Albspirit

Media/News/Publishing

Harallamb Fandi: Skënder Kamberi iku, po s’na la…

Skënder Kamberi iku, po s’na la… Po, se Skënder Kamberin askush nga ata që e njihnin mirë nuk e ka mendar kurrë të vdekshëm si gjithë njerëzit e tjerë. Sepse dhe ai vetë edhe kur të gjithë mendonin se i kishin mbetur vetëm dhe disa orë jete në spital, (para 15 vjetësh kur bashkë me Nestor Jonuzin vajtëm në shtëpi ngaqë mësuam se ishte në rrezik të madh nga zemra, na thanë që e kishin marrë me urgjencë në spital. Vajtëm pa vonesë atje dhe… ) Skënderin nuk e gjetëm. Infermierët na thanë se ai kishte hedhur batanijet tutje dhe ishte larguar pa i thënë gjë njeriu. U kthyem përsëri në shtëpi. Skënderi, që rrinte në divan, tundi kokën dhe duke qeshur na tha: ”Ja fusin kot, unë s’kam gjë nga zemra”! Dhe vitet që erdhën pas ai i kaloi me punë e ritëm shkatërrues, po Skënderi as qe donte t’ia dinte. Madje na mësoi edhe ne shokëve që arti, arti si i tij ama, që të rrëmben të tërin, ta shton jetën. Shokët dhe miqtë i ka bërë si veten me këtë të vërtetë dhe dita e sotme tregoi se për ta ai është ende i gjallë. Dhe kështu do ta përfytyrojnë gjithnjë. Sa të shumtë janë dhe sa shumë kanë shkruar e po shkruajnë! Nuk kam parë që për një humbje artisti, sado të shquar, të shprehin dhimbjen nëpërmjet facebook-ut kaq shumë njerëz. Dhe sa e sa të tjerëve, ashtu si dhe mua deri tani, nuk u bën dora të shkruajnë se ndruhen duke menduar që çdo gjë që të thuash per të është pak. Familja e tij e di që na ka pranë dhe duke e ndier këtë afërsi e ngushëllim të natyrshëm me siguri beson si ne të gjithë që i pakrahasueshmi Skënder Kamberi po pushon e ndrit në qiell si yll mes yjeve.

Post Scriptum

Skënder Kamberii u nda sot nga jeta në moshën 87-vjeçare. Lindi në Vlorë më 2 shkurt 1939, mbaroi Liceun Artistik në 1960 dhe më pas vazhdoi studimet në Institutin e Lartë të Arteve, ku u diplomua në vitin 1965. Në ato vite ai u kthye në vendlindje, ku bashkë me piktorin Nestor Jonuzi dha një kontribut të veçantë në përhapjen e gjerë të pikturës në qytet. Skënder Kamberi konsiderohet si një prej piktorëve më të rëndësishëm shqiptarë, në veprat e të cilit spikasin vlerat, dashuria për artin, njerëzit dhe qytetin e tij të dashur, Vlorën. Galeria Kombëtare e Arteve, në koleksionin e saj, mban disa punime të Skënder Kamberit, arti i të cilit kapërceu kufijtë shtetërorë. Piktori ka hapur një sërë ekspozitash në Egjipt, Francë, Angli, Turqi, Itali, Greqi etj. Ndër veprat e tij veçohen “Demostrata e bukës” (1971), një nga kompozimet më të njohura me temë historike, si edhe “Fshati Kuç”, pikturë impresioniste në vaj e fshatit.