Besnik Fishta: Enigma e simboleve partizane në pulla postare gjatë pushtimit fashist
Një ndër çështjet enigmatike në historinë e filatelisë shqiptare, e ngritur nga studiues vendas dhe të huaj, lidhet me pyetjen: A ka ekzistuar një shërbim postar partizan me pulla me simbole të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare? Kjo hipotezë, realisht ngacmuese, vazhdon te mbetet gjithnje temë debati në mesin e historianeve dhe veçmas atyre të historise postare. E vërteta është që nuk ekziston asnjë dokumentacion zyrtar arkivor dhe nuk ka asnjë njohje të këtyre pullave në katalogët ndërkombëtarë të filatelisë. Po ashtu, ato nuk janë përmendur as në media apo botime të specializuara.
Që prej 7 prillit 1939, me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, të gjitha funksionet e qeverisjes vendore, e komunikimet ne gjirin e lëvizjes antifashiste u zhvilluan në mënyrë ilegale përmes korrierëve të rezistencës, të cilët dalloheshin për guxim, zgjuarsi dhe përkushtim. Jane të shkruara në libra, të trajtuara në filma artistikë dhe deri në këngë figurat e korrierëve partizanë.
Edhe pas kapitullimit të Italisë dhe kalimit të pushtimit nga fashist në nazist, në fillim vjeshtën e vitit 1943, situata nuk ndryshoi. Lidhjet ndërmjet njësive partizane, Shtabit të Përgjithshëm dhe Këshillave Nacionalçlirimtare mbaheshin përmes korrierëve, jo përmes një administrate postare të organizuar. Ky rrjet komunikimi ishte i thjeshtë dhe fizik, pa zyra poste, pa fletë zyrtare dërgese dhe sigurisht pa pulla postare të mirëfillta. Pulla të para me simbole partizane u shtypën vetëm pas Çlirimit, me 1945, si pjesë e përpjekjeve për të krijuar institucionet e shtetit të ri. Megjithatë, çështja vazhdon të mbetet intriguese për shkak të dëshmive gojore për ekzistencën të disa pullave që janë shfaqur ndër vite e mepasme.
Një nga dëshmitë më të cituara është ajo e gjeneral Gjin Markut, e dhënë në një bisedë të vitit 1954, ku ai pohonte se ishin prodhuar disa pulla partizane që kishin qarkulluar vetëm për disa ditë ne fillim vjeshte 1943. Pra ishte momenti gjatë së cilës Shqipëria kaloj nga pushtimi fashist italian në atë nazist gjerman. Sipas tij, nismëtar i kësaj ishte një i ri nga Berati, i kthyer nga Italia ku kishte qenë student, për t’iu bashkuar luftës. Gjenerali tregonte se ishin mbishtypur pulla të viteve 1939–1940 në dy variante: Në variantin e parë, një shqiponjë dhe një yll pesëcepësh në ngjyrë të zezë; dhe në të dytin, në ngjyrë të kuqe, një yll pesëcepësh dhe mbi të shkronjat VF–LP (“Vdekje Fashizmit – Liri Popullit”).
Thëniet e gjeneralit jane marrë si provë e rëndësishme nga përkrahësit e kësaj hipoteze dhe janë bërë përpjekje ta provojnë me imazhin e disa kopjeve nga këto pulla. Madje duke treguar dhe të paktën një rast të “qarkullimit” të një letre brenda qytetit të Beratit në adresë të një noteri, natyrisht pa vulë datare të postës, vetëm e shoqëruar me një vulë horizontale “BERAT”. Krahas kësaj dëshmie ka dhe të tjera të cilat dhe janë shkruar në literaturën filatelike duke cituar dhe disa dokumenta gjermane.
Megjithatë sipas studiuesve seriozë të filatelisë shqiptare, kjo histori nuk qëndron, duke konkluduar se bëhet fjalë për falsifikime të mëvonshme. Ato na kane ofruar edhe pamje ilustrative të njërës prej këtyre pullave të dyshimta. Sipas mendimit tim, një mundësi e dytë e krijimit të tyre, ndoshta janë të realizuara për qëllime propagandistike apo kuriozitete koleksionimi.