Albspirit

Media/News/Publishing

Ndua Ukaj: Kultura dhe arti për një popull

 

Kultura dhe arti, për një popull, e kanë atë kuptim, që kanë tabelat orientuese në komunikacion, prandaj te ne zotëron kaosi i plotë, sepse këto tabela i kemi hequr.

Hanah Arend, diku shkruan se vetëm në shoqëritë e pacivilizuara, ku raporti i politikës me kulturën është negativ, një gram pushtet peshon më shumë sa një tonelatë intelekt.

Te ne, një gramë politikë e stërkequr, peshon më shumë se tonelata kulturë.

Dhe këtu janë arsyet e krizës sonë të thellë.

Shoqëria jonë sillet në vorbullën e një përçudnie të habitshme, sepse prej jetës sonë, janë larguar tabelat e kulturës e ngjarjet e personalitet historike që orientojnë dhe sillemi si të marrë, duke ndjekur politikanë mediokër e politika jonormale.

Sepse, në vendin tonë, më pak se një gramë pushtet, peshon ma shumë se një tonelatë intelekt, prandaj kemi humb udhën e jetojmë në një pëshjtellim të madh e në një rrëmujë shpirërore.

Zvetënimi ynë është i përgjithshëm:

-jemi të izoluar, nën sanksione të perëndimit,

– ekonomia jonë është krejt prapambetur,

-mungon frikëshm në sferën publike sensi estetik,

-arsimimi ynë është katandisur në gjendje impotente,

– kemi probleme të thella fetare, të kuptimit elementar të shtetit sekular,

-askush në perëndim nuk na kupton, pos do tutkunëve të përzhitur nga ideologjitë ekstremiste,

– jemi aq të përçarë sa duam t’ia nxjerrim sytë njëri-tjetrit.

-nuk kemi raporte të mira madje as me Shqipërinë.

Dhe me siguri radha e problemeve tona serioze nuk përfundon këtu.

Vendi ynë, nuk është në udhë të mirë, është i izolzuar, udhëhiqet prej mendjengushtëve, që mllefin kundrejt të tjerëve e kanë më të madh se dashurinë për vendin, udhëhiqet nga një tufë shkretanësh pa ndjesi kulturore e estetike e me mendësi thellësisht jo perëndimore.

Dhe kështu, vendi ynë, i ngjan atij njeriut që udhëton në një tren dhe në çdo stacion, pasi treni ndalet, ai e zgjat kokën kah dritarja, lexon emrin e vendbanimit dhe psherëtin thellë.

Duke e vërejtur këtë sjellje të çuditshëm, dikush nga bashkudhëtarët, e pyet:

“Pse po psherëtini kaq trishtueshëm? A mund t’ju ndihmoj gjë”?

Udhëtari i përgjigjet:

“Faleminderit! Nuk kam nevojë për ndihmë, t’ju them të drejtën, qysh moti është dashtë të zbrisja, sepse po udhëtoj në drejtim të gabuar”.

Vendi ynë është duke udhëtuar në një drejtim të gabuar, po e kuptuam, ka mundësi ta gjejmë udhën e drejtë.

Please follow and like us: