Albspirit

Media/News/Publishing

KROACI – BOSHNJAKU BËHET DEPUTET ME VOTAT E SHQIPTARËVE

Në Parlamentin Kroat, pakicat kombëtare përfaqësohen me deputetët e tyre. Pakica serbe dhe ajo hungareze kanë mga tre deputetë, ndërsa pakicat boshnjake, sllovene, malazeze, maqedonase dhe shqiptare, të gjitha së bashku, kanë një deputet. Sllovenët, malazezët dhe maqedonasit përbëjnë një numër më të vogël. Kështu, konkurrenca për të pasur deputetin e tyre në Parlamentin Kroat është midis shqiptarëve dhe boshnjakëve. Boshnjakët në Kroaci janë dy herë më të shumtë në numër se shqiptarët. Ndaj, që nga viti 1992 deri në vitin 2015, ata kanë pasur deputetin e tyre në atë parlament.
Por, falë bashkimit të forcave pa dallim feje apo ideologjie politike dhe zgjedhjes së një kandidature të shkëlqyer siç ishte ajo e zonjës Ermina Lekaj Prljaskaj, nga viti 2015 deri në vitin 2024, shqiptarët kanë arritur të fitojnë. Për rrjedhojë të gjitha këto pakica që u përmendën më lart përfaqësoheshin nga zonja e nderuar, deputetja shqiptare, Ermina Lekaj Prljaskaj.
Në këtë shkrim nuk kam ndërmend të flas për punët e mira dhe arritjet e jashtëzakonshme të kësaj deputeteje shqiptare. Por shkurtazi do të analizoj fenomenin e një epidemije që i ka prekur shqiptarët nëpër shekuj, siç është lufta midis nesh, vetë shqiptarëve, kudo që jemi.
Në zgjedhjet e 17 Prillit të vitit 2024, vendin e deputetit të këtyre pakicave e fitoi kandidati boshnjak. Por, po t’i analizojmë me kujdes dhe me qetësi faktet sërish, në këto zgjedhje ka fituar kandidatja shqiptare, pra zonja Ermina Lekaj Prljaskaj. Pse e them këtë? Thjesht fare. Po të mbledhësh votat që ka marrë zonja Prljaskaj dhe kandidati tjetër shqiptar në këtë garë, Shoip Shoipi, këto vota janë shumë më tepër se sa votat që ka marrë ‘fituesi’ – pra ish- kandidati boshnjak. Nuk mund të fyejë inteligjencën e një doktori si Shoipi dhe të shprehem se ai ka hyrë në këtë garë për të fituar. Kjo pasi numri i votave që ai priste të merrte dhe që mori në të vërtetë, në krahasim me zonjën Prljaskaj, flet qartë. Ai ka hyrë në këtë garë si kundër kandidat shqiptar me vetëdijen e plotë për t’i hequr vota zonjës Ermina, për të shkërmoqur votat e shqiptarëve, me qëllim që shqiptarët të përfaqësohen në Parlamentin Kroat nga një boshnjak.
Motivet, se si dhe pse e ka bërë ai këtë, mbetet t’i sqarojë ai vetë. Por me vetëdije të plotë, ai dhe mbështetësit e tij kanë punuar në dobi të boshnjakëve dhe kundër shqiptarëve.
Ky, për fat të keq, është një rast i përsëritur në Historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Shqiptarët ndër shekuj, luftërat më të egra i kanë bërë me njëri-tjetrin, fatkeqësisht në dobi të të huajve, duke e shkatërruar njëri tjetrin dhe vendin e tyre. Ndaj, për rrjedhojë, ne jemi i vetmi shtet në botë që në të gjitha anët e kufirit kufizohemi nga vetë popullsia dhe trojet tona etnike shqiptare, që administrativisht kanë mbetur në duart e shteteve fqinje.
Për t’a ilustruar këtë dua të citoj një thënje të patriotit të madh shqiptar të prag – Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Aqif Pashë Elbasani, i cili thotë:
“Ndërhyrja e të huajve, përçarja fetare, lufta për interesa të vogla duke harruar detyrimet ndaj kombit, janë armiku jonë shumë i madh, janë ato që ne shqiptarëve na kanë lënë kushtu siç jemi: Të ndarë të përçarë, të vetmuar dhe të përçmuar.”
Më mirë se çdo gjë në ditët e sotme, këtë e ilustron ajo që ndodh në Maqedoninë e Veriut, ku shqiptarët, të cilët krejt njësoj si Shoaipi, e dinë se veç e veç kurrë nuk fitojnë, e prapë se prapë konkurojnë për president të atij vendi po veç e veç.
Le ta mbyll me fjalët e një rilindasi!
Zot ruaji shqiptarët prej shqiptarëve!

NDREK GJINI –

MA, UNIVERSITY OF GALWAY, IRELAND

Please follow and like us: