Albspirit

Media/News/Publishing

Europa Nostra: PROGRAMI I 7 MË TË RREZIKUARVE 2024

 

Monumenti arkeologjik i Mureve të Portës i përfshirë mes 11 monumenteve më të rrezikuara në Europë

 

Hagë / Bruksel / Luksemburg, 30 janar 2024

Monumentet dhe sitet e trashëgimisë në Europë të përzgjedhura në listën paraprake të edicionit të këtij viti, të programit “7 Më të Rrezikuarit” janë shpallur sot nga Europa Nostra, Zëri Europian i Shoqërisë Civile të Përkushtuar ndaj Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore – dhe Instituti i Bankës Europiane të Investimeve (EIB). Këto janë 11 monumentet më të rrezikuara në Europë për vitin 2024:

o Monumenti arkeologjik i Mureve të Portës, Durrës, SHQIPËRI

o Rezerva historike dhe kulturore Amberd, ARMENI

o Palais du Midi, Bruksel, BELGJIKË

o Streha e klasës punëtore (courées) në Roubaix-Tourcoing, FRANCË

o Ishujt Cikladikë, veçanërisht Sifnos, Serifos dhe Folegandros, GREQI

o Kisha e Shën Pjetrit në Gessate, Milano, ITALI

o Sinagoga e Sienës, ITALI

o Pallati Steinort, Masuria Veriore, POLONI

o Shtëpia e Ushtrisë Popullore Jugosllave në Shabac, SERBI

o Kisha greke ortodokse e Shën Georgios, Altınözü / Provinca e Hatajit, TURQI

o Porta e Hekurt Antioch, Antakja / Provinca e Hatajit, TURQI

Presidenti ekzekutiv i Europa Nostra, Prof. Dr. Hermann Parzinger, deklaroi: “Monumentet e përzgjedhura të trashëgimisë janë të kërcënuara nga shembja, zhvillimi i papërshtatshëm, impakti shkatërrues i fatkeqësive natyrore, neglizhenca dhe mungesa e financimit. Duke publikuar këtë listë, ne dëshirojmë të përcjellim një mesazh të fortë solidariteti dhe mbështetjeje për aktivistët dhe komunitetet lokale, të cilët janë thellësisht të përkushtuar për të ruajtur këto monumente. Trashëgimia e Europës duhet të mbrohet jo vetëm si dëshmi e së shkuarës sonë të përbashkët, por dhe si një katalizator për një të ardhme të qëndrueshme, kohezive dhe të paqtë”.

Dekania e Institutit të Bankës Europiane të Investimeve, Shiva Dustdar, u shpreh: “Trashëgimia kulturore është një burim kyç i identitetit europian, atraktivitetit dhe rritjes ekonomike. Kjo listë na kujton se sa delikate është dhe sa shumë e marrim për të mirëqenë. Së bashku me partneren tonë të vjetër, Europa Nostra, Instituti përforcon përpjekjet e komuniteteve lokale nëpër Europë, të cilët e dinë se ruajtja e trashëgimisë kulturore do t’i ndihmojë ata të tejkalojnë sfida të ngutshme. Ne shpresojmë t’i shohim monumentet të restauruara dhe të mbrojtura për brezat e ardhshëm”.

Monumentet e rrezikuara të sipërpërmendura u përzgjodhën nga një Panel Këshillimor ndërkombëtar, i përbërë nga ekspertë të historisë, arkeologjisë, arkitekturës, konservimit, analizimit të projekteve dhe financës. Nominimet për programin e 7 Më të Rrezikuarve 2024 u parashtruan nga organizata anëtare, organizata të asociuara ose anëtarë individualë të Europa Nostra, si dhe anëtarë të Aleancës Europiane të Trashëgimisë.

Përzgjedhja u krye në bazë të rëndësisë së shquar për trashëgiminë dhe vlerës kulturore të secilit monument, si dhe rrezikut serioz me të cilin ata përballen sot. Niveli i angazhimit të komuniteteve lokale, përkushtimi i publikut dhe palëve private të interesuara për të mbrojtur këto monumente u konsideruan si vlera thelbësore të shtuara. Një tjetër kriter përzgjedhjeje ishte dhe potenciali i këtyre monumenteve për të shërbyer si katalizatorë të një zhvillimi të qëndrueshëm socio-ekonomik.

Lista përfundimtare e 7 monumenteve më të rrezikuara në Europë për vitin 2024 do të zbulohet në prill.

 

Monumenti arkeologjik “Muret e Portës”, Durrës, Shqipëri

Qyteti i Durrësit, në brigjet shqiptare të detit Adriatik, mbart rëndësi të antikitetit ilir, grek dhe atij romak. I njohur si Epidamnos në greqisht dhe Dyrrah përgjatë periudhës romake, Durrësi është i pasur me trashëgimi arkeologjike. Monumenti arkeologjik “Muret e Portës” ndërthur një mur linear prej 60 metrash me një kullë që daton nga periudha romake, që të çon te porti antik Porto Romano, i cili ka shërbeyer si një nga udhët më të rëndësishme tregtare për më shumë se 2000 vjet, duke përfaqësuar një trashëgimi të vlerave europiane e cila shtrihet në të gjithë kontinentin. I ngritur mbi rrugën antike Egnatia, monumenti arkeologjik përfshin rrënoja nga periudhat arkaike, romake dhe bizantine dhe ndihmon në sixhaden e pasur historike të rajonit. Megjithatë vendndodhja është tepër e ekspozuar, në mes të hapësirës së ngarkim-shkarkimit të portit dhe pranë vinçeve. Ndotja nga aktiviteti i portit është një tjetër kërcënim së bashku me vështirësinë e aksesimit.

Monumenti arkeologjik “Muret e Portës” ka qenë nën mbrojtjen e autoriteteve shqiptare që nga 1948. Monumenti është nën pronësinë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Republikës së Shqipërisë. Pavarësisht statusit të përcaktuar të zonës së mbrojtur, një projekt ndërtimi me qëllim zhvillimin e një porti modern ka qenë në vijimësi. Që nga viti 2020 janë vëzhguar ndërhyrje dhe shkatërrime të murit romak, duke rritur shqetësimin mbi mbrojtjen e këtij monumenti me rëndësi historike.

Nga kryqëzimi i të dhënave dhe analizave të kryera nga arkeologu Apollon Baçe dhe të raportuara nga Media Amfora në dhjetor 2023, rezulton se kompania “Porti MBM” ka shkatërruar 78 metra të murit perëndimor prej 140 metrash me makineri. Tashmë gjendet një kullë dhe muri lindor, afro 62 metra, i cili duhet të mbrohet sepse është i rrezikuar nga punimet në zhvillim e sipër.

Paneli Këshillimor i programit “7 Më të Rrezikuarit” deklaroi: “Për më se 2000 vjet, Durrësi ka mbajtur një pozicion strategjik të shtigjeve tregtare mes perëndimit romak dhe lindjes greke, pra qyteti ishte strategjikisht i rëndësishëm. Gjurmët e këtyre qytetërimeve mbetën të dukshme nëpër qytet dhe, për të mbrojtur këtë pike strategjike, romakët nën Perandorët Anastas dhe Justinian ndërtuan një seri muresh dhe fortifikimesh prej të cilave Muret e Portës kanë rezistuar deri më sot. Statusi aktual i monumentit paraqitet i dëmtuar rëndë, me gërryerje dhe përkeqësim, si nga ndodhitë natyrore ashtu dhe nga veprimet njerëzore. Banorët e zonës kanë protestuar gjithashtu kundër zgjerimit të portit të hidrokarbureve që operon qysh prej vitit 2015 dhe që po kërcënon komunitetin e tyre”.

Nominimi në programin “7 Më të Rrezikuarit 2024” u bë nga një anëtar i Europa Nostra-s me mbështetjen e Qendrës Amfora. Programi “7 Më të Rrezikuarit” do të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit të institucioneve publike për sa i përket mbrojtjes së monumentit dhe shtimit të numrit të vizitorëve. Për të ruajtur zonën e mbrojtjes dhe perimetrin e monumentit arkeologjik “Muret së Portës”, synimi është krijimi i një mjedisi gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët. Kjo përshin krijimin e shtigjeve të ecjes, shenjave informuese, ndriçimit të duhur dhe menaxhimit të denjë të monumentit.

 

Informacion mbështetës

Programi “7 Më të Rrezikuarit”

Programi “7 Më të Rrezikuarit” është pjesë e fushatës së shoqërisë civile për mbrojtjen e trashëgimisë së rrezikuar të Europës. Ai rrit ndërgjegjësimin, përgatit vlerësime të pavarura dhe rekomandime për veprim. Gjithashtu siguron një grant prej 10,000 eurosh për monumentet e listuara në ndihmesë të implementimit të një aktiviteti të miratuar që do të ndihmojë në ruajtjen e monumentit të kërcënuar. I nisur më 2013, ky program inovativ mundësohet nga Europa Nostra në partneritet me Institutin e Bankës Europiane të Investimeve. Ai gjithashtu ka mbështetjen e programit Europa Krijuese (Creative Europe) të Bashkimit Europian.

Për të shënjuar 10-vjetorin e programit “7 Më të Rrezikuarit” në 2023, Instituti i Bankës Europiane të Investimeve publikoi fletëpalosjen “Duke mbrojtur të shkuarën – duke formësuar të ardhmen”, e cila nxjerr në pah historitë e suksesit dhe rëndësinë e partneritetit dhe angazhimit të komunitetit. Fletëpalosja, e hartuar në bashkëpunim të ngushtë me Europa Nostra, mund të lexohet dhe shkarkohet në gjashtë gjuhë (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht dhe polonisht).

Që nga nisja e programit janë përzgjedhur 56 monumente dhe site trashëgimie nga 31 vende në Europë. Për më tepër, në vitin 2016, Laguna e Venecies në Itali u deklarua si siti MË i rrezikuar i trashëgimisë në Europë dhe në vitin 2022, Bordi i Europa Nostra deklaroi trashëgiminë e pasur dhe të shumëllojshme të Ukrainës si trashëgimia

MË e rrezikuar në të gjithë Europën.

 

Europa Nostra

Europa Nostra është zëri europian i shoqërisë civile i përkushtuar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Një federatë pan-Europiane e OJQ-ve të trashëgimisë, e mbështetur nga një rrjet i gjerë organesh publike, kompani private dhe individë, ajo mbulon më shumë se 40 vende. Ajo është rrjeti më i gjerë dhe më përfaqësues i trashëgimisë në Europë, e cila mban marrëdhënie të afërta m e Bashkimin Europian,Këshillin e Europës, UNESCO-n dhe organe të tjera ndërkombëtare. E themeluar më 1963, Europa Nostra festoon këtë vit 60-vjetorin e saj.

Europa Nostra bën fushatë për ruajtjen e monumenteve, siteve dhe peizazheve të rrezikuara të Europës, veçanërisht nëpërmjet programit “7 Më të Rrezikuarit”. Ajo celebron dhe promovon ekselencën nëpërmjet Çmimeve të Trashëgimisë Europiane / Çmimeve Europa Nostra. Europa Nostra kontribuon aktivisht në hartimin dhe implementimin e strategjive dhe politikave europiane të lidhura me trashëgiminë, nëpërmjet një dialogu gjithëpërfshirës me institucionet europiane dhe me koordinimin e

Aleancës Europiane të Trashëgimisë.

Europa Nostra ka drejtuar dhe konsorciumin europian të përzgjedhur nga Komisioni Europian për të zhvilluar Qendrën e Trashëgimisë Europiane. Ajo është gjithashtu partner zyrtar i nismës së Bauhausit të Ri Europian të hartuar nga Komisioni Europian dhe është anëtare dhe mbështetëse kryesore europiane e Rrjetit të Trashëgimisë Klimatike.

Instituti i Bankës Europiane të Investimeve

Instituti i Bankës Europiane të Investimeve (EIB-I) u krijua brenda Grupit EIB (Banka Europiane e Investimeve dhe Fondi Europian i Investimeve) për të promovuar dhe mbështetur nismat sociale, kulturore dhe akademike me aktorët europianë dhe publikun në përgjithësi. Është një shtyllë kryesore e komunitetit dhe angazhimit të qytetarisë së Grupit EIB. Për më shumë informacion: http://institute.eib.org

Europa Krijuese (Creative Europe)

Europa Krijuese është një program i BE-së që mbështet sektorët kulturorë dhe krijues, duke u mundësuar atyre të rrisin kontributin në shoqërinë, ekonominë dhe mjedisin e jetesës së Europës. Me një buxhet prej 2.4 miliardë eurosh për 2021-2027, ajo mbështet organizatat në fushat e trashëgimisë, artet skenike, artet figurative, artet ndërdisiplinore,

 

Please follow and like us: