Albspirit

Media/News/Publishing

“FAN NOLI, NJË OQEAN I MADH QË SADO TË GËRMOSH, PËRSËRI NUK E KE ZBULUAR PLOTËSISHT FIGURËN E TIJ”

U promovua në Boston libri “Fan Noli-Apostulli”, vëllimi i parë, i gazetarit dhe historianit, Ilir Ikonomi

Nga Fuat Memelli

Pas promovimeve në  Shqipëri, Washington dhe New York, stacioni i fundit i promovimit të librit të Ilir  Ikonomit kushtuar figurës së Nolit, ishte Bostoni. Si mund  të mos bëhej ky promovim në Boston, ku Noli ka jetuar shumicën e jetës?! Këtu ndodhet kisha e Shën Gjergjit në të cilën ai shërbeu për vite me rradhë. Këtu kishte qendrën e saj Vatra, është Universiteti i Havardit ku Noli u diplomua. Në Boston Ilir Ikonomi ka gjetur një pjesë të mirë të “ miellit” për këtë “gatuar” këtë libër prej 430 faqesh. Veç këtyre në Boston e qytetet rreth tij, jeton një komunitet i madh shqiptarësh dhe e prisnin këtë promovim, i cili u mundësua nga dega e Vatrës së Bostonit. Ishte simbolikë e bukur edhe vend i zgjedhur për promovim –Universiteti i Havardit.

Takimin e çeli kryetari degës së Vatrës në Boston, Mentor Maksutaj. Ai ai theksoi se ky promovim bëhet me rastin e 59 vjetorit të ndarjes së Fan Nolit nga jeta. Jeta dhe vepra e tij është një udhërëfyes si për gjithë shqiptarët edhe për ne këtu në Amerikë. E mori më pas fjalën Faton Limani, përfaqëues i Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Havard, i cili theksoi se është një simbolikë e bukur promovimi i librit në Universitetin e Havardit ku Noli ka studjuar. Neka Doko, përgjegjësja e Bibliotekës së Nolit, tha se në këtë arkiv Iliri ka gjetur mjaft materiale me vlerë për figurën e Nolit. Peshkopi Theofan Koja, i cili e kishte lexuar këto ditë librin vuri në dukje se ky botim është një punim shkencor, ku çdo fletë është qepur si me gjilpërë. Për Fan Nolin janë shkruar libra edhe në regjimin e kaluar por nuk ka qënë liria që është sot dhe ka mjaft gjëra që nuk janë thënë. Ato i thotë gazetari dhe historiani i pavarur Ilir Ikonomi” përfundoi At Theofani.

Gazetari dhe moderatori i veprimtarisë, Flamur Veizaj, kishte përgatitur disa pyetje për Ilirin, me qëllim që të ishte si një bashkëbisedim . Autori i librit pasi falendreroi degën e Vatrës në Boston për organizimin e promovimit, ndër të tjera tha:” Kam punuar 10 vjet për këtë libër duke gërmuar në arkiva të ndryshme si këtu në Boston, në Washington, në York, në Arkivin e Shtetit në Tiranë, Austri, nw arkivin e Vatrës, etj. Megjithë punën e madhe që kam bërë, them se  Fan Noli është si një oqean i madh që sado të gërmosh, përsëri nuk e kë zbuluar plotësisht figurën e tij.  Kam theksuar edhe në libër, unë zgjodha rrugën që t’i hidhja faktet në tryezë dhe ta lija përsonazhin tim të fliste vetë, duke i paraqitur lexuesit Nolin e pa filtruar. Jam përpjekur të dokumentoj me saktësi çdo akt, fjalim, shkrim dhe gjithçka tjetër që lidhet me Nolin dhe epokën e tij, në mënyrë që të shuhen dyshimet për subjektivizëm dhe që të jetë si një film i plotë dhei paprerë. Siç shkruhet në gazetën amerikane Boston Globe të vitit 1919 ”Fan Noli përfaqëson shpirtin kombëtar të shqiptarëve”.

Më pas pati pyetje të ndryshme nga pjesëmarrësit, të cilëve autori i dha përgjigje. Kaluan dy orë pa u ndjerë fare. Në fund të takimit, ata që kishin marrë librin, i kërkuan autograf autorit për ta patur si kujtim. Pati edhe pjesëmarrës që nuk mundën të siguronin kopje, pasi kishin ardhur vetëm 50 copë nga Shqipëria por drejtuesit e degës së Vatrës në Boston, premtuan se do të sjellin kopje të tjera nga Shqipëria. Me një foto kolektive para Universitetit të Havardit, u mbyll ky promovim i bukur me autorin e librit, Ilir Ikonomi. Të presim përsëri në Boston Ilir, për promovimin e vëllimit të dytë kushtuar figurës së Nolit,  të cilën e mbaron sivjet!

https://www.illyria.com/fan-noli-eshte-si-nje-oqean-i-madh-qe-sado-te-germosh-perseri-nuk-e-ke-zbuluar-plotesisht-figuren-e-tij/

Please follow and like us: