Albspirit

Media/News/Publishing

Humbja e Orbán në Hungari nuk është thjesht një rotacion pushteti

Elta Milori

Humbja e Viktor Orbánit në Hungari nuk është thjesht një rotacion pushteti. Është një sinjal i fortë politik, një kthesë që flet për lodhjen e një modeli qeverisjeje që për vite me radhë ndërtoi stabilitet mbi kontrollin, dhe sovranitetin mbi izolimin. Për më shumë se një dekadë, Orbán arriti të krijojë një sistem të konsoliduar, ku pushteti politik, media dhe institucionet lëviznin në një ekuilibër të kontrolluar. Ai u shndërrua në simbol të një Evrope “tjetër” konservatore, skeptike ndaj Brukselit dhe mbrojtëse e fortë e identitetit kombëtar.

Por pikërisht kjo formulë, që për një kohë funksionoi, filloi të japë shenja konsumimi. Votuesit hungarezë duket se kërkuan diçka më shumë se retorikë të fortë dhe stabilitet të imponuar. Ekonomia, presionet ndërkombëtare, izolimi gradual dhe një ndjenjë shteengimi i brendshëm krijuan terrenin për ndryshim.

Humbja e Orbánit është në thelb, një votë kundër mbylljes dhe një kërkesë për hapje jo vetëm ndaj Europës, por edhe ndaj një demokracie më funksionale brenda vendit. Ky zhvillim ka ndikim përtej kufijve të Hungarisë.

Për vite, Orbán ka qenë një pikë referimi për liderë dhe lëvizje të tjera populiste në Europë. Rënia e tij dobëson një model dhe forcon narrativën se edhe sistemet më të fortifikuara politikisht nuk janë të paprekshme përballë vullnetit qytetar. Megjithatë, nuk duhet parë si fund i një epoke pa kthim. Idetë që ai përfaqësoi nacionalizmi, skepticizmi ndaj institucioneve ndërkombëtare, kontrolli mbi narrativën publike mbeten të pranishme dhe aktive. Humbja e një lideri nuk zhduk automatikisht kulturën politike që ai ndërtoi.

Hungaria sot ndodhet përballë një prove të re a do të arrijë të ndërtojë një model më të hapur, më gjithëpërfshirës dhe më demokratik, apo do të mbetet e ndarë mes së shkuarës dhe të ardhmes? Ndryshimi politik është vetëm hapi i parë.

Sfida e vërtetë është transformimi i thellë i sistemit. Sepse në fund, demokracia nuk matet me kohëzgjatjen e pushtetit, por me aftësinë për ta ndryshuar atë.