Albspirit

Media/News/Publishing

Për brezin tim, arti i Kadaresë ka qenë i vetmi kumt lirie i shkruar

Yzedin Hima
Kadare sot feston ditëlindjen e 88-të. Për brezin tim tekstet e Kadaresë kanë qenë i vetmi kumt lirie i shkruar. Poezitë, tregimet, romanet e tij i lexonim duke kërkuar shenjat perëndimore te nënteksti, në misteret e simboleve, tej qelqeve të metaforave, thellë te vetja. Nuk i lexonim tekstet e tij, i përpinim në kërkim të një arome letrare tjetër nga ajo zotëruesja, në kërkim të një realiteti artistik, që të mos të kishte asnjë ngjashmëri, asnjë shembëllim me realitetin e njëmendët në të cilin jetonim, ku varfëria, mjerimi, dhuna, injoranca, cektësia, propaganda e kishin zhvleftësuar jetën njerëzore.
Edhe në autobusin e mësuesve, në rrugën për në shkollat e fshatrave, ndizej diskutimi për tekstet e tij. Lexuesit mediokër, të lumturit që rimonin me kohën, mësuesit skematikë dhe të limituar, spiunët e njohur apo të përfolur të Sigurimit dhe policisë, komisarët e reparteve ushtarake flisnin me urrejtje kundër Kadaresë, duke e akuzuar se ai nuk shkruan për lexuesin shqiptar, por shkruan për lexuesin perëndimor.
Edhe nga kjo thënie e kokëbunkerëve ndiheshim të mikluar, ndiheshim edhe ne disi perëndimorë.
Në këtë ditëlindje të shkrimtarit më të madh të lerërsisë shqipe, i uroj jetë të gjatë dhe shëndet të mirë.
Please follow and like us: