej, por në 27.9.1973 u kap nga dy fshatarë të Rrethit të Përmetit, kur ishte 2 kilometra larg kufirit. Gjykata Popullore Vlorë e dënoi me 15 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë. Pranoi bashkëpunimin me organet e Sigurimit, duke u regjistruar agjent me dy pseudonime “Shushica” në Vlorë dhe “Qelqi” në Fier. U përdor gjatë gjithë kohës së vuajtjes së dënimit, në biruca dhe në kampe. Aktiviteti i tij spikati në Repartin nr.309 Ballsh dhe Repartin nr.303 Spaç. E mbylli pikërisht aty ku e nisi në Vlorë, kur e nisën nga Spaçi për kombinacion agjenturor, por nuk mundi të jetojë sepse vdiq papritmas më 20.10.1985. Vuajti gjithsej 12 vjet e 23 ditë heqje lirie, e cila i korrespondoi një shume financiare të cilën e morën pasardhësit e tij. Bashkëpunëtorët e burgosur me aktivitet të këtij niveli, nuk duheshin dëmshpërblyer (mendimi im).
Please follow and like us: