Albspirit

Media/News/Publishing

Eridana Çano: “Dreams Within a Dream” e Nazmi Hoxhës

 

Arti i Nazmi Hoxhës nuk mund të kufizohet vetëm nëpërmjet një zhanri të vetëm. Ai është mjeshtër i kompozimeve, i peizazheve, i nudove dhe i portreteve, të cilat të bëra bashkë sjellin një dëshmi të shkathtësisë dhe të thellësisë së tij si artist, pjesëza të ndryshme ëndrrash brenda një ëndrre të madhe arti. Me një zotësi të jashtëzakonshme, ai i vesh veprat e tij me një mantel të mistershëm.

Te cikli i pikturave “Nudo” vërejmë aftësinë e përdorimit të ngjyrës në sipërfaqen e telajos, efekte herë të dukshme e herë të padukshme sjellin një ngarkesë unike emocionale. Ngjyra është elementi i vetëm kompozues që prek trupat e zhveshur, të cilët duket sikur po tentojnë të shkëputen nga sipërfaqja, ashtu si nëpër ëndrra, ku vëllimet qëndrojnë pezull.

Cikli “Eden” mbart të njëjtat gjurmë, të njëjtën frymë emocionale, me ndryshimin e vetëm se Nazmiu nis të eksperimentojë duke na shfaqur tashmë mikrokozmosin e tij. Mikrotrupa qiellorë të stilizuar në një formë unike shfaqen në telajo. Duket sikur nga aty po nis jeta në një ekspansion të pandalshëm.

Cikli i portreteve në sallën “Tako Artistin” shfaq figura nga historia dhe kultura shqiptare, duke rrëmbyer thelbin e shpirtit të një kombi dhe të popullit të tij. Stili i të pikturuarit të portreteve karakterizohet nga një ndjenjë e fortë realizmi dhe përkushtimi për të kapur shpirtin e subjekteve të tij, fakt ky të cilin mund ta dallojmë lehtësisht në sytë e personazheve: plot emocion, të thellë dhe me karakter. Konture pothuajse të padushme i bëjnë portretet të duket sikur dalin nga telajo e shkrihen në vështrimin e vizitorit.

I papërkufizuar në gjininë e pikturës, gjithmonë në kërkim të mistikes dhe të të qenit i veçantë në shprehinë e tij artistike, Nazmiu bën një kapërcim horizontal në artin e tij, që pas ikjes në Amerikë dhe jetesës atje. Mënyra e jetesës dhe e gjithë dinamika se si funksionon qyteti i Nju-Jorkut ku ai jeton, reflektohet te cikli i pikturave “Blinds”, të cilat përbëjnë një pikëpamje unike për llojin e pikturës së tij, duke përfshirë elemente më moderne (vertikalizimin dhe vezullimin e xhamave të ndërtesave, udhëkryqet e rrugëve dhe dinamikës të zhvillimit urban), duke eksperimentuar me ngjyrën dhe formën, me një zhvendosje drejt abstraksionit, përdorimit më ekspresiv të ngjyrës dhe një qasje më të lirë e më dinamike ndaj kompozimit.

“Central Park”-u i Nju-Jorkut është “parku i madh artistik i peizazhit”, nga ku pasqyrohet ndërthurja e teknikës tradicionale me praktikat bashkëkohore, duke krijuar vepra të reja dhe inovative. Ndryshimi i stinëve në këtë “park të madh ëndrrash” ngjall për Nazmiun ritme të reja kompozuese dhe ngjyruese. Metaforat që mbështjellin pemët në periudha të ndryshme të vitit, këtë herë shfaqen në telajo duke sjellë një frymë më metafizike: atë çka artisti sheh i mrekulluar përtej shtëllungave ngatërruese të degëve të pemëve.

E tërë ekspozita, e shtrirë nëpër të gjitha hapësirat e COD-it, synon të kapsulojë thelbin e veprës së Nazmi Hoxhës, mikrokozmosin e tij, ku pasioni dhe përkushtimi luajnë një rol të rëndësishëm në format se si ai shprehet. Pikturat e Nazmiut nuk janë vetëm përvoja pamore; janë dialogë me shikuesin, që ofrojnë një vështrim në shpirtin e artistit dhe në kujtesën kolektive të një kulture. Trashëgimia e tij i përket bukurisë, emocioneve dhe kërkimit të paepur të së vërtetës artistike.

Nazmi Hoxha lindi në Tropojë të vjetër, më 15 tetor, 1955. Pasi mbaroi shkollën 8-vjeçare në qytetin e Bajram Currit, fitoi konkursin në liceun artistik “Jordan Misja”, Tiranë, dega pikturë. Pas përfundimit të liceut, në vitin 1979 vazhdon Akademinë e Arteve të Bukura, Tiranë. Më pas, ai emërohet “Mësues vizatimi” në shkollën 8-vjeçare të Tropojës së vjetër deri në 1984. Në vitin 1985-1987, punon me grupin e punës për ngritjen e muzeut “Bajram Curri”. Nga ky vit, emërohet “Mësues vizatimi” në fshatin Llugaj të rrethit Tropojë deri në vitin 1989. Në vitin 1990-1992 kalon në krijimtari të lirë, vendim ky i marrë nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Në vitin 1993 fillon punë në RTV Tiranë, te “Filmi Artistik” si piktor, pastaj si drejtor i “Filmit Artistik dhe Dokumentar”. Në vitin 2001 punon në kompaninë e sigurimeve “SIGAL” si piktor i reklamave dhe në 2003-shin, në “Qendrën Shqiptare për të Drejtat e Njeriut”. Në vitet 2006-2007 punon në Postën Shqiptare, në “Sektorin e Pullës”. Në vitin 2008 fiton llotarinë Amerikane dhe që atëherë jeton në Amerikë.

Aktiviteti artistik: viti 1981: ekspozita e parë vetjake në qytetin e Bajram Currit; viti 1987: ekspozitë vetjake në Pallatin e Kulturës, Tiranë; viti 1990: promovon ekspozitën në “Lidhjen e Artistëve dhe Shkrimtarëve”, Tiranë; viti 1991: ekspozitë vetjake në Galerinë e Arteve Figurative; viti 1992: ekspozitë vetjake në Muzeun Kombetar, Tiranë; viti 1995: ekspozitë vetjake në Galerinë e Arteve, Tiranë; viti 1996: ekspozitë vetjake në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, Tiranë; viti 2005-2006: dy ekspozita të tjera në Galerinë e Arteve, Tiranë.

Çmimet e fituara: 1987, çmimi “Piktori më i mirë i vitit”, akorduar nga Këshilli Qendror i Rinisë; 1988, “Çmimi i dytë Kombëtar”, akorduar nga Këshilli Qendror i Rinisë; “Çmimi i tretë kombëtar në peizazh”, me rastin e 40-vjetorit të çlirimit të atdheut; 1989, “Çmimi i tretë në gazetari”, organizuar nga gazeta “Drita”; 2007.

Nazmi Hoxha jeton sot në SHBA dhe ushtron aktivitetin e tij artistik me ekspozita vetjake dhe në grup.

Hapur për publikun:

10 prill – 10 maj 2024

Orari i hapjes për vizitorët:

E hënë – e premte:

09:30 – 14:00/17:30 – 20:30

E shtunë: 17:30 – 20:30

Hyrja nga bulevardi kryesor

Please follow and like us: